Kryesore

Basha-Josipoviç: Tirana, e hapur ndaj investimeve


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha priti në një takim të veçantë Presidentin e  Republikës së Kroacisë, Ivo Josipoviç. Basha nënvizoi se vizita e presidentit Josipoviç është e para e një presidenti në Bashkinë e Tiranës, që pas marrjes së detyrës së kryetarit të Bashkisë. Kjo vizitë, e cila vjen në një moment të rëndësishëm për Kroacinë, është një inkurajim i madh edhe për Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian.  Basha shprehu përgëzimet e tij për arritjen historike të Kroacisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, siç ishte nënshkrimi i Traktatit  të Aderimit në BE, të cilin qytetarët kroatë e rikonfirmuan gjatë referendumit të zhvilluar pak ditë më parë.

Presidenti kroat Josipoviç, duke uruar që rruga e Shqipërisë për anëtarësim në BE të jetë më e shkurtër se e Kroacisë, nënvizoi se statuti i vendit kandidat do të jetë dhurata më e mirë që mund të marrë Shqipëria në 100-vjetorin e Pavarësisë. Më tej Basha e ka njohur presidentin kroat me projektet strategjike të Bashkisë së Tiranës, siç është zgjatimi i bulevardit, rehabilitimi i lumit të Tiranës, ndërtimi i terminalit multimodal të pasagjerëve dhe ndërtimi i dy linjave të tramit, për të cilat eksperienca e Zagrebit, sipas Bashës, është e mirëpritur. Ekspertët më të mirë në fushën e urbanistikës, sipas Bashës janë të angazhuar në hartimin e planit urbanistik. “Përmirësimi i klimës së biznesit për ta bërë Tiranën një qytet miqësor dhe më atraktivin për investitorët jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, është një nga synimet kryesore”, – theksoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.  Gjithashtu, Basha e njohu presidentin kroat me nismën e tij për të vendosur marrëdhënie bashkëpunimi me bashki të vendeve të rajonit të BE-së, por edhe më gjerë. Në këtë kuadër, Basha tha se administrata e drejtuar prej tij është e angazhuar për të ndërmarrë nismat dhe hapat e nevojshëm, për të sjellë më pranë Tiranën me Zagrebin dhe biznesmenët e dy qyteteve.



 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas