Aktualitet

Barnat, nis prodhimi i pullës së dyfishtë

Nis prodhimi i pullës së dyfishtë të barnave që do të vendoset së shpejti në të gjitha medikamentet që tregtohen në vend. Kreu i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj shprehet se pulla dyfishe që do të vendoset në barna është duke u prodhuar nga kompania koncesionare. Më pas, sipas tij, pritet një vendim nga Ministria e Shëndetësisë dhe barnat do të tregtohen me pullë të re. Pulla e dyfishtë në vetvete është një pullë e prodhuar në dy pjesë, të cilat përmbajnë të njëjtin informacion dhe mund të shkëputen nga njëra-tjetra. Njëra prej tyre mund të shkëputet nga paketimi dhe të vendoset nga farmacisti në recetën e mjekut, ndërsa pjesa tjetër mbetet në paketimin e barit. Kur medikamenti të shitet, gjysma e pullës do të merret nga farmacisti dhe do të vendoset në recetë dhe gjysma tjetër do të mbetet në kutinë që do të marrë pacienti. Pulla ka bar-kod, i cili lexohet me lexues optik, duke kontrolluar gjithë rrugën që ka bërë bari, nga blerja në fabrikë deri në farmaci. Çmimi i barnave nuk do të pësojë rritje nga vendosja e pullës së dyfishtë, pasi koston e kësaj të fundit do ta paguajnë kompania prodhuese edhe importuesi i ilaçeve. Sipas ligjit të ri “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik”, pulla dyfishe do të vendoset për të disiplinuar shitjen e barnave dhe për të kontrolluar si mjekët në zbatimin e protokolleve mjekësore ashtu edhe farmacistët, kryesisht për recetat me rimbursim. Bar-kodi që do të ketë pulla dyfishe do të përmbajë mbi 10 elemente sigurie, gjë e cila bën të mundur që medikamenti të “gjurmohet” në çdo kohë. Në momentin kur pulla hyn në lexues optik, del deri dhe emri i punonjësit që ka bërë zhdoganimin. Po kështu, sipas ligjit të ri “Për barnat”, farmacistët do t’i japin ilaçet vetëm me recetën e mjekut, ndërkohë që ISKSH-ja mund të verifikojë saktësisht recetën e lëshuar nga mjeku për barin që rimbursohet, i cili shkon te pacienti. Në fakt, zbatimi në praktikë i ligjit të ri parashikohet të zgjidhë probleme mjaft të rëndësishme në tregun e barnave, duke filluar që nga ato që vijnë kontrabandë në vendin tonë e deri tek abuzimi që bëjnë mjekët dhe farmacistët me ilaçet që u japin pacientëve. Për sa i përket kontrabandës së barnave, vendosja e pullës dyfishe parashikohet ta minimizojë këtë fenomen, pasi pacientët nuk do të blejnë më disa kokrra ilaçe, por të gjithë paketën. Kjo, pasi pullat do të dorëzohen në QKKB. Para një viti në Itali ndodhi një skandal me barnat me rimbursim megjithëse ato kishin pullë dyfishe. Kjo pasi farmacistët plotësonin receta false me rimbursim. Por mbledhja e pullave, kontrolli i tyre me lexues optik dhe më pas djegia do të shmangnin këtë rrezik.

 



 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas