Kryesore

Berisha pezullon Prendin: Ina Rama element i skenarit të 21 Janarit

Kryeministri Berisha pezulloi  nga detyra Komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi pak orë pasi prokuroria urdhëroi arrestimin e tij, në bazë të ekspertizës  së FBI-së.  Prokuroria akuzoi Ndrea Prendin për njërën nga vrasjet e ndodhura në bulevard, më 21 janar të vitit 2011-të. Ai akuzohet se ka vrarë protestuesin Faik Myrtaj. Në vend të tij emërohet nënkolonel Artan Hoxha.  Lajmi për pezullimin e Prendit është bërë publik për mediat nga zëdhënësja e kryeministrit, Erla Mëhilli, e cila deklaroi se kryeministri Berisha ka besim në zbardhjen e plotë të kësaj cështje.
“Në respektim të vendimit të Gjykatës së Tiranës, kryeministri ka vendosur pezullimin nga detyra të gjeneral Ndrea Prendi dhe të komandojë në këtë detyrë nënkolonel Artan Hoxha. Kryeministri, ndonëse ka denoncuar publikisht qëndrimin politik dhe bashkëpunimin direkt të kryeprokurores në skenarin e përmbysjes me dhunë të qeverisë legjitime, ka besim të plotë në vlerësim nga sistemi ynë i drejtësisë dhe gjykimin e rrethanave në të cilat, pas pesë orës sulmi të dështuar ndaj kryeministrisë mbetën 4 viktima dhe u plagosën qindra qytetarë, policë dhe anëtarë të Gardës. Ai mendon se zbardhja e plotë e ngjarjeve tragjike të 21 janarit është një kusht madhor për dominimin e ligjit dhe Kushtetutën në vendin tonë”, komunikoi Mëhilli. Sipas Berishës, siç tha Mëhilli, në prokurori janë prishur shumë prova për 21 janarin, ndërsa vetë kryeprokurorja Ina Rama ka bashkëpunuar me liderin e opozitës Edi Rama. Mëhilli tha më tej se, prokurorja me të gjitha këto lë të kuptohet se, “Ajo vetë ishte element thelbësor i skenarit të 21 janarit 2011-të”.
“Kryeministri duke garantuar qytetarët me vendosmërinë e qeverisë për respektimin e plotë të pavarësisë së gjyqësorit dhe zbatimin e ligjit, informon shqiptarët se Prokurorja e Përgjithshme gjatë këtij viti jo vetëm nuk ka marrë asnjë masë ndaj atyre që organizuan, sponsorizuan dhe realizuan sulmin ndaj Këshillit të Ministrave, por në prokurori janë prishur, zhdukur dhe shitur prova dhe dëshmi të shumta të këtij hetimi. Prokurorja e Përgjithshme sic dihet tashëm, ka bashkëpunuar që në fillim në këtë proces me kreun e Partisë Socialiste, duke e informuar atë me hollësitë më të mëdha për shkaqet e dështimit të aktit antikushtetues”, tha Mëhilli.



PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas