Aktualitet, Politika

“Më mirë vizitë e gjymtuar se një hiç vizitë”

berishaaaaaa“Do shkoja në Beograd po t’i interesonte Kosovës dhe nuk do shkoja në Beograd nëse nuk do t’i interesonte Kosovës, por do të pranoj këtu se kjo vizitë kryhet në një kontekst krejtësisht tjetër kohor”

 



Ish-kryeministri Sali Berisha ishte mjaft aktiv dje në rrjetet sociale dhe në media, duke komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Serbi.

Në reagimin e tij të fundit online, Berisha ka kritikuar sjelljen e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç ndaj homologut të tij shqiptar.

Sipas Berishës, Vuçiç e quajti me të padrejtë Ramën provokator dhe se ai është përgjegjës për ofendimin e mysafirit para mbarë shqiptarëve me mosvënien e flamurit tonë kombëtar në aeroport. Berisha shprehet se gabimi i Ramës gjatë konferencës ishte se nuk kërkoi troç nga Beogradi njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë në prononcimet e djeshme për mediat vizive, ish-kryeministri Berisha tha se vizita e Ramës ishte e gjymtuar, por më mirë se sa fare vizitë.

“…Më duhet të them se kjo është një vizitë e gjymtuar. Së pari, ju më shtruat pyetjen nëse duhej bërë vizita. Duhet bërë vizita dhe vizita të nivelit të lartë. Nënshkrimi i marrëveshjeve të Kosovës me Serbinë ka hapur dyert për një kapitull të ri midis shqiptarëve dhe serbëve dhe në këtë kontekst, vizitat e nivelit të lartë dhe më të lartë janë plotësisht të mundshme, të pëlqyeshme dhe të inkurajuara. Por vizitë si kjo e Edi Ramës, që u shty 6 herë sepse neo-jugosllavët që e përgatitën këtë vizitë nuk kishin hallin e kreut të ekzekutivit shqiptar. Hallin e kishin tek Beogradi si epiqendër e parajsës së tyre botërore. Kjo është e vërteta. Pse them që kjo vizitë është e gjymtuar? Ai shkoi si një këlysh i rrahur në Beograd. Së dyti, në aeroport, në dallim me protokollin e çdo kryeministri tjetër, flamuri shqiptar nuk u vendos në shtyllën që vendosen flamujt e kryetarëve të shteteve dhe kryeministrave që e vizitojnë këtë vend. Pra ishte një dackë që në pritje…”, – tha ai.

Më tej Berisha analizoi fjalën e kryeministrit Rama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Vuçiç.

“Foli për Preshevën. Shumë mirë! Por ama Rama nuk di një gjë. Që më shumë shqiptarë ka në Serbi sesa në Preshevë. Nuk shqipëroi një fjalë për liritë dhe të drejtat e tyre, nuk shqipëroi një fjalë për liritë dhe të drejtat e shqiptarëve në Novi Pazar dhe në të gjitha zonat e tjera. Sigurisht Presheva përbën problemin më madhor të shqiptarëve në Serbi, por nuk mund të injorohen. Pasi, nëse në Preshevë janë 130 mijë, në mbarë Serbinë janë rreth 300 mijë shqiptarë dhe nuk mund të kapërcehen në këtë mënyrë. E gjitha kjo pra vjen si kuadër i përgatitjeve nga neo-jugosllavët, të cilët ishin më të interesuar për suksesin e Beogradit, për shkak të problemit shpirtëror, pasi ata ndjejnë Beogradin si epiqendër tokësore të tyre, dhe e nxorën Ramën, nuk mund të them me këpucë të kuqe, por përafërsisht me këpucë të kuqe…”, – tha ai.

Ish-kryeministri argumentoi edhe arsyet se pse ai nuk ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Serbi.

“E tërë politika ime ka qenë një dhe vetëm një; në funksion të Kosovës. Unë e kam patur shumë të përcaktuar. Do shkoja në Beograd po t’i interesonte Kosovës dhe nuk do shkoja në Beograd nëse nuk do t’i interesonte Kosovës, por do të pranoj këtu se kjo vizitë kryhet në një kontekst krejtësisht tjetër kohor. Cili është konteksti? Këta, pavarësisht nga qëndrimet e tyre evidente dhe publike, jo shumë të favorshme, por ky grup udhëheqësish në Serbi ka firmosur marrëveshjet me Kosovën dhe për këtë, unë absolutisht kam vlerësimin më të madh dhe këto marrëveshje që janë firmosur në Bruksel kanë hapur mundësinë plotësisht të këtyre vizitave, kanë hapur mundësinë edhe të vizitave të tjera, kanë hapur mundësinë reale të bashkëpunimit, kanë hapur mundësinë dhe domosdoshmërinë që dy kombet tona, në shembullin e kombeve të qytetëruara të Europës, të bëjnë çdo gjë për të kapërcyer të shkuarën”, – tha ai.

I pyetur se çfarë sjell kjo vizitë për rajonin, Berisha u përgjigj: “Kjo vizitë mbeti në stadium. Ju thashë, ata, dy kryeministra, përfunduan sikur të ishin Duka dhe homologu i tij serb. E zhvlerësuan vizitën në shkallën më maksimale, ata mbetën në ndeshje. Tani i bie që të merret UEFA me të…Pavarësisht nga këto, është një hap përpara. Unë, në vlerësimin tim, pavarësisht nga tonet agresive të Vuçiçit se Rama provokoi e provokoi, ai është një qëndrim që buron nga shpirti i tij ultranacionalist, në të cilin ekziston edhe shpirti pragmatik, se e theksoi ai pragmatizmin dhe besoj se vizita, mendoj unë, përbën një hap pa diskutim në zhvillimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë…”.

Ai theksoi se serbët bënë një ulje në nivelet e pritjes së kreut të ekzekutivit shqiptar sa kohë që Ramën nuk e priti Presidenti Nikoliç. Por pavarësisht kësaj, Berisha shtoi: “…Do thoni ju, nëse më mirë një vizitë e gjymtuar apo një hiç vizitë? Do ju thosha Jo, më mirë një vizitë e gjymtuar”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas