Politika

Avokati shpjegon skemën si do arrestohen politikanët: Sëshpejti radha e atyre që po sulmojnë…

Procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë ka dhënë rezultate të kënaqshme deri tani. Shumë gjyqtarë dhe prokurorë janë shkarkuar nga detyra, qoftë edhe për disa shkelje të vogla të gjetura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me justifikimin e pasurisë. Por në një kohë që njerëzit e drejtësisë po e pësojnë edhe për shkelje minimale, po me politikanët çfarë do të ndodhë?

Nëse u hedhim një sy deklarimeve të pasurisë që ata kanë bërë ndër vite pranë ILDKP, do të shohim që zotërojnë miliarda lekë. Duke qenë se pasuria e tyre është marramendëse, a duhet që procesi i vetingut të zbresë edhe në fushën e politikës me qëllim që politikanët të japin argumentet e tyre për pasuritë që zotërojnë? Për ekspertët e drejtësisë, një gjë e tillë do të ndodhë sapo të përfundojë rivlerësimi i gjyqësorit.



Avokatët Spartak Ngjela dhe Genc Gjokutaj deklaruan dje për gazetën “SOT” se nëse sistemi i drejtësisë vetohet siç duhet, atëherë detyrimisht duhet të presim që drejtësia e re të marrë në dorë edhe pasuritë e politikanëve. Ngjela e shpjegon edhe më tej skemën që do të ndiqet.

“Në një vend që nuk ka drejtësi nuk mund të luftohet padrejtësia. Sipas këtij koncepti, ose sipas këtij gjykimi, padrejtësia ose korrupsioni i politikës së lartë shqiptare që është 20 vjet korrupsion nuk mund të dënohet me një gjykatë të korruptuar. Kjo është një anë. Ndërsa ana tjetër është se një politikë e korruptuar nuk mund të lejojë kurrë që të formohet një pushtet gjyqësor që jep drejtësi.

Kjo për arsye se pushteti gjyqësor që jep drejtësi do të dënojë dhe do të ndëshkojë korrupsionin qeveritar. Atëherë, skema ishte kjo: duke i bërë presion këtij korrupsioni qeveritar të lartë në Shqipëri, të riformulohet pushteti gjyqësor. Pasi të riformulohet pushteti gjyqësor, do të fillojë akuza penale kundër korrupsionit kryeministror shqiptar. Kjo është skema”, deklaroi Ngjela.

Avokati akuzoi politikanët se duke ditur që procesi i vetingut do të mbërrijë shumë shpejt edhe tek ta, kanë filluar të hedhin sulme.

“Prandaj edhe këta politikanët tanë bëjnë gjithë këtë rezistencë sepse nuk duan të lejojnë pushtetin gjyqësor. Kjo është filozofia. Këta dalin dhe nxjerrin njerëz që thonë se procesi i vetingut duhet të kishte filluar nga politika, por kush do ta fillonte nga politika? Cili pushtet gjyqësor?”, tha Spartak Ngjela.

Eksperti i drejtësisë, Genc Gjokutaj ishte po ashtu në unison me Spartak Ngjelën. Sipas tij, kjo është e vetmja rrugë që edhe politikanët të japin llogari për pasuritë e tyre, duke argumentuar se njerëzit e politikës nuk do të vendosin dot një ligj për t’i bërë veting vetes.

“Normalisht që procesi do të fillonte nga politika. Është filluar sepse politika është ajo që prodhon ligjet. Kështu që një politikë e vetuar mendoj që mundet të kishte prodhuar ligje më të mira dhe mund ta kishte bërë më të besueshëm vetingun mbështetur në një legjislacion më të ekuilibruar sepse ne shohim se ka edhe pretendime. Kështu mendoj unë. Problemi është se politikanët duhet të vendosin për vetveten dhe të krijojnë ligj për veten sepse nuk ka një shkallë më të lartë vendimmarrëse sesa politikanët. Tani të shikojmë sesi do të vijojë kjo punë. Unë mendoj se nëse drejtësia do të vetohet tamam, ndoshta do ta bëjnë ata vetingun e politikës pastaj”, theksoi avokati Genc Gjokutaj./pamfleti/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas