Mapo Letrare

Beti Njuma: ‘Lolita’ dhe ‘Femrat’ kanë qenë një Çernobil mendor

beti njumaPYETËSORI I LIBRIT

 



Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…
Historitë e Herodotit, Epi i Gilgameshit dhe Iliada. Më të vjetër se kaq…?!

-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

As nga njëra as nga tjetra, por ndodh që edhe nga të dyja bashkë. Librat i lexoj sipas nevojave të punës. Ky është një kurth të cilit i shpëtoj duke lexuar shumë poezi.

I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?
Jo! Do të ishte e pamundur. Kam shumë libra. Por sigurisht që i kaloj të gjithë nëpër duar për detajet që më parë nuk i vija re. Shoh autorin, shtëpinë botuese, kush i ka përkthyer apo redaktuar.

-Libri i parë që keni lexuar…
Sinqerisht, nuk e mbaj mend! Me siguri duhet të ketë qenë një libër për fëmijë! Ama mbaj mend shumë mirë dy libra që kanë rënë si një rrufe në botën time prej lexueseje, ‘Lolita’ e Nabokovit dhe ‘Femrat’ e Bukovskit. I kam lexuar gjatë adoleshencës, dhe kanë qenë një eksperiment i madh kur brezi im ishte ende plot paragjykime, edhe për gjëra nga më banalet, apo dashuritë e para. Këto lloj librash kanë qenë në një kuptim ilaç, një ushqim shpirtëror, ose po të perifrazoja një shkrimtar italian që po lexoj tani, një ‘Çernobil mendor’. Sot të rinjtë janë shumë më të hapur se njëzet vjet më parë dhe nuk besoj se ka libra që mund t’i “trondisin”.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë…
Nuk më është dashur kurrë të bëj sakrifica për librin. Kam qenë me fat pasi të dy prindërit më kanë punuar në shtypshkronjë, në Poligrafik. Librat më binin në dorë jo vetëm shumë kohë para se të hidheshin në treg, por libra për të cilët kishte pritshmëri të madhe prindërit i sillnin madje me fashikuj.

Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnaziste apo studente?
Me shoqet dhe shokët e klasës. Besoj se ata janë përgjegjësit kryesorë përse bibliotekës sime sot i mungojnë shumë tituj, sidomos nga librat për fëmijë. E kisha zët etiketimin “kurnace”, ndaj librat i kam dhënë më bujari. Nuk m’i kanë kthyer me të njëjtën “bujari”.

-A keni patur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?
Asnjëherë. Nuk e kam pasur të nevojshme, pasi në bibliotekën personale kisha thuajse gjithçka, që nga librat për fëmijë e deri tek ata për të rritur. Mungonin vetëm veprat e Enver Hoxhës. Me sa di unë, sepse shtypeshin tek shtypshkronja “Mihal Duri”.

-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?
Vetëm në Bibliotekën Kombëtare, anëtare e së cilës jam prej shumë vitesh, së paku prej 15 vitesh, qëkurse kam nisur punën si gazetare. Kërkoj libra të rrallë si dhe shfrytëzoj shtypin e dikurshëm, për të cilin më vjen gjithmonë në ndihmë Maksi, një ndër njohësit më të mirë të fondit të Bibliotekës Kombëtare.

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër?
Këtë nuk e kam bërë kurrë, por kam shumë libra të cilët i kam blerë në trotuaret e Tiranës apo buzë Lanës. Libra të vjetër që në më të shumtën e rasteve kanë emrat e zotëruesve të dikurshëm apo dedikime të ndryshme. Sa herë më rastisin libra të tillë, ndonëse kanë përfunduar buzë rrugës, më duket sikur pronarëve të dikurshëm u kam rrëmbyer intimitetin, një copëz histori nga jeta e tyre që kushedi pse dhe në ç’rrethana e kanë flakur tutje.
-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?
Librat e vjetër për fëmijë. Ata janë pengu më i madh që kam, pasi një pjesë e tyre nuk janë ribotuar. ‘Aventurat e Din Pakut dhe din Shumit’ dhe ‘Aventurat e Top Gungaçit’, janë dy prej tyre.

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?
Më pëlqejnë të dyja. Tani miqtë e mi përpiqen të më dhurojnë libra të huaj sepse vështirë të ketë ndonjë botim të ri me vlerë që unë të mos e kem.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?
Lexoj vetëm shtrirë, në kurriz. Megjithatë, thuajse çdo ditë, orarin e grimit përpara lajmeve e shfrytëzoj për lexim, letërsi por sidomos gazetat online. Sidoqoftë, periudha më e bukur për lexim, për mua, mbetet ajo e verës, në plazh.

-A lexoni në banjë?
Kush thotë se e bën, nuk besoj se e ka seriozisht!

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?
Nga anglishtja vetëm poezi, dhe nga italishtja pothuajse gjithçka.
Ç’libër keni në duar aktualisht?
Nuk kam asnjëherë vetëm një libër në dorë. Meqenëse po realizoj një dokumentar për Revolucionin e Fan Nolit të 1924-ës, po shfrytëzoj të gjithë literaturën e botuar mbi ngjarjet e atij viti. Nga ana tjetër, Panairi i sivjetshëm solli një mori autorësh që presin të lexohen: Kadarenë, Herodotin, ‘Natë dhe ditë’, romani i saposjellë në shqip i Virgina Woolf, ‘Ema’ e Jane Austin dhe shumë të tjerë.

-Mbani shënime kur lexoni?
Shënime jo, nënvizime shumë. Meqenëse merrem edhe me përkthime më pëlqen të nënvizoj fjalë të veçanta, neologjizma, mënyra të thëni që i ndesh për herë të parë, gjëra që mendoj se mund të më shërbejnë. Shënoj shumë edhe gabimet që ndesh, sidomos ato gjuhësore. Dhe kur vjen dita e intervistës, ia vë në dukje përkthyesit, botuesit apo autorit. Nuk kam fare komplekse në këtë drejtim pasi të tilla gabime janë një dhunim që i bëhen lexuesit dhe mua personalisht, jo vetëm më shqetësojnë, por më nervozojnë. Fatmirësisht këto janë raste të rralla, pasi shtëpitë botuese me emër në Shqipëri kanë vite që bëjnë punë cilësore me librin, veçanërisht me procesin e redaktimit.

Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shenjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?
Më pëlqejnë të dyja, por më tërheq veçanërisht poezia, është si një kafe ekspres që e rrufit në çast. Një libër me poezi mund ta shfletosh në cilën faqe të duash, të lexosh sa të duash dhe ta mbyllësh kur të duash pa pasur pengun e diçkaje të papërfunduar e të lenë pezull. Unë shkoj edhe më tej, pasi poezitë e bukura që lexoj i ndaj edhe më miqtë në facebook.

Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?
Libra shkaktojnë reaksione të ndryshme te secili prej nesh, ndaj nuk kam dëshirë të jap receta leximi. Sigurisht, gjëja e parë që më vjen logjikshëm ndër mend është të them klasikët e letërsisë botërore, ashtu sikundër edhe autorët bashkëkohorë, pastaj do vijoja me librat e sjellë në shqip nga mjeshtrat tanë të përkthimit. Leximi është diçka shumë personale, ku ti je vetëmpërvetëm, është e vetmja fushë ku njerëzit janë të lirë të eksperimentojnë me veten pa krijuar varësi dëmprurëse prandaj nuk do të përjashtoja asgjë. Nuk i paragjykoj fare ata që lexojnë libra “limonatë”. Tekefundit unë eci me moton: Më mirë një limonatë, sesa i zhuritur pa një pikë ujë!

A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?
Kam dëgjuar shpesh të thonë Bibla. Por unë nuk mendoj se ekziston një tekst i vetëm, sado i përsosur, që të përmbledhë tërë esencën e njerëzimit.

-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?
Do të shpëtoja tre libra të dashur për mua: ‘Kronikë në gur’, ‘Dashuri në kohërat e kolerës’ dhe ‘Harku i triumfit’.

-Na thoni një maksimë për librat që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…
Kam shumë të tilla, por më vjen ndër mend diçka që e kam lexuar së fundi nga Daniel Pennac: ‘Të pakta janë sendet që zgjojnë, si libri, ndjenjën e një pronësie absolute. Me të na rënë në dorë, librat bëhen skllevërit tanë’. Penacc-u thotë se në vend që t’u kërkojmë fëmijëve tanë të lexojnë, duhet të ndajmë me ta kënaqësinë e leximit.

Na thoni një varg të preferuar poezie…
Do të them dy vargje, nga dy poetë të kohërave, dhe botëkuptimeve shumë të ndryshme. “Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e ma thellë.” Të gjitha vargjet e Migjenit për mua janë të bukura, të vërteta, tragjike dhe aktuale. Pak por të mjaftueshme për ta quajtur një ndër shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë ndonëse u largua nga kjo botë vetëm 27 vjeç. Vargu i dytë është shkëputur nga një këngë e Vasco Rossi-t, ‘Sally’ dhe është deviza e jetës sime. Së paku për momentin: ‘Perché la vita è un brivido che vola via… è tutto un equilibrio sopra la follia’.

-Cili është personazhi i preferuar i romaneve që keni lexuar?

Më pëlqejnë personazhet luftarakë, që rrëmojnë thellë brenda vetvetes, që dashurojnë me forcë, që rrëzohen dhe gjejnë sërish forca për t’u ringritur. Fjala vjen, më pëlqen personazhi i Oriana Fallacit tek romani i saj autobiografik ‘Një burrë’. Hyn tek librat e mi më të dashur, andaj është një përvojë leximi që dëshiroj ta ndaj me shumë njerëz.

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Thuajse të gjithë librat që më kanë dhuruar këto shtatë vite që në Top Channel merrem me “Vitrinën e librit” i kam me një dedikim nga autorët përkatës. Në panairin e fundit të librit, Kadare, nga i cili kam disa libra me autografe, duke mos dashur të linte thjesht firmën e tij po mendohej. Duke qenë se radha për atë të uruar ishte e gjatë, i erdha në ndihmë dhe ia prita: Sa e lehtë je ti Beti! Dhe ai e shkroi. Kjo fjali e ‘Gjeneralit të ushtrisë së vdekur’ më ka ndjekur për shumë kohë. Gjenerali i Kadaresë ka qenë shumë popullor, ishte dhe mbetet një ndër librat më të lexuar, ndaj njerëzit ma thoshin me të qeshur sa herë mësonin emrin tim.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas