Arkiva 2

Berlini ia mbylli derën kinemasë shqiptare

Kinematografia europiane dominon në Festivalin e Filmit në Berlin, që nis sot, por Shqipëria këtë vit është lënë jashtë Berlinales. Fillimi u duk i mbarë për dy filmat shqiptarë që u seleksionuan në nëntor të vitit të shkoi nga tre selektorë që morën mundimin të vinin deri në Tiranë për të parë 130 filma nga vendet e rajonit e për të përzgjedhur disa prej tyre si kandidatë të mundshëm për t’u shfaqur në Berlin. Nga Shqipëria u përzgjodhën dy syresh. Filmi “Pharmakon” i regjisorit Joni Shanaj dhe “Dita e fundit e Loro Shestanit”, i regjisorit Sokol Keraj. Të dy prodhime të financuara nga Qendra Kombëtare Kinematografike. Por pavarësisht dritës jeshile që iu hap Shqipërisë në seleksionimin final, asnjë prej dy filmave kandidatë nuk e ka kaluar pragun. Shpresa për një qasje të dytë të Shqipërisë në Berlinale është prerë nga gjykimi final i komiteteve përzgjedhëse, që ua kanë mbyllur dyert dy filmave të përzgjedhur paraprakisht nga paraselektorët. Një vit më parë kinemaja shqiptare arriti të parakalonte në tapetin e kuq të Berlinit me filmin “Amnistia”, të Bujar Alimanit, një film me etiketën 100 për qind shqiptar dhe një film që ende nuk është e qartë sesa gjak shqiptar ka, siç është filmi “Falja e gjakut”. Një vit i suksesshëm për kinemanë shqiptare, që ia doli të ishte në qendër të vëmendjes me prezantimin e filmin “Amnistia”, që mori dhe me çmimin e jurisë së kategorisë Forum, por dhe me filmin shqiptaro-gjerman “Falja e gjakut”, që rrëmbeu ‘Ariun e argjendtë’ për skenarin më të mirë. Vitet e fundit organizatorët duket se kanë hequr dorë nga përpjekjet që Berlinale të bëhet si një lloj dritareje kinematografike për botën lindore. Edhe nga Rusia, për shembull, këtë vit nuk prezantohet asnjë film. Pavarësisht mungesave, nga data 9-19 shkurt në Berlin do të prezantohen filma nga Europa, Azia, Afrika dhe Amerika.  Festivali do të hapet me filmin francez “Les Adieux à la reine” (Lamtumira e mbretëreshës), i cili rrëfen jetën në oborrin mbretëror dhe të Maria Antonetës në kohën e revolucionit të vitit 1789;  pasohet nga filmi “Bel Ami”, që sjell në Berlin aktoren Uma Thurman dhe “Afera e Mbretëreshës” e Nikola Arcel-it, me temë për skandalet e Mbretëreshës së Danimarkës në shek. e 18-të. Kina prezantohet me tre filma: “Toka e drenit të bardhë”, që tregon për historinë 1000-vjeçare kineze dhe është vepër e regjisorit Ëang Quan’an, i cili para pesë vitesh ka fituar ‘Ariun e artë’. Filmi tjetër “Lulet e Luftës”, i cili prezantohet jashtë konkurrencës zyrtare, i regjisorit të njohur Zhang Yimou. Në këtë film bëhet fjalë për masakrat e japonezëve në Nanking në vitin 1937. Filmi është dhënë në Kinë dhe është shpallur prej shtypit perëndimor si nacionalist. Nga vendet aziatike spikasin filma nga Filipinet dhe Indonezia. Ndërsa Afrika prezantohet me një film nga Senegali. Amerika në konkurrimin zyrtar ka ardhur në Berlin vetëm me një film. Regjisori dhe aktori Billy Bob Thornton shtjellon në filmin e tij “Jayne Mansfield’s Car” një dramë familjare në ShBA nga fundi i viteve 1960. Megjithatë, në Berlinale do të ketë edhe yje nga Hollivudi. Priten Robert Pattinson, Christian Bale, Uma Thurman, Michael Fassbender dhe Keanu Reeves. Nuk do të mungojë as Angelina Jolie, e cila do të prezantojë filmin e saj të parë si regjisore, “In the Land of Blood and Honey” (Në vendin e gjakderdhjes dhe mjaltit), një dramë e frymëzuar nga lufta në Bosnjë-Hercegovinë që ka hapur jo pak polemika. Jashtë konkurrencës zyrtare do të shfaqen edhe filma të tjerë që janë në garë për çmimin “Oscar”, si “Zëshëm dhe tmerrësisht afër“ dhe “Zonja e hekurt” me aktoren Meryl Streep. Ndërsa në konkurrim do të jenë 23 filma prej të cilëve do të zgjidhen dhe fituesit e “Ariut të artë” dhe “Ariut të argjendtë” të Berlinit. Në veçanti interesantë janë filmat që prezantohen në seksionin “Forum” dhe “Panorama”. Janë filma pak të njohur nga vende të ndryshme të botës, por që janë përzgjedhur për tematikën që trajtojnë. Këtë vit në këto dy kategori do të prezantohen më së shumti dokumentarë dhe filma me tematikë politike. Kategoria “Retrospektiva” këtë vit i kushtohet studios gjermano-ruse, kampit të talenteve, aktores së njohur Meryl Streep dhe jubileut 100-vjeçar të studios ‘Babelsberg’. Një Berlinale “Special Trubutë” do të sjellë në kujtesë punën e dy regjisorëve të njohur që u ndanë nga jeta pak kohë më parë, regjisorit grek Theo Angelopoulos dhe regjisorit dhe producentit gjerman Vladim Glowna.

Asnjë regjisor i njohur këtë vit në Berlin



Këtë vit Festivali i Filmit në Berlin mbush 10 vjeç, nën drejtimin e Dieter Koslik, për të cilin thuhet se e ka ngjitur Berlinin në kartën botërore të biznesit të filmit dhe e ka shndërruar këtë qytet në qendër të kulturës botërore në përgjithësi. Kështu, përveç konkurrimit për ‘Ariun’ e Festivalit të Filmit në Berlinal, këtë vit ofrohen edhe manifestime të tjera të rëndësishme. Filmat, aktorët dhe regjisorët që do të prezantohen janë të shumë. “Ndryshimet dhe thyerjet në shoqëri”, do t’i përshtatej tema e këtij viti. Kështu të paktën është shprehur një nga drejtuesit e Berlinales, Dieter Koslik. Në rreth 400 premiera filmash, shumë prej tyre trajtojnë ndryshimet shoqërore. Vitet e kaluara drejtori Kosslick dhe ekipi i tij janë kritikuar ashpër për shkak të mungesës së kualitetit të filmave që prezantohen në Berlin. Në mesin e regjisorëve nuk ka thuajse asnjë emër tepër të njohur. Ata ende i japin përparësi Festivalit të Kanës. Ndërsa Hollivudi kohët e fundit është paraqitur shumë rrallë në Berlin. Të gjitha këto janë komentuar si mangësi për Festivalin e 62-të të Filmit në Berlin, që këtë vit mbahet nga data 9-19 shkurt. 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas