Kryesore, Op Ed

Baton Haxhiu replikon me Sali Berishën e Albin Kurtin: Kundërshtojnë pa alternativa

Nga Baton Haxhiu

Tek intervista e tij e fundit në “Opinion”, Sali Berisha, shpalosi pikëpamjet e tij politike rreth idesë së ‘korrigjimit të kufijve’. Sipas tij, kjo ide nuk derivon prej ndryshimeve gjeopolitike në nivel global (lexo: evoluimi i politikave të SHBA-së nën administratën Trump në Ballkanin Perëndimor), por ekskluzivisht prej autoriteteve politike në Serbi dhe ‘argatëve të Beogradit’ në Kosovë. Modifikimi i linjave territoriale në Ballkan, sipas Berishës, është edhe projekt origjinalisht serb edhe domosdoshmërisht do të rezultojë në ‘Serbinë e Madhe’. Berisha vazhdon tutje duke konstatuar se qoftë edhe bashkimi kombëtar midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk duhet të mbështetet nëse formalisht aprovohet edhe nga Serbia. Diskursi i Berishës në Opinion, si zakonisht, karakterizohej nga një retorikë e zbrazët nacionaliste dhe gjuhë agresive por, si rrallëherë këtë radhë edhe përmbajtësisht, nga një gjykim totalisht josubstancial dhe përplot defekte politike.



Së pari, Berisha në mënyrë krejtësisht naive interpreton se korrigjimi i linjave kufitare është rrjedhojë e relacioneve personale Thaçi-Vuçiç. Në thelb, gjatë gjithë intervistës të tij, Berisha i referohet vetëm deklaratave të Koshtunicës, Tadiç, Daçiç apo Vuçiç, duke neglizhuar në tërësi konstelacionin ndërkombëtar në evoluim e sipër që ka mundësuar opsione alternative si bosht për normalizim marrëdhëniesh. Berisha injoron krejtësisht faktin se SHBA-të tashmë nuk e përjashtojnë në mënyrë decizive idenë e korrigjimit të kufijve (lexo: pra, pranojnë këtë skenar) si çelësin për përmbylljen e kontesteve bilaterale Kosovë-Serbi. Po ashtu, një lëvizje e ngjashme në qëndrim gjeostrategjik është krejtësisht e vërejtshme edhe te një pjesë e gjerë e eksponentëve europianë, përfshirë Frederika Mogerinin. Në këtë kuptim, Berisha shfaqet jo vetëm si një lider i shpenzuar në kohë, por edhe totalisht jashtë kohe me gjykim politik: ai operon me retorikë demode nacionaliste të shekullit XIX-XX, pa asnjë referencë te transformimet politike në rrafsh botëror në periudhën Trump. Pra, çfarëdo diskutimi rreth idesë të korrigjimeve territoriale, nuk mund të parashtrohet veç në nivel të ligjërimeve ditore nacionaliste, por duhet të jetë mjaftueshëm i vëmendshëm për rrethanat më të përgjithshme globale.

E dyta, Berisha me qëllim minimizimin e rëndësisë të benefiteve eventuale të korrigjimit të kufijve konstaton se Kosovës nuk i duhet fare njohja nga Serbia. Sipas tij, Kosova mjaftohet vetëm me njohjen nga SHBA-të: të tjerat, si njohja nga Ishujt Faroe, si njohja nga Serbia, për nga pesha politike, vazhdon Berisha, janë të njëjta. Me këtë nivel gjykimi politik, Berisha jo vetëm që nuk reflekton fare pjekurinë e një ish-burrështetasi politik, por nuk është madje as në nivel të një opinionisti mesatar politik. Njohja nga SHBA-të dhe fuqitë e tjera europiane për Kosovën, natyrisht, është e pazëvendësueshme për Kosovën. Sidoqoftë, që nga strategjia e Junkerit ku Kosova figuron në pozicion margjinal për integrim në BE e deri te dështimi për anëtarësim në UNESCO e mungesa e ulëses në OKB, janë indikatorë se mosnjohja universale e shtetësisë të Kosovës është duke prodhuar efekte të rënda politike në përfaqësimin e saj ndërkombëtar. Nëse njëherë shmangia nga OKB-ja ka qenë kusht për shpalljen e pavarësisë të Kosovës, sot anëtarësimi në OKB është kusht për kurorëzimin e shtetësisë. Në këtë variant, mbështetja e Rusisë në OKB është e domosdoshme. Pra, pranimi i këtij fakti nuk ka lidhje me politika filoruse, por vetëm aprovim i një gjendjeje të dhënë në terren dhe njohje e realitetit të ri politik. Berisha, ndonëse u paraqit me qëndrimin e burrështetasit të përgjegjshëm në ‘Opinion’, duke injoruar gjithë këtë kompleksitet rrethanash, në fakt, vetëm zgjodhi rrugën e lehtë të atraktimit të publikut dhe jo versionin e rëndë të zgjidhjes së çështjes.

E treta, Berisha tha se çfarëdo prekje e kufijve në fakt është precedent për të ndërtuar Serbinë e Madhe të ideuar prej pararendësëve të Vuçiç. Këtu Berisha dështon të konceptojë domosdoshmërinë e kompletimit të shtetësisë të Kosovës nga obsesioni i tij permanent për t’u marrë me oponentët politikë. Në fakt, mënyra sesi ai e elaboron idenë e tij është krejtësisht në kundërshtim me frymën e tij të proklamuar pan-shqiptare. Berisha aludon se pjesa më e vlefshme e aseteve të Kosovës është e lokalizuar në Veri të Kosovës (gjë që ai gabimisht e identifikon me komunën e Mitrovicës të Veriut gjatë gjithë intervistës) që nga Liqeni i Ujmanit deri te Maja e Panqecit në Leposavic. Këtu gjithsesi vlen të nënvizohet banaliteti i krahasimit të liqeneve dhe kodrave me të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Në emër të një kodre, fushe dhe liqeni, Berisha është në gjendje të mohojë thelbësisht mundësinë e shpëtimit të 80.000 shqiptarëve në Serbi. Kësisoj, prapa preokupimeve të tij deklarative me fatin e kombit shqiptar, Berisha bie në kurthin e prezervimit të gjendjes ekzistuese të shqiptarëve atje.

Për më shumë, në intervistën e tij së bashku me Kurtin, ai insiston se Kosova dhe Shqipëria duhet t’i avancojnë me nivelin e asistencave financiare në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë. Kjo premisë tregon se qëndrimi i tyre s’është fare i mirëmenduar: asnjë donacion ndërkombëtar s’mund të transferohet në Serbi pa miratim paraprak të Ministrisë të Financave dhe Bankës Popullore të Serbisë atje. Pra, propozimi i tyre është teknikisht i pazbatueshëm, por vetëm demagogjikisht funksional. Për më tepër, këtu vlen të theksohet se në atë intervistë vetë Albin Kurti degradon kërkesën e tij për bashkim të Luginës të Preshevës me Kosovën në kërkesë për asistencë financiare të Kosovës për Luginën e Preshevës. Pozicioni i tyre kundërshtues politik, shpërfaq veçse shkurtpamësi gjeopolitike dhe retorikë të zbrazët nacionaliste.

Në këtë kontekst, mbetet e rëndësisë të veçantë të thuhet diçka edhe lidhur me takimet e fundit të përfaqësuesve politikë nga Kosova dhe Shqipëria lidhur me mundësinë e korrigjimit të kufijve.

Takimi Kurti-Berisha, për shembull, nuk është asgjë tjetër veçse zgjatim i një kulture politike të deprivuar nga çfarëdo norme të qëndrueshme publike dhe çfarëdo parimi të përcaktuar politik. Me fjalë të tjera, takimi në fjalë është produkt i një politike të bazuar në rokada momentale joparimore në praktikë dhe afirmim të narrativave agresive nacionaliste në publik. Ky takim s’mund të kuptohet assesi ndryshe veç nëpërmes një pezullimi të plotë të zotimeve të Kurtit që nuk ndërton bashkëpunime politike pa pajtim paraprak programatik.

Përderisa Berisha barazon të majtën aktuale të Shqipërisë si mbeturinë politike të regjimit komunist, Kurti konsideron se në të është e mbrujtur vetë mundësia për zhvillim të një të majte atdhetare. Përderisa Kurti së voni është prononcuar pro deklarimeve të Ramës në Beograd për pavarësinë, Berisha besonte që ato janë vetëm një ndërhyrje e fuqishme në politikën e pavarur të Kosovës. Përderisa Kurti beson se bashkimi kombëtar është solucioni kryesor për zhvillim të shqiptarëve në përgjithësi, Berisha beson se kjo ishte një formulë ‘pro ruse’ dhe ‘pro serbe’ që iu jep shtysë pretendimeve serbe në rajon. Përderisa Kurti insiston se pavarësia e Kosovës duhet të ndodhë nëpërmes së drejtës për vetëvendosje njëanshëm, qeveria e Berishës pat pranuar edhe konceptin e ‘pavarësisë të kushtëzuar’ në emër të multilateralizmit. Kurti dhe Berisha, pra, janë figura reciprokisht përjashtuese në politikë. Në vetë intervistën e tyre të fundit, Berisha kundërshton paprekshmërinë e tërësisë territoriale të Kosovës pikërisht duke u thirrur në Pakon e Ahtisaarit, përderisa krejt ekzistenca politike e Kurtit i detyrohet kundërshtimit të kësaj platforme politike. Ironia, pra, është që vetë Kurti që ka kundërshtuar tërësinë territoriale të Kosovës, të kodifikuar sipas Ahtisaarit dhe Kushtetutës të Kosovës, sot është shndërruar mbrojtësi i saj kryesor në praktikë. Përkundër divergjencave konceptuale, Kurti dhe Berisha megjithatë përfundimisht janë bashkuar, së pari, nga frika nga humbja e kauzave të tyre historike në rast se skenari i korrigjimit të kufijve zbatohet me sukses dhe eventualisht do të hapte mundësinë objektive për bashkim kombëtar, së dyti, nga pezmi i tyre personal ndaj Presidentit dhe, së treti, nga besimi në të njëjtën metodologji të veprimit politik.

Berisha dhe Kurti vetëm kanë paralajmëruar rikthim në metoda radikale jashtëinstitucionale, kryesisht për shkak të faktit të disfatave të tyre elektorale. Berisha deklaron se Qeveria Rama nuk bie asnjëherë me votë, por me kryengritje popullore dhe rrëzim revolucionar të qeverisë. I shpenzuar në politikë, ai nuk e mendon për perspektivën afatgjatë të Shqipërisë, por për perspektivë afatshkurtër personale. Kurti, ngjashëm, ka paralajmëruar ndërmarrje popullore revolucionare kundër ekipit dialogues edhe pse nuk i ka shteruar paraprakisht mjetet demokratike për këtë gjë në Kuvend. Me parti të ndarë dhe besim elektoral në rënie, Kurti po shfrytëzon çdo sentiment popullor për t’u rifaktorizuar personalisht në skenën politike në Kosovë. Pra, emëruesi i përbashkët i Kurtit dhe Berishës është prioritizimi i profiteve personale elektorale në rrethana delikate politike pa selektim adekuat të mjeteve dhe pa mendim të thellë të efekteve të veprimeve të tyre. Prandaj, përkundër dallimeve politike, unifikimi i tyre nuk është aspak i vështirë. Shqetësues megjithatë mbetet fakti nëse përshkallëzimi eventual i sigurisë publike do të kontribuojë në një klimë aspak të favorshme gjykimi publik.

Në fund, diskutimi lidhur me këtë çështje duhet të parashtrohet edhe në nivel të kontributeve pozitive dhe benefiteve eventuale nga ky proces në tërësi. Kundërshtimi apriori dhe identifikimi i rreziqeve që vijnë nga ky proces është forma më e lehtë e angazhimit në këtë debat. Për këtë do të shkruaj një ditë më gjatë, por thelbi i benefiteve nga ky proces mund të rrumbullakoset si vijon: e para, Kosova lirohet përfundimisht nga një gangrenë territoriale, e cila as nuk është në kontroll të saj as përtej kontrollit të saj – avantazhi i Kosovës është që në çfarëdo rrethane liqeni i Ujmanit dhe komuna e Mitrovicës të Veriut do të mbesin pjesë integrale e territorit të Kosovës; e dyta, Kosova përfundimisht do të marrë rolin aktiv në mbrojtje të qytetarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës dhe të përvetësojë një popullsi prej 80.000 qytetarësh shqiptare në zonë të saj; e treta, Kosova përfundimisht lirohet nga Pakoja e Ahtisaarit dhe çfarëdo mundësie të një entiteti autonom serb në Kosovë apo çfarëdo bllokade institucionale nga ana e minoriteteve serbe në Kosovë; e katërta, Kosova përfundimisht e hap mundësinë objektive për bashkim me Shqipërinë apo zhvillim të lidhjeve të tjera politike me hapësira tjera shqiptare;
e pesta, Kosova fiton me automatizëm mbi 80 njohje ndërkombëtare dhe merr përfaqësinë si shtet në arenën ndërkombëtare me agjendë të qartë për BE (gjë që tash është dukshëm e penguar prej 5 shteteve mosnjohëse); e gjashta, Kosova fiton ulësen në OKB dhe rrumbullakëson përfundimisht shtetësinë e saj dhe subjektivitetin politik në nivel ndërkombëtar. Në këtë kuptim, balancimi i përparësive dhe mangësive të këtij procesi është një formë dukshëm më e komplikuar sesa refuzimi në mënyrën se si Berisha e ka shpalosur në ‘Opinion’. Në çfarëdo rrethane, ideja e korrigjimit të kufijve është më shumë precedent për fuqizim të shtetësisë të Kosovës dhe afirmim të interesave kombëtare në përgjithësi, sesa prelud për Serbinë e Madhe. Me një fjalë, implikimet e këtij procesi janë krejtësisht të kundërta me proklamimet e Berishës në intervistë.

Ky është një moment tepër historik për të operuar me llogari elektorale dhe gjykuar në terma afatshkurtër politikë. Kurti dhe Berisha jo vetëm që janë duke përhapur klimën e kundërshtimit pa alternativë, por edhe bashkëpunimin joparimor pa përmbajtje dhe vizion. Në këtë situatë, të paktën, shoqëria kosovare duhet ta dëshmojë pjekurinë e vet duke kaluar tensionet ditore politike dhe menduar racionalisht në favor të së mirës së përbashkët.

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas