Kryesore, Rusi 2018

“Baste vdekjeprurëse, kush shkon në burg për Skënderbeun?”

Baste vdekjeprurëse për Skënderbeun”. Kështu e nis artikullin prestigjiozja AFP (Agjencia Franceze e Shtypit), që i kishte kushtuar vëmendje të veçantë Skënderbeut dje. Kjo për faktin se kampionët në fuqi të Shqipërisë kanë marrë dënim ekzemplar nga UEFA, më të rëndin në histori sa u përket trukimeve. AFP e cilëson vazhdimisht klubin korçar si më të madhin në vend, ndoshta për shkak të dominimit që ka pasur ai dekadën e fundit.

 



ARTIKULLI I PLOTË Shumë ndeshje të manipuluara me një kosto të madhe në fund: klubi më i madh shqiptar është dënuar me 10 vite përjashtim nga Kupat e Europës, dënimi më i rëndë që ka marrë ndonjëherë UEFA. “Mos e vrisni ëndrrën tonë!”, përgjërohej një qytet i tërë si Korça, ku mijëra mbështetës të ekipit të futbollit vërshuan në rrugë gjatë muajit shkurt, përpara se të jepej verdikti final. Kaq nuk mjaftoi sepse dënimi me 10 vite përjashtim dhe 1 milion euro u la në fuqi edhe nga KAS-i. Kujtojmë që klubi ka një buxhet vetëm 2,5 milionë euro. “Ky dënim është njësoj si një dënim me vdekje”, deklaroi për AFP presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, që shpresoi shumë të merrte pjesë në turet paraeliminatore të Champions-it. Por, ky biznesmen që qëndron në krye të klubit prej vitit 2012, nuk ia doli dot që ta pezullonte vendimin dhe tani pas apelimit të dosjes, do t’i duhet të presë deri në një datë të pacaktuar përgjigjen përfundimtare nga KAS.


BASTE ME SKENARË TË PABESUESHËM
 Në bazë të sistemit të saj të monitorimit të basteve (BBFDS), UEFA ka dalë në konkluzionin se 53 ndeshje të Skënderbeut ishin trukuar që nga viti 2010: ndeshje kombëtare, europiane, madje edhe miqësore. “Ky klub ka trukuar aq shumë ndeshje futbolli, saqë askush tjetër nuk e ka bërë këtë në historinë e ndonjë sporti”. shkruan Komiteti ” Disiplinor i UEFA-s. Skënderbeu këmbëngul për pafajësinë e tij, por gjithsesi, sipas UEFA-s, ndeshjet e kësaj skuadre ofronin skenarë të pabesueshëm.

Më 21 korrik 2015 në Belfast, në fushën e Kruzejdërsit, Skënderbeu ishte në avantazh 2-1 në fund të pjesës së parë në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Europës. Sipas UEFA-s, në fundin e ndeshjes “qindra mijëra euro dhe dollarë” ishin vendosur në baste se deri në fund të takimit do të shënoheshin të paktën katër gola gjithsej. Në fakt, irlandezo-veriorët shënuan 2 gola në kohën shtesë, duke shfrytëzuar gabimet e mbrojtësve dhe portierit të Skënderbeut. “Nëse UEFA nuk do ta hetojë ndeshjen e sotme, do të gabojë”, pati shkruar në rrjetet pas ndeshjes portieri i Kruzejdërsit, Shon O’Nill.

NJË RAPORT MBI THASHETHEME

Ish-pronari i një kanali televiziv dhe pronari i një resorti bregdetar, Ardjan Takaj, 54 vjeç, i hetuar nga UEFA, figuron “me një rol influencues në aktivitetin e paligjshëm të Skënderbeut”. Në moshën 41-vjeçare, Orges Shehi, sapo është emëruar trajner i skuadrës, pasi vari dorashkat në mur. Portieri ishte edhe pjesë e Kombëtares në suksesin që arriti Shqipëria në “Euro 2016” dhe thotë se ndihet i fyer të shohë se si nxihet imazhi i tij nga një raport që sipas Shehit “është i bazuar në fjalë dhe jo në prova”. UEFA i kujton se në ato 46 ndeshje të dyshuara ai ka qenë prezent, por portieri përgjigjet se “futbolli nuk është një shkencë ekzakte dhe gjithmonë shihen gabime edhe më të rënda në fushë”.

Për presidentin Ardjan Takaj, Skënderbeu po paguan vullnetin e UEFAs: “E bën për të promovuar sistemin e saj BFDS. Po e bën këtë në kurriz të një vendi të vogël, sepse nuk ka kurajë që të dënojë një klub perëndimor. E ka marrë vendimin në bazë të dyshimeve të lindura më kot. Në atë raport nuk ka as 1 për qind hetim të mirëfilltë, sepse nuk ka shuma të sakta dhe as emra”, thotë Takaj. “UEFA erdhi në Shqipëri shtatë vite më parë për të kërkuar një hetim të thelluar, por mungoi bashkëpunimi me autoritetet vendëse”, thotë Artan Shyti, prorektor në universitetin “Marin Barleti” dhe president i shoqatës së lojërave të fatit. “Të gjitha hetimet relative kanë përfunduar edhe në zyrat e prokurorisë”, shton gazetari sportiv, Endi Tufa.

 

“KUSH DUHET TË SHKOJË NË BURG?”

Shqipëria ka 4 mijë pika lojërash fati për 2,8 milionë banorë. Për të mos folur pastaj për bastvënës ilegalë apo për uebsite online që përbëjnë edhe numrin më të madh të problemeve sipas Artan Shytit. Kur erdhi në fuqi në 2013-ën, kryeministri Edi Rama deklaroi se do t’i bllokonte këto pika “për të luftuar krimin ekonomik”.

Një masë që nuk u realizua. Artan Shyti i qëndron mendimit se një përqindje e të ardhurave nga taksimi i kompanive të basteve duhet t’u kalojë klubeve të futbollit me qëllim që të zvogëlohet ose eliminohet tundimi për të trukuar ndeshje dhe për të “bërë para në mënyrë ilegale”.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pranon se “një organizim më i mirë i klubeve është thelbësor që ato të mund të funksionojnë më mirë në të ardhmen”. Ai pranon gjithashtu se “ndeshjet e trukuara janë kanceri i futbollit. Janë një kancer global”. Më tej, ai siguron se institucioni që drejton nuk është i përfshirë, madje i ka dërguar letër prokurorisë që të nisë hetimet. Ndërkohë që UEFA pret përgjigje, Artan Shyti pyet: “Kush luajti në baste? Kush fitoi? Kush duhet të shkojë në burg”?

PasPara

1 koment

  1. Nuk dime qe KAS-i te kete vendosur per SKenderbeun. Lajme te tilla te hedhura si pa te keq qofte dhe nga agjensi prestigjoze so AFP te bejne te qeshesh. Nuk ka asnje prove, asnje fakt qe te vertetoje denimin e ekzagjeruar te UEFA ndaj nje klubi qe ka punuar mjaft per rritjen e nivelit te footbollit ne Shqiperi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas