Editorial

BE për Teatrin nxori në pah mëkatin origjinal të qeverisë, mungesën e garës

Nga Ervis Iljazaj

Çështja e Teatrit Kombëtar ka qenë ndoshta çështja më e rëndësishme politike e muajve të fundit. Në mënyrë paradoksale, e gjithë politika e zhvilloi betejën e saj mbi prishjen ose jo të Teatrit. Është një çështje e rëndësishme sigurisht, por është absurde që Teatri Kombëtar të marrë të gjithë vëmendjen e politikës shqiptare. Ndërkohë që, çështje të tjera që kanë të bëjnë në mënyrë të drejtpërdrejtë me jetën e qytetarëve si reformat ekonomike dhe shoqërore, kanë ngelur pezull.



Si përfundim erdhi vendimi i arbitrit për këtë çështje, si zakonisht në këto raste ku situatat konfliktuale dhe mosmarrëveshjet politike shqiptare zgjidhen nga vendimet e aleatëve ndërkombëtarë. Në rastin konkret i Bashkimit Europian.

Vendimi i BE për Teatrin, detektoi në të gjithë këtë histori, vetëm një element thelbësor. Atë të mungesën së garës dhe konkurrencës për projektin e Teatrit të ri.

Në fakt, ky është mëkati i origjinal i qeverisë në këtë rast dhe në përgjithësi i kohëve të fundit. Ka një politikë të qeverisë Rama ku bashkëpunimi me privatët, apo e famshmja partneriteti privat publik, që karakterizon filozofinë e qeverisjes të mandatit të dytë të saj, bëhet në mënyrë arbitrare.

Ose, ashtu sikurse Bashkimi Europian e theksoi në vendimin e tij për Teatrin, nuk ka garë, dhe si pasojë, cenohet liria ekonomike, e cila është një princip kushtetues i patjetërsueshëm.

Është e këshillueshme që qeveritë për shërbime të ndryshme të bashkëpunojnë me sektorin privat, pasi dihet që një bashkëpunim i tillë është më efikas sesa shërbimet që ofrojnë zyrat shtetërore. Mirëpo, nëse qeveria e bën këtë në mënyrë arbitrare dhe pa garë, atëherë, është e njëjta gjë sikur ato shërbime t’i ofronte vetë. Dhe, një mënyrë e tillë etatiste, është padyshim një hap mbrapa në instalimin e tregut të lirë dhe kapitalizmit në Shqipëri.

Por, vendimet arbitrare të qeverisë në këtë aspekt, janë gjithmonë e më shumë duke u shndërruar në një sistem, gjë e cila duhet të na shqetësojë të gjithëve.

Prandaj, fokusi kryesor për çështjen e Teatrit, ashtu sikurse qartësisht BE e theksoi, është mungesa e konkurrencës.

Ndërsa, për Teatrin Kombëtar, u fol dhe u stërfol pa fund, për çështje të ndryshme dhe në mënyrë kakofonike. Artistë që shqetësoheshin jo për kulturën, por për korrupsionin e mundshëm në këtë histori, duke dalë totalisht nga natyra e tyre, e duke u marrë me punët e financave dhe korrupsionin. A thua se, shqetësimi i tyre kryesor ishte mirëqeverisja në Tiranë, dhe jo çështja e trashëgimisë kulturore. Apo njerëz të medias, që bënin ekspertin e trashëgimisë kulturore, dhe nuk fokusoheshin tek ajo që dinë të bëjnë më mirë, të kërkonin llogari për mungesën e garës.

Kështu që, në të gjithë historinë e Teatrit kishte dy çështje të ndryshme, të cilat nuk u trajtuan asnjëherë siç duhej. Çështja e trashëgimisë kulturore dhe prishja ose jo e Teatrit, është një debat më vete, dhe çështja e mungesës së garës dhe korrupsionit të mundshëm, një debat tjetër.

Të dyja ato u trajtuan së bashku, duke krijuar kakofoni në opinion publik shqiptar. Sepse, mund të ketë nga ata njerëz që janë dakord me prishjen e Teatrit dhe me ndërtimin e një të riu, por, ishin kundra sepse i shqetëson korrupsioni dhe mënyra se si ai do të ndërtohet.

Në këtë kuptim, trashëgimia kulturore dhe mënyra e ndërtimit të Teatrit të ri, shkuan si dy çështje të lidhura me njëra-tjetrën, duke lënë të paqartë një pjesë të madhe të opinionit publik. Ndërkohë që, janë dy çështje totalisht të kundërta.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas