Mapo Letrare

Barok – Roksana D

vladimir myrtezaiNga Vladimir Myrtezai

Sergei Dane përsillej rrotull i pavendosur nga yshtja e tij për gjueti femrash në kafenenë më të njohur të qytetit. Ajo kafene frekuentohej nga femrat si një zakon magnet. Qe një qoshk vend që nuk kishte as vendndodhjen e favorshme dhe as ndonjë karakter arkitektonik për t’u mbajtur mend. Ishte një biçim forme e hibridizuar mes së tashmes dhe mbetjeve të një shtëpie me dekor barok, së cilës nuk i kish mbetur gjë në fasadë, përveç ndoca kaçurrelave betoni dhe ca bordurave të holluara e të thara. Por, për çudinë e të gjithëve ishte një kafene që frekuentohej, ku shtjelleshin vargje njerëzish dhe veçanërisht të rinj e të reja me diferenca në moshë. Nuk e kishte kuptuar kurrë sekretin se pse në një pikë të tillë kishte kaq popullim të ngushtuar. Pikërisht në këtë qoshk, Sergei Dane (emrin e kish peshqesh nga i ati oficer, në shenjë miqësie me ish-Bashkimin Sovjetik) kalonte një kohë të gjatë në një gjueti të ngulët, veçanërisht për ato femra që i provokonin një ndezulli të menjëhershme. Ishte një lloj manie që i ngjitej si pa dashur në sprovën e tij të pavdirë për t’u argasur ndër varësi fiziologjike, që i feksnin si flutura marroqe.



Instinktivisht gjendej i kapluar nga bukuri të ndryshme që i parakalonin si lëngëzime të nëndheshme, në ritual të përhershëm, pa ngushëllim. Një ngërç prej zulme e manjakllëku që nuk i shqitej, si sëmundje, të cilën nuk e fshihte dot. Ishte i sëmurë dhe i varur nga trallisjet e bukurisë së tyre, si e vetmja strehë që nuk kishte asfare devijim apo destin tjetër.

Portreti i tij në të tilla shfaqje merrte trajtën e të menduarit pa shkak, dhe dukej si një përshesh ngazëllimi eklektik, i shumëngjyrtë në dëshira; i paturp e krejtësisht cullak. Në ngjashmëri i pangjashëm, me një ballë idiot, që ruante një tërësi të zeshkët, me forma të mëdha e të varura si tule me lëkurë të lëmuar. Nga origjina dukej sikur i vinin reflekse që kishin një kahje disi perverse. Një lloj patine i varej në çehre, bërë me të njëjtën lëkurë si brenda ashtu dhe jashtë. Një përzierje që nuk kish se çfarë të të afronte më, veçse një dendësi shenjash babëzie, oreksuar përtej masës nga zona të blerta e të uritura ushtarake.

Për Roksana D., vendi ku ajo jetonte ishte një kurth i hajthëm strukturash lodruese e plot enigma, ku ajo i jepej me eros pluhurit të muzikuar, i cili qe shpërndarë ngado. Një vëmendje e pashoqe, e pamundur të krahasohej. Qyteti modern mesdhetar, një qytet ku burrëria ishte në gradë të shkëlqyer gatishmërie për seksin tjetër, të mbërthyer si mos o Zot nga një uri e pashuar për të rimbushur torbën e jetës me aventura dhe skena që kishin të bënin më shumë se drejtpërdrejt me këtë lloj ushqimi, që shpërndahej në ajër si një tretësirë e padukshme dhe eksituese, në prani të gjindjes që sillej e përsillej gjithnjë e më shumë kundrejt këtyre enigmave ende të pashpjegueshme.

Roksana D. ishte një vajzë e lehtë e këtij moderniteti, që herëdokur, të qenurit në jetën e madhe e përkthente si një lloj dhurate që i kishte mbirë ballazi, dhe i duhej ta konsumonte shpejt e pa u menduar gjatë. E lehtë, e çlirët, e pafre, komunikuese, kish hyrë në mbasadoleshencë dhe ishte nën efektin e urive të para të jetës. Shpërvidhej pa e vrarë mendjen përgjatë rreshtimit stoik të djemurisë, ku do i duhej të zgjidhte me nge, pasi e kishte krejt të lehtë të hynte e të dilte nga një marrëdhënie në tjetrën, nga një gjendje në një tjetër, nga një kënaqësi te tjetra. Në eufori totale, që nuk se duronte gjëra të rënda e të mbarsura me seriozitet e sipërmarrje, por një lloj shkëmbimi në gjendje të dehur, servirur nga jeta, që i shëtiste mbi trup si një lojë e hapur mes miklimit dhe provokimeve të shumta që i frynin ngado që endej. Një lloj ekstaze pushtuese, e tejkaluar nga bukuri vrastare, alla prima, që ajo i përdorte jo me shumë seriozitet, por që i ledhatonte dhe i linte të identifikoheshin në rrethana grumbulli njerëzor. Megjithëse dukej se ishte e lehtë në marrëdhënie të tilla rruge, thellë-thellë përjetonte një logjikë të matur racionale, që peshonte çdo gjë falë një intuite e cila vepronte me një shpejtësi të frikshme në seleksionimin e specieve me të cilat hasej. Një dhunti në hije që nuk e la kurrë të gabonte në gjithë atë mal raportesh. Tipat turlilloj me të cilët ndeshej çdo ditë e bënin edhe më inteligjente, dhe ashtu ngadalë i ish kthyer në mani korrektimi i sjelljes njerëzore që në goditjen e parë. Me siguri që brenda saj dukej se jetonte një trajtë tjetër e mbivendosur, natyrisht po e saj, në formë të mbrojtur e të fshehtë, që ndante me shpejtësinë e erës në ag regëtimet e para, llojin e gjahut, kategorinë dhe të gjitha feksjet e racës njerëzore. E thënë shkurt, Roksana ngjante me një lloj skaneri, ku në atmosferë dehëse shkërbente një botë të tërë eteri mashkullor, që në nisje i ngjante lojës argëtuese e plot pjalm të cytjeve të dyanshme.

Roksana D., kish një tingëllimë të metaltë, që kundrinorin ballë saj pothuaj e magjepste, si efekt magneti, pikërisht ngaqë në gjuhën e komunikimit të shkaktonte një zhvendosje të sertë, që të bënte të ishe disi i ngasur dhe në një parehati, duke iu nënshtruar kështu asaj qendre që ajo përcaktonte. Një shtëllungë e zeshkët me sy të mëdhenj ovalë e të harkuar, që të kujtojnë muzgun, por me një tërsëllëmë të shtrirë në të qeshurën e saj, që të godiste si një gjësend që kish të ruajtur një formë të pandrojtur ndërsimi në valë kohe, si jehonë që të shkaktonte varësi. Krejtësisht lënë e lirë e pa formë, ruante së brendshmi një lloj pjalmi të fashuar me doza të pambrojtura naiviteti.

Roksana D., më shumë se një karakter, ishte si një boshllëk i lehtë e lëvizës ajri, që me sy e shprehje zhvendosej sa andej-këndej, zhurmshëm e hareshëm, duke lënë mbas një tringëllimë të shurdhët, aq e ngjashme me boshin pas zërave gazmorë. Stuhinë dhe kuriozitetin e ngujuar, ngrehur si një kafshatë ajri e pakonsumuar nga mungesa e kohës, i kornizonte me lëvizje. Më shumë se asgjë ajo viktimizonte shkakun e lëvizjes, si një peshë specifike pa përmbajtje; si arsye e përjetim imagjinar, që shumë meshkuj i bënte të ndanin mendjen për të mos prekur pa hapur ajo një dritë të ngrohtë jeshile. Vetë fluiditeti i saj ishte si një vepër pa formë, si një arsye për të mbushur boshin me mundësinë e marrjes me mend apo me mundësinë e përjetimit të një gjëje të pakapshme nën strehën e askundit.

Shumë nga ata që i zinte dashuria me Roksana D., ishin natyra medituese: shkrimtarë, piktorë, muzikantë e kësodore, të cilët gjuanin pikërisht këtë ajër pa lëndë, që së brendshmi u kallte ëndërrime të vetëmjaftueshme, pa asnjëfarë historie apo pasoje të fundme. Thjesht prania e saj ishte një ajër i mjaftë për t’i lënë të kënaqur mbi retë e ëndërrimit.

Roksana D., po rritej ngadalë në këtë ndërsyrje meshkujsh, dhe në njëfarë mënyre i dukej se po e dimensiononin lëkurën e saj prej femre të pëlqyer e të mbajtur në gojët e kësaj shumatoreje. Shtyhej edhe më nga kurioziteti për të depërtuar në këtë mur të zhbërë ndjenjash të seksit tjetër, që sa vinte dhe koleksiononte forma të pafundme, që si në një teatër hijesh, performonin para saj për ta shtënë në dorë. Ishte një teatër që sa vinte dhe e vishte egon e saj si një anë e fshehtë dhe e munguar. Qe një lojë me rreziqe të lehta, që nuk se e shqetësonte shumë, sepse thellë-thellë ajo e dëshironte atë botë, por në njëfarë mënyre shijonte pamasë një lloj preludi për t’i hequr kapakun ngjarjes, që me kohë do mbushte pjesën tjetër, tjerrë përgjatë veprës që do luhej po në atë skenë: në jetën e saj. Do ngelej i pashqitshme në kujtesë një lloj mashkulli që në pamje të parë dukej pa thirrje trupore, por që i ngjante një mizanskene që luhej në një masiv të stërmadh mishi të zier e të pakripur; se si përqendrohej në vështrimin e saj: njëfarë Sergei Dane, që në takim të parë i dukej pa origjinë të përcaktuar veçse emrit që mbartte; një shitës interesash në çështje biznesi; diçka e paskrupullt, që mendohej se shitej dhe blihej. Fare ose aspak nuk i shkonte ndërmend Roksanës, në arratitë e saja erotike, përveç këtij mali me mish që i dilte herazi përpara e lëngonte si një shtazë e largët, futur thellë në prehistori, që nuk kishe ku e kapje për ta afruar qoftë dhe me mend, për ta bërë kësisoj pjesë të listës së saj. Nganjëherë e krahasonte me një dollap të zgjatur, që mbante rroba të përdorura, që shiteshin me kile.

I shkaktonte edhe të përziera, si një lloj ushqimi ku nakatoseshin peshqirë të zier e jaka këmishash gjithë lyrë, në një përbashkim morboz mes të gjallësh e të vdekurish, që i kallnin kutërbim dhe erë. Nuk e kuptonte se si e sa herë e shihte atë njeri kishte një të tillë përzierje e kutërbim për gjithçka që e rrethonte. Herë i dukej si nakatosje gjellësh pa shije dhe herë sikur dilte nga kusia e gatimit me ca sy ngjitës e të lëbyrët, që gjakonin vazhdimisht për mish e seks pa kufi. Iu kujtua një vrasje në qytet, ku një materie mashkullore nga ata që në fizik shponin veçse forcë e dhunë, pa kurrfarë ëndërrimi, që kish të bënte me të bukurën, me butësinë, me dhënien apo dorëzimin pa kushte. Nuk i shkulej nga mendja ai maniaku që e ndiqte papushim, si një llogaritje e përpiktë e zhveshëse. që e torturonte si pamje, por edhe si angazhim ambicioz. Kishte marrë guximin ta përballte dhe të takohej duke iu afruar lehtësisht, për të ulur ankthin që e kishte pushtuar, dhe për sigurinë e saj kish ndjerë një zhurmë si zierje rrobash me shumë ndërmjetësime ajri, që përngjasonin me formën e një të vetëqeshuri mbushur me flluska, që më shumë gulçonin sesa lëshonin tinguj. Format e rrathëve të fytyrës dukeshin që mbanin nën komandë disa sy të vegjël e të kaftë, që nga momenti në moment dukeshin sikur do kërcenin përjashtë kafkës nga histeria dhe dëshira. Një lloj pranie trupore që krejt demode mbante në qendër dëshirën e pakontroll në përballje, si një masiv mishi topa-topa. Kurrë në jetën e saj nuk kishte përbuzur njeri, por kishte bërë çmos që të mos lëndonte asnjë, qoftë edhe me një ndryshim çehreje për të pozuar ndonjë pakënaqësi. Por, mashkulli që i shfaqej në shumë pamje ishte një monstër që nuk e kuptonte, që për çudi i ngjante me një vrasës serial. Kishte dëgjuar për të si një njeri i përzier gjithnjë e në hije, që komandohej lehtësisht nga interesa të çastit.

– Kurrë! – tha me veten. –Kurrë!

Çdo eksperiment apo shkarje e fantazisë mund të kishte një kufi; por, njeriu që i rrinte si e vjellë përpara nuk mund të bënte çap përpara saj, sikur ta mbyllte të gjithë jetën pa prekur as dhe një ind mashkulli. Qe një vendim me veten, në formë të prerë, dhe iu kall përfytyrimi që nga buzët e tij, në vend të sekrecioneve, derdhej zift në trupin e saj, dhe lëbyrje hidrokarburesh. Për një moment iu zhbë dhe e hoqi nga mendja. Jo gjithherë loja e saj me fantazinë kishte qenë e dobishme. Ishte kthyer në një kllapi që kur realiteti qe më makabër se vetë fantazia, dhe ja ku e kishte përballë – një lloj neverie që edhe natyra kishte shkëmbyer pa fill e shpresë të gjitha të zezat në një inskenim antipatie të pashembullt. Me sa dukej kishte diçka themeltare që nuk e la më të shkaktohej nga një lloj tundimi përtej lëkurës së saj. Ishte e vlefshme për atë lloj alegrie deri edhe në përfytyrim, për të mos qasur pranë të tilla monstra që i ngjallnin krupë – një gjuhë të rëndë, e lexuar me vulg, dhunë, makutëri të shpallur,e kutërbim .

Bëri si bëri dhe doli këso ane dhe u përpoq të rikujtonte takimin e saj me dikë, ku sido që të sillej, humori i saj gjente një lloj strehe ngushëllimi. E dashuronte me gjithsej, pavarësisht se kishte një distancë të dallueshme në formim dhe vite. E kishte stimë të strukej pranë tij dhe ta prekte në trup si një nga stacionet e saj për t’u ndjerë e sigurt me shkulm jetik. Krejt e besueshme, symbylltazi, të gjitha arratitë e saj i ngjanin kthimeve plangprishëse në një bazë pritëse të ngrohtë e të dashur.

Njerëzit në jetën e saj i kishte krahasuar gjithnjë me ndërrimin e stacioneve, që i dallonte së largu, nga konturet e para, nga ngjyrat e zbehta dhe nga aromat e veçanta. Këto lloj stacionesh i ndërronin humorin dhe klimën e brendshme, dhe së shpeshti i sublimonin udhëtimet e reja, të ngjashme me arratitë pa destin, në një pikë të papërcaktuar, diku përpara në kohë e në hapësirë, si një përplasje e panjohur dhe e mistertë. Të shumtë ishin personazhet në portofolin e saj të kujtesës. Kishte edhe shumë syresh që kishte fshirë pa nam e dert, pa lënë nga pas asnjë shenjë. E dashuronte këtë lloj jete – kështu, të papërcaktuar, pa varësi e thellime të topotisura. I donte gjërat sipas metrit të saj dhe sipas dashurisë që ajo mbante. Për më shumë dhe më thellë nuk ishte gati. Donte të jetonte edhe më një lloj lumturie të lehtë, abstrakte, pa e vrarë fort mendjen, ashtu si ajri që ndërron dendësi e ngjyrë, ose si një stacion pa rëndësi dhe pa detyrimin për ta mbajtur mend.

Roksana D., një shkaktesë me krrela, si një muzikim barok, që në të shumtë të përkëdhel me ajër, ku çdo puhizë struk një ëndërr të vërtetë nga ato kalimtare sa pesha e të gjitha zhgjëndrrave.

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas