Ekonomi

BB: Koncesionet kërcënim! Skeptikë për TVSH-në e biznesit të vogël

Banka Botërore konfirmoi se ekonomia shqiptare u rrit me 3.8 për qind vitin e kaluar e mbështetur nga investimet private dhe rritja e konsumit.

“Rritja ekonomike është forcuar, papunësia ka rënë dhe pjesëmarrja në tregun e punës është rritur. Pra, ka patur disa lajme pozitive, por Qeveria duhet të vazhdojë thellimin e reformave që ka në proces”,- deklaroi Maryam Salim, drejtore e BB për Shqipërinë.



Për shkak të rritjes së punësimit vitin e kaluar popullsia që jeton me më pak se 5 dollarë në ditë u ul me 1.1 për qind, duke nxjerrë 30 mijë vetë nga varfëria. Por Banka parlajmëroi se rritja ekonomike do të ngadalësohet këtë vit.

“Kjo si rezultat i maturimit të investimeve të huaja direkte në sektorin e energjisë, konkretisht TAP-i dhe Hidrocentrali i Devollit”,- u shpreh Hilda Shijaku, kryeekonomiste e BB për Shqipërinë.

Ndaj Banka i kërkoi Qeverisë të përmirësojë klimën e biznesit dhe të ulë borxhin e lartë publik, i cili kërcënohet edhe nga koncesionet.

“Në Shqipëri duhet të forcohet transparenca e koncesioneve. Të bëhet e qartë cila është strategjia e Qeverisë për investimet dhe cilat janë prioritetet. Gjithashtu duhet të forcohet mënyra se si përzgjidhen projektet që jepen me PPP dhe mënyra se si menaxhohen këto kontrata”,- këshillon Banka Botërore.

Veç rezervave për koncesionet, Banka Botërore u shpreh skeptike edhe për shtrirjen e TVSH-së tek biznesi i vogël, ndërkohë që mbështeti pagesën në rrugën Durrës-Kukës.

“Ne mendojmë që efekti në buxhet i kësaj të ardhure do të jetë i vogël, ndërkohë që barra administrative për organet e taksave do të jetë e lartë”, deklaroi kryeekonomistja e BB për Shqipërinë.

“Pagesa për këtë rrugë është rreth nivelit mesatar të rajonit. Që në fillim është përcaktuar edhe në kontratën e koncesionit të ketë një mekanizëm lehtësues për përdoruesit e shpeshtë.

Vetë Kryeministri tha se, po shikohet se sa do të jetë pagesa për banorët që jetojnë në zonën përreth. Ndërsa, përsa i përket bërjes së rrugës me pagesë, çdo vend në rajon dhe përreth botës ka rrugë me pagesë, e cila shërben për të mirëmbajtur dhe ndërtuar rrugë të reja”,- u shpreh drejtorja e BB për Shqipërinë, Maryam Salim./TCH/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas