Ekonomi

Banka hedh gurin e fundit, por Euro vazhdon të bjerë

Banka e Shqipërisë zbrazi arsenalin e politikës monetare, duke konsumuar pothuajse të gjitha mundësitë për uljen e mëtejshme të kostos së parasë. Sa po e ndihmon lehtësimi i interesave qarkullimin e lekut dhe inflacionin. Ndërhyrja e Bankës në forcimin e euros

Teksa monedha kombëtare, leku, ka prekur majat në tregjet e këmbimit valutor sidomos ndaj euros, “çmimi” i tij, i përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet mekanizmit të interesit bazë, ka prekur fundin.



Autoriteti Monetar e uli normën bazë në 1% më herët javën e kaluar nga 1.25% që ishte më parë, duke e çuar në një rekord të ri historik çmimin zyrtar të parasë. Me këtë lëvizje, Banka e Shqipërisë ka konsumuar të gjithë arsenalin e politikës monetare, pasi çdo ulje tjetër poshtë këtij niveli do të ishte e paefektshme, sipas ekspertëve të saj.

Por “guri” i fundit i Bankës synon të vrasë dy zogj. Së pari, të “ushtrojë” presion psikologjik mbi treg për të ulur vlerën e këmbimit ndaj euros dhe së dyti, për të ndikuar në rritjen e inflacionit drejt objektivit 3%.

Më pas pritet të ketë rënie në normat e interesave të depozitave dhe kredive në banka në monedhën vendase. i gjithë ky proces synon të lehtësojë qarkullimin e lekut. Duke qarkulluar më shumë lek, vlera e tij vjen me rënie dhe po ashtu, çmimet e mallrave.

Veprimi i dytë ishte deklarata e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë për të ndërhyrë në tregun valutor, me synim ndalimin e forcimit të euros, që sipas bankës kishte dalë përtej parashikimeve.

Monedha e përbashkët arriti në datën 5 qershor në nivelin më të ulët në 10 vite, duke u këmbyer me 124.17 lekë, duke humbur gati 10 lekë në krahasim me fillimin e vitit. Tregjet reaguan me shpejtësi pas kësaj deklarate dhe euro i ngjit brenda tre ditësh në 127.6 lekë./Monitor.al/

Image

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas