Editorial

Beteja politike nuk zhvillohet midis mazhorancës dhe opozitës, por pro Reformës në Drejtësi dhe kundër saj

Nga Ervis Iljazaj

Edhe pse në dukje duket një ashpërsim i gjuhës politike dhe rritjes së konfliktit midis mazhorancës dhe opozitës, në fakt, beteja politike nuk zhvillohet më midis dy palëve, por në një front të ri politik.



Është ai front që Preç Zogaj e quan me të drejtë, dikotomia e re në politikën shqiptare.

Kjo dikotomi nuk sheh si aktorë kryesorë ndarjen tradicionale të politikës shqiptare apo dialektikën normale në një demokraci që sheh një garë midis mazhorancës dhe opozitës, por një ndarje midis aktorëve politikë të çfarëdo krahu që mbështesin Reformën në Drejtësi, dhe ata që e kundërshtojnë atë.

Shqipëria ndodhet në një moment ku, ngjarja kryesore, ndoshta e 27 viteve të tranzicionit, është aprovimi i Reformës në Drejtësi dhe zbatimi i saj. Është një ngjarje e cila ndryshon rrënjësisht marrëdhëniet problematike midis politikës dhe drejtësisë që jemi mësuar deri më tani. Prandaj, zbatimi i saj, ka padyshim një ndikim të madh edhe në politikën shqiptare dhe të gjitha koniunkturat që ka mbartur kjo marrëdhënie.

Për këtë arsye, ka një betejë midis atyre që e mbështetin këtë Reformë dhe atyre që e kundërshtojnë.

Tashmë është e qartë, që politika shqiptare nuk mund të prodhojë më asnjë lajm. Në këtë drejtim duket çdo gjë e bllokuar. E vetmja që mund prodhojë lajme politike është drejtësia.

Kjo për një arsye thelbësore, Reformës në Drejtësi. Një Reformë rreth të cilës, u vërtitën të gjitha strategjitë politike, pasi, padyshim do të ndryshojë të gjithë sistemin juridiko-politik që është instaluar përgjatë gjithë tranzicionit shqiptar.

Me një imponim qartësisht amerikan, Reforma në Drejtësi është gati në fundin e saj, dhe palët politike duket sikur janë në pritje të efekteve që ajo do të japë, që në disa aspekte kanë filluar që tani.

Prandaj, e gjitha dialektika politike është e bllokuar, pa të cilën të gjitha spuntot ekonomike dhe sociale paralizohen dhe mbeten në vend.

Padyshim, të gjitha palët politike për të ruajtur marrëdhëniet me organet gjyqësore, bënë ç’të ishte e mundur për të stopuar një reformë, e cila po merr nga dora e tyre drejtësinë. Tensioni politik që ndihet në ditët e javët e fundit, është pikërisht për këtë arsye, sepse politika shqiptare e ka kuptuar tashmë, që organet e drejtësisë po i rrëshqasin nga duart.

Mirëpo një situatë e tillë, ka bllokuar çdo politikë qeverisëse, çdo iniciativë politike domethënëse, çdo nxitje ekonomike, në pritje se çfarë do të sjellë Reforma në Drejtësi në kampin politik.

Në këtë kuptim, ajo që ka munguar këtë vit është pikërisht dialektika normale politike, pa të cilën një demokraci kthehet në gjendje të ngrirë.

Duket sikur asgjë nuk lëviz në planin e qeverisjes, por edhe në kampin opozitar, përveçse akuzave me dosje penale të ndërsjella.

Në këtë moment që flasim, Prokuroria shqiptare është nën syrin e ciklonit, të opinionit publik, por edhe të ndërkombëtarëve, për shkak të çështjeve shumë të ndjeshme që ka në duart e saj. Duke filluar që nga arrestimi i disa anëtarëve të krimit të organizuar shumë të përfolur, te çështja Tahiri dhe ajo e vëllait të Ministrit të Brendshëm, janë çështje të cilat mund të tronditin politikën shqiptare të të gjitha palëve.

Kështu që, deri sa të vendoset përfundimisht fati i Reformës në Drejtësi, është e kotë të presim lajme nga politika. Sytë e të gjithë aktorëve janë drejtuar nga efektet e saj. Me të gjitha gjasat ky është një proces tashmë i pakthyeshëm. Se cili do të hipë në karrocën e fituesit e cili jo nga aktorët kryesorë politikë mbetet për t’u parë.

PasPara

3 komente

  1. Nëse nga të dy palët kemi fajtorë, edhe pse njëra anë mund të ketë më shumë se tjetra dhe se nuk mund të vihet shënja e barazimit, atëherë cila palë është më e interesuar që reforma në drejtësi të ndodh? Nuk ka asnjë kuptim që ata të zihen për këtë hall që na paska rënë. Pra nuk i intereson asnjërës palë që kjo të ndodh, sikur të ishte e vërtetë,por aq më tepër nuk i ntereson asaj që hiqet sikur po lufton fort sepse ajo është e zhytur në llum deri mbi kapele sa po i merret fryma.Tashmë e di i madh e i vogël, plak e i ri, të urtit dhe të marrët se krimet e bëra në këto 5 vitet e fundit nga kriminelët e thirrur nën armë nga nga njeriu që përralliste se ai ishte Mesia, se me të po fillonte historia, kalojnë çdo imagjinatë . Ndaj , çfarë interesi mund të kishte e mund të ketë ai dhe shokët që e rrethojnë që të vihej drejtësia në vend? Çdo gjë që po ndodh me drejtësinë dhe qëndrimet e atyre që e ideuan duket absurde, paradoksale, qesharake dhe çdo përpjekje për të shpëtuar të fajshmit apo heshtje nga nderkombëtarët duket pa sens, pa seriozitet apo si lojë e fëlliqur, e cila është e dështuar. Kjo, edhe për arsyen e thjeshtë, sepse asnjë lloj reforme nuk mund të bëhet duke shkelur mbi ato ligje që janë shtyllat e kësaj reforme, mbi të cilat , gjoja , do ta reformonin. Reformën e do populli , por jo ata që çirren, trumbetojnë e hallakaten sikur po bëjnë reformë. Këta që drejtojnë sot nuk e bëjnë kurrë, Një policit , medemek , i kërkohet të mos ketë njeri të afërm që merret ose është marrë me drogë, ndryshe s’ mund të jetë polic , ndersa ministri nuk prish punë sado i përlyer të jetë. A mund ta pastrojë policinë një që është vetë i papastër? Kjo lloj reforme nuk i duhet as dreqit as të birit. Lufta nuk bëhet për reforma , por për pushtet, për para dhe se tek ne , tashmë, drejton mafia. Reformën do ta bëjnë ata bashkë me Sorosin. Merreni me men se çfarë reforme mund të jetë ajo.

  2. Kësaj i thonë të kemi shpresë se reformën e drejtësisë në Shqipëri do ta bëjnë Habilet e Agron Xhafa.

  3. Turp te keni ju me Vangjel e Nazarko se jeni bere mburoje e krimit, te njejten gje si me Tahirin si meXhafen kur thonin gazetaret u mbush shqipria me droge ishit ju qe thoshit droge ka pasur per here, tani qe ju mbaroj mbrojtja per Xhafen thoni po sulmohet reforma ne drejtesi . Po vellai i Xhafes nuk eshte I denuar 7 .2 vjet? Po TAHIRI nuk eshte ne arrest shtepie per TRAFIK DROGE? TURP EDHE NJE HERE TURP TE KENI.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas