Kryesore, Politika

BE: Shqipëria, nevojë kritike për reforma! Bushati “mburret” me punën e Xhafajt

Këshilli i Stabilizim-Asocimit në BE i kërkon Shqipërisë vijimin e reformave në sistemin e drejtësisë nëpërmjet vettingut dhe rezultate domethënëse në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. BE dhe ministri Bushati vlerësojnë operacionin e fundit të policisë kundër krimit të organizuar. Hapja e negociatave, e lidhur ngushtësisht edhe me bashkëpunimin ndërpartiak në Shqipëri.

Këshilli i Stabilizimit dhe Asocimit (KSA) mbajti takimin e dhjetë ditën e djeshme midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Vendi ynë u përfaqësua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ndërsa delegacioni i BE-së u udhëhoq nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë të-BE-së, njëkohësisht zëvendës.presidente e Komisionit, Federica Mogherini. Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit Johannes Hahn përfaqësoi Komisionin Europian. Leximet për sukses apo dështim të Shqipërisë në vijimin e reformave që do i hapin rrugën marrjes së vendit kandidat për në BE mund të lexohen të ndryshme, por KSA ishte e qartë, duke i vënë theksin nevojës kritike të Shqipërisë për të vijuar me reformat e nisura, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, bëhet me dije se: “Këshilli vuri pozitivisht në dukje Raportin e Komisionit Europian të vitit 2018, i cili rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, në dritën e progresit të arritur, duke ruajtur dhe thelluar ritmin aktual të reformave”, thuhet në reagim. Viti i ardhshëm do jetë prova e madhe nëse Shqipëria do e marrë ose jo statusin e vendit kandidat për në BE, ndërsa gjithçka duket se varet si nga reformat e brendshme, ashtu edhe koniunkturat dhe pasigurinë që vetë familja e madhe BE po kalon mes 28 vendeve anëtare.



Vettingu, “guri i rëndë” i themelit…

Në analizën që zyrtarët e lartë të BE-së i bënë Shqipërisë në lidhje me kriteret e vendosura, iu kushtua vëmendje e veçantë në diskutim reformës në drejtësi dhe konkretisht procesit të vettingut nga i cili kërkohen të dhëna domethënëse. “BE-ja përsëriti nevojën kritike që Shqipëria të ruajë dhe të thellojë ritmin aktual të reformave, të konsolidojë më tej progresin e bërë në reformën gjyqësore, në veçanti përmes procesit të vettingut, dhe të shënojë rezultate të tjera të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet dhe në luftën kundër krimit të organizuar, veçanërisht kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave, duke pasuruar rezultatet pozitive që janë arritur në luftën kundër kultivimit të kanabisit gjatë kësaj periudhe”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Gjithashtu, organizmat europianë nuk anashkaluan operacionet e kohëve të fundit në luftën kundër krimit të organizuar të kryera nga policia në bashkëpunim edhe me prokurorinë, ndërsa u kërkua që të vijojnë përpjekjet për konfiskimin e aseteve kriminale, si dhe të garantohet ndjekja e duhur gjyqësore e operacioneve të suksesshme të zbatimit të ligjit. Edhe pse nuk u komentua me emër të përveçëm, operacioni “Vol-vo 4” e kryer dy javë më parë që çoi në pranga 34 persona mes të cilëve edhe dy ish-deputetë të Partisë Socialiste duket se ka krijuar jehonë jo të vogël në zyrat e Brukselit. Tashmë po kërkohet që aksione të ngjashme të mos mbesin vetëm në kuadrin e fushatave, por të ketë vijimësi. “Delegacioni i Shqipërisë ritheksoi angazhimin e fortë për të vazhduar të japë rezultate konkrete në agjendën e reformave dhe në veçanti për çështjet që lidhen me shtrirjen e sundimit të ligjit. Ai theksoi se rezultatet e arritura nga Shqipëria në fushën e sundimit të ligjit përbëjnë një bazë solide për avancimin e mëtejshëm të integrimit në BE”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Duke u ndaluar në situatën politike në vend është kërkuar bashkëpunim ndërpartiak. “BE-ja ritheksoi se dialogu konstruktiv ndërpartiak dhe bashkëpunimi në Kuvendin e Shqipërisë janë thelbësorë për përparimin e mëtejshëm të reformave dhe për qëndrueshmërinë e përgjithshme të angazhimit në procesin e integrimit në BE. Në këtë kontekst, BE theksoi rëndësinë e ndjekjes në mënyrë të vazhdueshme të dialogut gjithëpërfshirës politik, ndërkohë që avancohet puna teknike në të gjitha komisionet relevante parlamentare, përfshirë atë në Komitetin ad hoc për reformën zgjedhore”, -theksohet ndër të tjera. Këshilli i Stabilizim-Asocimit përshëndeti gjithashtu pjesëmarrjen e vazhdueshme të Shqipërisë në nismat dhe strukturat rajonale në Europën Juglindore si dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe qëndrimin konstruktiv rajonal.

Bushati “mburret” me punën e Xhafajt

Krahas deklaratës së përbashkët të KSA-së dhe Shqipërisë në një konferencë shtypi mbajtën fjalën e tyre eurokomisioneri për zgjerimin Johannes Hahn dhe përfaqësuesja për Politikë të Jashtme në BE, Federica Mogherini. “Shqipëria vazhdon të luajë një rol konstruktiv në rajon. Kemi qenë të vendosur për t’iu dhënë prioritet operacioneve në fushën e sigurisë. Marrëveshja mes vendeve të Ballkanit perëndimor dhe Europës është strategjia me të cilën po ecin vendet. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Shqipërinë për të plotësuar të gjitha kushtet. Ne mbetemi të vendosur që 2019 të jetë vit i suksesshëm për Shqipërinë ashtu siç dëshirojnë qytetarët shqiptarë”, -tha ajo. Ndërkohë ministri Bushati theksoi se në kuadër të procesit të integrimit, qeveria “Rama” është e hapur dhe e gatshme për dialog me forcat e tjera politike. “Gjatë diskutimeve në takimin e 10-të të Stabilizim-Asocimit, dhamë mesazhin për të mbajtur hapur derën për bashkëpunim me forcat politike. Jemi pro reformave. Në qershorin e 2019-ës bashkë me KE dhe vendet e BE të punojmë të gjithë së bashku, që këtë histori ta kthejmë në histori suksesi”, -deklaroi ministri Bushati. Por më shumë se fjalë të përzgjedhura diplomatike, me premtime dhe slogane për bashkëpunim, Bushati u ndal në çështje konkrete, pikërisht mbi operacionin e fundit “Vol-vo 4” të kryer nga ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. “Operacionet për goditjen e bandave janë inkurajuese dhe më vjen mirë që përfaqësuesja e lartë e BE e përmendi këtë fakt. Instancat ligjzbatuese janë në një front. Do të vijojmë më tej dhe me zbatimin e ligjit për respektimin e të drejtave të pakicave kombëtare. Çështje e dytë të cilët ndajmë një pikëpamje të plotë me BE ka të bëjë me rolin e Shqipërisë në rajon. Faktin që Shqipëria e linjëson qëndrimin e saj me BE nuk është proces mekanik, është një proces që buron nga zgjedhjet strategjike”, theksoi Bushati. I gjithë takimi u karakterizua nga vlerësime, por më e rëndësishmja mbetet “lupa” e madhe që BE ka vendosur për të parë imtësishëm lidhet me procesin e vettingut dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këto dy çështje janë çelësi që do hapë ose do lërë mbyllur ende për një kohë të pacaktuar integrimin e Shqipërisë drejt BE-së.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas