Kryesore, Politika

Basha hedh për votim “listën Berisha”

basha duke votuarVetëm katër drejtues të rinj nga 31 të zgjedhurit e djeshëm si lidershipi i ri i PD. Të tjerët, në pjesën më të madhe kanë qenë ish-funksionarë politikë dhe ekzekutive në qeverisjen e kaluar. Çfarë ndodhi dje në votimet për ekipin e ri të demokratëve. Kush janë njerëzit që do të drejtojnë opozitën dhe surprizat e listës së kandidatëve

 



Politika e ardhshme e Partisë Demokratike pritet të dominohet sërish nga linja e deritashme; denoncuese dhe e ashpër. Përfundimi vjen po të shohësh profilet politike të Arben Ristanit dhe Edi Palokës, përkatësisht numri 2 dhe 3 në PD, të zgjedhur dje nga Këshilli Kombëtar.

PD zgjodhi dje nënkryetarët, sekretarin e përgjithshëm, 6 sekretarë funksionalë dhe 22 drejtues departamentesh. Emra të rinj që nuk kanë mbajtur përgjegjësi politike dhe qeverisëse në tetë vitet e kaluara dhe që u afruan për ripërtëritjen e PD, dje pas votimeve ishin në minorancë përballë kandidatëve me përvojë politike që kanë mbajtur poste politike dhe ekzekutive në të kaluarën.

Ristani& Selami

Ai u ul ngjitur me ish-kryetarin e opozitës, Sali Berisha. Në anën tjetër qëndronte ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. Vota e parë e numërimit ishte për të, por Eduard Selami nuk e fitoi dot betejën për postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Aty rreth orës 14:00, kohë në të cilën do të fillonte edhe procesi i numërimit, Selami, politikani i një fryme liberale nuk u shfaq entuziast, ndryshe nga konkurrenti i tij Arben Ristani, i cili dje ishte në shoqërinë e Eduard Halimit, Flamur Nokës e disa prej deputetëve të tjerë të PD-së, dikur edhe funksionarë të lartë të qeverisjes së djathtë.

Arben Ristani njihet si politikan i aksioneve të forta dhe denoncuese në parti, që nuk i përngjan shumë modelit “Basha”, edhe pse në fund të procesit ai përshëndeti pikërisht atë me argumentin se Basha e kishte përfshirë në garën për postin e Sekretarit të Përgjithshëm. Edhe Enkeleid Alibeaj e fitoi betejën e tij duke u renditur i dyti pas Ristanit, ndoshta i vetmi që nuk e kishte marrë garën aq seriozisht sa kohë që në fillim të saj ai kishte kërkuar një foto të përbashkët me të dy kandidatët e tjerë, por që as Ristani dhe as Selami nuk kishin pranuar.

Në fund të procesit, Alibeaj e konsideroi procesin krejtësisht transparent, ndërsa ai që e shoqëroi në heshtje humbjen ishte Selami. Në fund të kësaj gare, që kryetari Basha e konsideroi si tepër të fortë dhe të bukur, Arben Ristani, ish-kryetari i KQZ-së, i kontestuar fort nga PS për zgjedhjet lokale të Tiranës në 2011 dhe i angazhuar më pas në qeverinë Berisha si zv.ministër mori 101 vota nga 262 anëtarët e Këshillit Kombëtar. Tri vota u konsideruan të pavlefshme, ndërsa 13 anëtarë nuk morën pjesë në votim. Enkeleid Alibeaj, ish-ministër i Drejtësisë, i njohur për marrëdhëniet e mira me një pjesë të kryetarëve të degëve të partisë në jug të vendit mori 85 vota, ndërsa Eduard Selami 76.

Dy nënkryetarët

Edmond Spaho dhe Edi Paloka janë dy nënkryetarët e partisë. Si asnjëherë tjetër, ata u votëbesuan me votim të hapur, duke shkelur atë pjesë të statutit që përcaktonte votimin e fshehtë. Edi Paloka u votëbesua si nënkryetar i PD-së me argumentin zyrtar se ai ka kryer i komanduar prej më shumë se një viti detyrën e kryetarit të grupit parlamentar.

Edi Paloka, i përfshirë në politikë qysh në vitet e para të pluralizmit, njihet si politikan i linjës së ashpër, i spikatur gjatë viteve të opozitës të PD, ’97-2005. Edhe Edmond Spaho u votëbesua si nënkryetar i PD-së me argumentin se ai është nënkryetar i Kuvendit. Spaho nuk pritet që të ketë ndonjë rol real në kupolën drejtuese të partisë sa kohë që ndikimi i fortë politik i tij nuk është parë as deri më tash në parti. Kryetari i PD-së, Lulzim Basha vendosi që të zgjedhë këtë formulë, ndërsa nuk shtoi post tjetër për nënkryetar partie edhe pse statuti ia lejonte një gjë të tillë.

Sekretarët dhe Departamentet

Por jo vetëm Sekretari i Përgjithshëm apo edhe nënkryetari i partisë nuk i përngjajnë frymës se re në PD. Situata tek sekretariati nuk ndryshon shumë. Në gjashtë poste për sekretarë funksionalë përfshihen dy nënkryetarët aktuale të Bashkisë, Enno Bozdo tek Organizimi dhe Nevila Xhindi tek Shoqëria civile. Ndërsa Ivi Kaso, sekretar për Zgjedhjet, ka qenë ish-këshilltar i Berishës; Valbona Mezini, e zgjedhur të Organizatat partnere ka qenë gazetare, ndërsa Fatbardh Kadilli, ish-deputet.

Emrat e të zgjedhurve në krye të departamenteve kanë qenë kryesisht pjesë e qeverisjes apo kanë përvojë politike në PD për 10 vitet e fundit.

Nga fituesit e departamenteve bie në sy se vetëm 3 të tillë janë figura të reja të ngritura në PD pas qershorit të 2013. Ervin Salianji, Belind Këlliçi dhe Arben Skënderi ishin tre të rinjtë që u zgjodhën dje si drejtues të departamenteve duke mbetur në minorancë përballë pjesës tjetër që u përcaktua si me përvojë në politikë.

Mes pjesës me përvojë që përbën dhe linjën e vazhdimësisë bien në sy ish-ministra, ish-zv.ministra dhe ish-drejtorë të qeverisë së kaluar. Në listën e fituesve për drejtues departamentesh janë Ervin Salianji, Lealba Pelinku, Kastriot Sulka, Bardh Spahia, Belind Këlliçi, Bashkim Shehu, Endira Bushati, Voltana Ademi, Luçiano Boçi, Laura Vorpsi, Kreshnik Çollaku etj. Në këtë listë kanë fituar jo pak emra që dikur kanë qenë në postin e zv.ministrave, ish-drejtori i AKKP-së, Avenir Peka, ndërsa ndër ish-ministrat kanë fituar  Eduart Halimi dhe Florion Mima.

Sekretar i Përgjithshëm

Arben Ristani

Nënkryetarë

Edi Paloka

Edmond Spaho

 

Sekretarët

Burimet Njerëzore                               Fatbardh Kadilli, ish-deputet

Organizmi                                           Enno Bozdo,  ish-zv.ministër

Zgjedhjet                                              Ivi Kaso,        ish-drejtor në Kryeministri

Marrëdhëniet me Publikun                  Grida Duma,    ish-zv.ministre

Organizatat Partnere                            Valbona Mezini,  gazetare

Shoqëria Civile                                     Nevila Xhindi, ish-koordinatore për Ndihmë e Huaj në kryeministri

 

Departamentet

Energjia dhe Burimet Njerëzore  

Suzana Guxholli, ish-këshilltare e Berishës për ekonominë

Infrastruktura dhe Transporti      Ervin Minarolli ish-drejtor i Aviacionit Civil

Bujqësia Zhvillimi Rural               Enkeleida Sallaku    pedagoge

Shoqëria e Informacionit dhe Komunikimit  Endri Hasa    ish-drejtor

Ekonomia dhe Tregu                      Florion Mima            ish-ministër i Ekonomisë

Financat Publike                            Sherefedin Shehu       ish-zv.ministër i Financave

Antikorrupsioni                             Lealba Pelinku          ish-kryetare e Komisionit te Prokurimi Publik

Të Drejtat e Njeriut dhe Liritë     Ervin Salianji     Koordinator për Ndihmën ligjore PD

Punësimi dhe Çështjet Sociale      Kastriot Sulka    ish-zv.ministër i Punës

Emigracioni dhe Diaspora            Bardh Spahia     ish-zv.ministër i Shëndetësisë

Të përndjekurit                             Belind Këlliçi

Siguria dhe Rendit Publik            Bashkim Shehu    anëtar i Këshillit Kombëtar

Administrata Publike                    Endira Bushati      ish-kryetare e AMA-s

Drejtësia dhe Çështjet Ligjore     Eduard Halimi      ish-ministër i Drejtësisë

Pushteti Vendor                            Voltana Ademi    ish-prefekte e Shkodrës

Ambienti, Turizmi                        Jamarbër Malltezi shoqëria civile

Arsimi, inovacioni                        Luçiano Boçi         ish-deputet i PD-së

Kultura dhe Sporti                       Arben Skënderi     Bashkia Tirane

Shëndetësia                                   Tritan Shehu           ish-deputet I PD

Integrimi Evropian                      Laura Vorpsi          ish-zëdhënëse e PD

Politika e Jashtme                        Kreshnik Çollaku   ish-zv/ambasador

Siguria Kombëtare                       Avenir Peka           ish-drejtor i AKKP-së

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas