Kryesore

Berisha: Nuk garoj për president, Meta në qeveri po ma kërkoi LSI

Intervistoi: Sonila Meçe



E keni mbyllur vitin 2011 me jo pak optimizëm për çka është arritur. Po nëse do ju pyesja në daljen e parë në një intervistë për këtë vit, 2012-ta është një kërcënim apo premtim?

2012-ta është një shpresë, një besim, një premtim. 2011-ta kaloi testin, ishte realisht një vit-test, sepse Shqipëria ra në një lloj rrethimi nga kriza ku partnerët kryesorë tregtarë të saj u prekën në shkallë të ndryshme nga kriza e borxheve të euros. Por viti 2011, me gjithë këto vështirësi në rrafshin ekonomik e tejkaloi pritshmërinë time. Dy faktorë kanë qenë të pafavorshëm, njëri kriza europiane, faktori i dytë kanë qenë zgjedhjet. Viti zgjedhor nuk është asnjëherë një vit i përshtatshëm për performancën e qeverisë.

Lidhet me cilësinë dhe standardet e zgjedhjeve, apo me zgjedhjet si procedurë?

Kjo lidhet me zgjedhjet si proces. Për sa i përket standardeve, zgjedhjet janë të parat që u cilësuan transparente dhe kompetitive, ato ishin një test i shtetit ligjor, një test i fuqishëm më i madh, më i rëndësishmi i shtetit ligjor në këto 20 vite në fushën elektorale. Një test që takohet shumë rrallë në vende, se një rezultat shumë i ngushtë përbën testin me bazë të funksionimit të shtetit ligjor. Nuk mund të them se në një vit zgjedhor më shumë seç duhet që përqendrohet në zgjedhje dhe rezultatin e tyre. Ajo çka mund t’ju them, ky ishte viti kulmor i sigurimit të të ardhurave buxhetore nga Shqipëria. Pra, ne mbyllëm vitin 2011 me një realizim prej 287 miliardë lekësh, kundrejt 271 miliardëve që ka pasur viti 2010, jo vit elektoral, kundrejt 255 miliardëve të ardhura në dogana e tatime që ka pasur viti 2009, kundrejt 250 miliardëve që ka pasur në vitin e rritjes kulmore ekonomike, viti 2008.

I qëndroni idesë për të respektuar Kushtetutën edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit?

Absolutisht po…

Mendoni që krijoni kosto politike në marrëdhëniet me Presidentin?

Absolutisht asnjë lloj kosto politike. Presidenti duhet të jetë njeri i Kushtetutës. Në qoftë se Presidenti koncepton rolin e tij si një luftë me mazhorancën, ai bën një luftë me mullinjtë e erës. Nëse e konsideron veten që nuk ka punë me mazhorancën, ai faktikisht rri si në kafaz.

Aq më mirë që nuk ka punë me mazhorancën?

Nuk është problemi me rastin konkret, sepse ai iku. Por merita e Presidentit është të negociojë, të gjejë ekuilibra, të përpiqet midis palëve. Presidenti është kryeministri i drejtësisë, por për emërimet që ka nga Parlamenti, Presidenti detyrimisht i negocion. Sepse Kushtetuta nuk ia lejon Presidentit…

Po a ka një shkelje kushtetuese që nuk ka negociuar?

Presidenti është në 6 muajt e fundit të tij dhe preferoj që të mos flas. Ta lëmë këto 6 muaj.

Mund të prodhojnë ngërçe këto muaj, u referohem edhe emërimeve të ambasadorëve?

Zotëria është në 6-mujorin e fundit. Nuk më duket i fisshëm ky qëndrim që mbahet në mediat e vendit duke e shndërruar atë në një gjë të pakamur…Unë jam për respektimin e institucionit të Presidencës, pavarësisht se kush është aty. Presidenti e ka zgjedhur në mënyrën më ekzemplare qëndrimin e tij. Zgjedhja e tij ishte unike. Sa vuri ndenjëset në atë karrige, nuk pyeti më as se ekziston mazhoranca.

Çfarë prisnit të bënte?

Prisja të bënte atë që duhet të bënte. Duhet të ishte një negociator i fuqishëm për të gjitha problemet… Kjo nuk ka rëndësi për mua, sepse ai bëri një zgjidhje që nuk iu imponua. Është problem tërësisht i tij. Por cili është rezultati? Në qoftë se nënkuptohet se Presidenti është në atë funksion për të bllokuar veten e tij, ajo është një gjë tjetër. Ky është koncepti më primitiv. Pushteti nuk është kurrë për t’u bllokuar. Duhet të ushtrohet sipas ligjeve.

Do të jetë kandidatura zyrtare e PD-së një figurë e lartë politike për Presidencën, dhe kur do të bëhet publike?

Presidenti do të jetë figurë politike. Nuk shkon aty as për të shkruajtur romanin, as për të luajtur futboll, shkon për të bërë politikë në përputhje me Kushtetutën e vendit.

Do të jetë nga PD-ja kjo kandidaturë?

PD-ja ka jo një, por disa drejtues të shkëlqyer për atë punë.

Një nga drejtuesit do të jetë?

Pa diskutim.

Kur do të zyrtarizohet?

Do të zyrtarizohet sapo të hapet gara…

Lexoja në shtyp intervista edhe të deputetëve të PD-së, të cilët kanë filluar edhe emrin tuaj ta lançojnë si kandidaturë të mundshme…

Këta miq të mi nuk e kanë të qartë shumë që kundërshtarët e tyre mezi po presin ta shohin Sali Berishën kandidat për president, por nuk do ta shohin, jo. Kam qenë President i Republikës. Në këto ndryshimet që janë bërë, unë i qëndroj atyre zotimeve që u kam dhënë shqiptarëve. Kam bërë një fushatë elektorale dhe kam premtuar një dy, tre, katër, pesë madje kam premtime edhe deri në 2017, por si president nuk i mbaj dot….

Pra, Sali Berisha nuk do të jetë kandidat i PD-së për president?

Jo. Për këtë është e sigurt dhe të garantoj. Nuk do të jem sepse…

A mund të jetë Topalli?

Në këtë moment, Sali Berisha mund të flasë vetëm për veten e vet. Më vonë do të flas për shumë të tjerë. Por tani, sa e fisshme është që duke pasur Presidentin në detyrë të marrim dhe të nxjerrim kandidat për president…Nuk do të ketë asnjë. Do të rrijë gjashtë muaj sa e ka afatin. Kandidati do të shfaqet në skenë atëherë kur e thotë Kushtetuta. Ky është një proces serioz, dhe jo kuriozitetesh mediatike…

Pra nuk do të ketë asnjë lloj procesi konsensual që do ta shoqërojë…?

Për atë pyet z.Rama. A është i gatshëm ai që të pranojë kandidaturën e PD-së? Unë pranova kandidaturën e tij për Avokatin e Popullit.

Ka disa deklarata për krijimin e një force të re të djathtë…Topi do t’i bashkohet sapo të lërë mandatin e Presidentit. Ju shqetëson ky fakt, për faktin se deputetë aktualë të saj mund të bëhen pjesë?

I përkas atij grupi shqiptar që themeloi pluralizmin politik dhe këtë e quaj arritjen e jetës sime, çka do të thotë se e drejta e çdo qytetari për të krijuar çdo formacion politik është një e drejtë që unë e respektoj plotësisht. Secili bën zgjedhjen e tij.

A mund të ketë tkurrje të elektoratit tuaj?

Këtë do ta shohim në zgjedhje se kujt do t’i tkurret.

Ka eksponentë që do i bashkohen?

Në 2009, ¼ nuk kandiduan…

Mund të jenë të pakënaqurit?

Absolutisht janë në PD. Mund të ketë ndonjë të pakënaqur…E rëndësishme është që ky është një vend i lirë.

Mund të bëni koalicion edhe me këtë forcë të re politike?

Me inekzistenten nuk mund të bëj…

Mund ta bëjë Rama në 2013-ën, siç bëri Meta me ju, me partinë e Topit?

Po ai (Rama) zihet me xhaketën e tij.

Ai bën projektin e Rilindjes Kombëtare…

Ai i ka hyrë një procesi të shkatërrimit me sukses të PS-së. Kjo është e vërteta… Në 2013 do të kemi koalicionin më të madh që ka parë vendi.

Sa i frytshëm ka qenë koalicioni që po funksionon? A e përmbushi qëllimin e asaj që u krijua në krye të herës?

Unë mendoj se ky koalicion përmbushi plotësisht qëllimin dhe të gjitha arritjet e këtij mandati janë shumë edhe produkt i këtij koalicioni dhe funksionimi të tij. Por duhet të theksoj këtu që është në karakterin tim, në natyrën time një luajalitet i plotë për anëtarët e koalicionit dhe të njëjtën gjë kam gjetur dhe tek partitë në koalicion. Kështu që koalicioni ka funksionuar absolutisht pa asnjë problem madhor.

Ka një vendim drejtësie që pritet të dalë për kryetarin e LSI-së?

Mendoj se lideri i partisë së koalicionit ka dhënë një shembull të shkëlqyer në vlerësimin tim. Iu nënshtrua një procesi mbi bazën e një dokumenti të prerë dhe të ngjitur 28 herë. Dha dorëheqjen. Shkoi para prokurorëve si qytetar, i kërkoi Gjykatës së Lartë sepse ekzistonin disa lloj variantesh të mundshme, por kërkoi më thelbësoren, kërkoi që të gjykohet në thelb për këtë çështje.

Ka një pretencë sot?

E vërteta është që Meta i kërkoi gjykatës që të ndryshojë spektrin ose lëndën e gjykimit dhe gjykata e pranoi, u tregua e përgjegjshme. Meta i është përgjigjur në mënyrën më të civilizuar kërkesës së Gjykatës së Lartë. Nuk i ka bërë asnjë paragjykim. Ka pasur probleme të drejta me prokurorinë e cila për hir të së vërtetës, ka mashtruar Kuvendin me shkresë, me një dokument dhe pavarësisht nga kjo, nuk ka asnjë keqardhje heqja e imunitetit të Metës, sepse të dhënat e mëvonshme faktuan qartë dhe katërcipërisht se kuvendi është mashtruar dhe nuk i është thënë e vërteta për ato çështje. Por është drejtësia që t’i nxjerr dhe e nxori këtë problem. Ky qëndrim i bën nder Metës si politikan dhe pranimi nga ana e gjykatës për ta shqyrtuar në materie çështjen i bën nder asaj.

Ka një pretencë dhe pritet një vendim gjykate. A do të jetë Meta pjesë e qeverisë në rast se del i pafajshëm?

Vendimi i drejtësisë është vendim i saj dhe pa diskutim që do të respektohet, por Meta deri sa të jepet vendimi është i pafajshëm dhe z.Meta ka deklaruar se do të respektojë vendimin dhe ka besim të plotë në gjykimin objektiv të gjykatës. A do të jetë z.Meta pas vendimit të gjykatës në qeveri apo jo, kjo është çështje e LSI-së dhe jo çështje e imja. Kjo është çështje e asaj partie aleate me të cilën unë bashkëqeveris.

Po citoj Henri Çilin, i cili ka bërë dy artikuj që kanë qenë brenda së njëjtës logjikë, por ka bërë këtë pyetje duke marrë shkas edhe nga një intervistë për mandatin e tretë qeverisës: Çfarë do të ishte ajo gjë, ai moment historik që do ta bënte Berishën të kërkonte mandatin e tretë?

Shqipëria e zhvilluar. Shumë e thjeshtë… unë nga mëngjesi deri në darkë, çdo ditë po flas për Shqipërinë e zhvilluar…

Do kërkonte një kërcim që të sfidonte gravitetin për të shkuar deri aty…

Por e kuptoni ju që shumica e lëvizjeve kanë qenë kuantike gjatë këtyre viteve, se lëvizje kuantike është që të arrish nga 4.8% në mbi 50% në penetrimin e internetit, se lëvizje kuantike është që të arrish të dyfishosh rrogat, se lëvizje kuantike dhe jolineare është që të arrish të dyfishosh të ardhurat, duke përgjysmuar taksat. Shqipëria pra, është absolutisht për ata të cilët duan ta vlerësojnë objektivisht. Nuk është një lëvizje e thjeshtë mekanike, por realisht kuantike…

 

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas