Teknologji

Bartja e numrit celular, AKEP ndryshon rregulloren

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka bërë ndryshime në rregulloren e re për bartjen e numrit, që ishte miratuar në fund të muajit mars. Ndryshimet janë bërë për të reflektuar disa ankesa nga operatorët Albtelecom dhe Telekom Albania, ankesa të cilat janë pranuar pjesërisht nga AKEP.

Sipas rregullores së re, që hyn në fuqi në 1 korrik, operatorët janë të detyruar ta kryejnë të gjithë procesin e bartjes së numrit brenda 24 orëve nga aplikimi. Megjithatë, me kërkesën e operatorëve, AKEP ka pranuar që mund të bëhet përjashtim në rastet kur vetë përdoruesit, në aplikimin e tyre, kërkojnë një afat më të gjatë për bartjen.



Gjithashtu, AKEP ju ka lejuar operatorëve një afat kohor prej katër orësh për të kthyer përgjigje në rastet e kërkesave për bartje të numrave me kontratë. Ky afat justifikohet me nevojën për të verifikuar shlyerjen e të gjitha detyrimeve. Për sa i takon numrave me parapagesë, rregullorja përcakton se operatori dhënës duhet t’i kthejë përgjigje në sistem kërkesës për portim brenda pesë minutash.

AKEP vendosi të ndryshojë rregulloren për portimin e numrit, pasi në vitet e fundit ka marrë një numër shumë të madh ankesash nga përdoruesit, të cilët kanë denoncuar praktika abuzive në procesin e portimit të numrit nga operatorët celularë. Nga verifikimet e kryera, AKEP konstatoi se operatorët kanë keqpërdorur listën e arsyeve të parashikuara për refuzimin e kërkesës për bartje.

Kjo sjellje e operatorëve ka krijuar barriera artificiale për pajtimtarët, duke ndikuar drejtpërdrejt në demotivimin e tyre për këtë shërbim si dhe ka zbehur rolin e  portabilitetit të numrit, si instrument për zhvillimin e konkurrencës në tregun e telefonisë celulare.

Me rregulloren e re, kriteri i vetëm i refuzimit të kërkesës për portim për përdoruesit me parapagim do të jetë mospërputhja e numrit personal të identifikimit të dhënë në kërkesën për portim tek operatori marrës me numrin e identifikimit në bazën e të dhënave e operatorit dhënës.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas