Kryesore, Mapo Format, Politika

Audio-përgjimi i ri/ Nënkryetari i KQZ-së “shantazhon” gjyqtarin e Strasburgut, Biba: Montazh

Publikohet një audio-përgjim nga exit.al, i vitit 2014 mes Denar Bibës dhe Gjykatësit shqiptar në Strasburg Ledi Bianku, ku i kërkohet të ndërhyjë që Gjykata Europiane të shtyjë vendimin për dëmshpërblimin ndaj ish-pronarëve. Në audio-përgjim kuptohet si shantazh që Biba bën ndaj Biankut. Reagon Biba: Ishte bisedë mes miqsh, nuk kam shantazhuar, e takova me porosi të Engjëll Agaçit. Kryedemokrati Basha e konsideron rastin skandal dhe presion mafioz të qeverisë. Prokuroria nis hetimet.

Shpërthen skandal i ri pas publikimit të një audio-përgjimi ku Nënkryetari aktual i KQZ-së Denar Biba, në bisedë me gjyqtarin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut Ledi Bianku, i kërkon që të ndërhyjë në Strasburg për të shtyrë afatin e dëmshpërblimit për ish-pronarët shqiptarë, që kanë fituar çështjet. Mes bisedës së publikuar nga portali exit.al kuptohet zëri i Bibës që në hyrje ngjan një komunikim mes të njohurish, por në fund duket se përfundon me një shantazh të hapur.



“A të ndalon më ky tren në stacion? Të ngelesh pa punë dhe ç’të vajti sakrifica! Njeriu bën kompromise në jetë”, dëgjohet të shprehet Biba. Menjëherë pas publikimit të skandalit reagoi vetë personazhi i këtij përgjimi ku pranoi këtë bisedë, sipas tij i sugjeruar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Engjëll Agaçi, por për Bibën përgjimi i publikuar ishte shkëputur nga konteksti dhe kur bëhej fjalë për frazën “Të ngelesh pa punë ç’të vlejti sakrifica” e kishte pasur kontekstin për veten. Sipas nënkryetarit të KQZ-së, në kohën kur është bërë kjo bisedë ai ishte i punësuar si kryetar i Komisionit të Prokurimeve Publike, e madje dukshëm nervoz iu kthye gazetarëve: “Mos bëni detektivin me mua, s’është nevoja. Unë e kam takuar mikun tim Ledi Bianku, ndër të tjera edhe në vizitën zyrtare pranë GJEDNJ, ku isha pjesë e delegacionit të kryesuar nga ish zv.kryeministri i kohës. Metafora e trenit ishte në përgjigje të pyetjes që Bianku më bëri mua se “përse pranova detyrën e kryetarit të KPP”, duke qenë se ishte në dijeni të aspiratës sime për Gjykatën Kushtetuese”,- tha Biba, ndërsa mundohet ta kapërcejë me “sportivitet” skandalin më të ri kur shtoi se “Mjafton të dëgjoni bisedën e plotë dhe do ta kuptoni që ‘sakrifica’ e përfolur ishte e imja dhe s’kishte asnjë lidhje me Biankun.

Isha unë që pranova një detyrë që nuk e doja. Kërkoni bisedën e plotë! E keni për detyrë”, ka thënë Biba. Sipas tij, në këtë bisedim nuk ka asnjë lloj shantazhi dhe ndërhyrje. “I shpjegoja ish-pedagogut tim përse kishte nevojë Shqipëria të merrte këtë shtyrje. Nuk e kuptoj se kush përfiton, sepse as opozita nuk përfiton nga kjo. Të dalë audio e plotë e paprerë.

Nuk ka absolutisht asgjë. Çdo shkëputje dhe montim”-deklaroi Biba. Por ende nuk ka dalë publikisht vetë gjyqtari, i cili ndonëse është me mandat të përfunduar vijon të jetë pjesë e Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, pasi për të tretën herë radhazi Strasburgu ia ka kthyer pas kandidaturat e qeverisë, duke mos pranuar asnjërin prej kandidatëve të servirur nga qeveria.

Gjithashtu është përhapur lajmi se gjyqtari Bianku menjëherë pas bisedës me Bibën ka vënë në dijeni kreun e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut mbi këtë “këshillë” që i erdhi nga Biba, si pjesë e delegacionit të Shqipërisë. Pas reagimit të opozitës mësohet se Prokuroria e Tiranës po e shqyrton çështjen dhe pas administrimit të plotë të audio-përgjimit do të vendosë nëse ka ose jo vepër penale. Pavarësisht konkluzioneve skandali mbetet i madh, pasi në formë sugjerimi apo shantazhi kërkesa që i bëhet gjyqtarit të Strasburgut Bianku për të ndërhyrë më “lart”,- nuk mund të konsiderohet normale.

Reagimet politike

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha e ka konsideruar mjaft të rëndë këtë ngjarje, duke akuzuar Ramën dhe personazhet e tjerë të audio-përgjimit si shantazhues që përdorin shprehje mafioze. “Jam këtu për të denoncuar një skandal të përmasave europiane, se si gjyqtari shqiptar në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut shantazhohet në emër të Engjëll Agaçit, sekretarit të përgjithshëm dhe krahut të djathtë të Ramës që të ndikojë për të bllokuar vendimet për pronat siç kërkon qeveria e Ramës, përbën provën më tronditëse të zbuluar në këto 28 vite. Fakton se qeveria funksionon si një organizatë tipike mafioze”,- deklaroi Basha.

Sipas tij, audio-regjistrimi i Denar Bibës, kandidat i Ramës për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, është prova më e pakundërshtueshme se si e sheh dhe projekton Rama drejtësinë. “Me këtë gjuhë tipike mafioze i kujton gjyqtarit shqiptar në Strasburg se mundësia për të bërë pazar me qeverinë nuk do i vijë më në jetë. Kjo është fytyra e vërtetë e Edi Ramës”-tha Basha.

Sipas kreut të PD-së, Engjëll Agaçi dhe Denar Biba, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me porosi të Edi Ramës, kanë kryer veprat penale të korrupsionit aktiv dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike. Gjithashtu edhe nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili.

“Qeveria e drogës dhe e drejtësisë së horrave tentoi të blejë Strasburgun për të grabitur qytetarët shqiptarë. Kjo është vepra penale më e rëndë që mund të ketë konsumuar ndonjë qeveri ndonjëherë”-shkruan Vasili na faqen e tij në Facebook. Ka patur edhe reagime të tjera nga personazhe të opozitës që denoncojnë rastin dhe i kërkojnë prokurorisë që të nisë hetimin e thelluar për të vënë para përgjegjësisë autorët e këtij shantazhi që mbërriti deri në Strasburg.

Strasburgu, pronarët dhe shtetarët

Menjëherë pas ardhjes në pushtet të së majtës në vitin 2013, u kërkua që të ndërmerreshin hapa për të zgjidhur problemin e madh të ish-pronarëve në Shqipëri. Si “shpëtim” u mendua që t’i kërkohej zyrtarisht Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut në Strasburg që t’i linte një afat të caktuar qeverisë shqiptare për të dëmshpërblyer ish-pronarët, pasi faturat financiare që duhet të paguante shteti ynë ishin mjaft të larta. Kjo kohë iu la, por qeveria kërkonte rishtyrjen e afatit, me pretendimin se kishte ndërmarrë nisma ligjore që kjo çështje të merrte fund përfundimisht.

Megjithatë Gjykata e Strasburgut nisi shqyrtimet e dosjeve të ish-pronarëve shqiptarë që përveç dëmit ekonomik, në mungesë të pronës së grabitur, kërkonin edhe dëm moral. Për të “frenuar” vendimet me fatura të kripura që vinin nga Strasburgu, u dërguan delegacione zyrtarësh shqiptarë për të “lobuar” në këtë institucion mjaft të rëndësishëm të drejtësisë europiane. I tillë ishte edhe delegacioni i përfshirë në audio-përgjim i përbërë nga Niko Peleshi (në atë kohë zëvendëskryeministër), Denar Biba kreu i Komisionit të Prokurimit Publik (pa staturë përfaqësimi, pasi nuk korrespondonte detyra me misionin) dhe ish-drejtoresha e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Sonila Qato.

Në audio-përgjim sikurse pranohet edhe nga vetë Biba, i kërkohet gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut Ledi Bianku që të ndërhyjë për të shtyrë edhe më shumë afatin e dëmshpërblimit për ish-pronarët. Aktualisht dosjet po merren në shqyrtim nga Gjykata Europiane në Strasburg, por me intensitet më të ulët, ndërsa janë në listë pritjeje dhjetëra ankesa nga ish-pronarët. Përfaqësuesit e ish-pronarëve shprehen se nëse kjo çështje nuk zgjidhet në një kohë të shpejtë, atëherë Strasburgu do të marrë në shqyrtim të gjitha rastet dhe fatura financiare që do i ngarkohet shtetit do të jetë mjaft e lartë dhe e papërballueshme për buxhetin./Mapo.al/

Pjesë nga audio-përgjimi:

(Të gjitha fjalët nga audio-përgjimi janë të Denar Binës)

“Më mori Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e më thotë ç’e ke Ledi Biankun?

I thashë…

Më thonë që nga gjithë këta që kemi afër ne ti e ke [më afër].

(Agaçi) tha… hajde të pimë një kafe… ky muhabet të mërkurë, të enjte…

Tha, kemi këto problemet, e di ti gjithë kjo historia që do kërkohet shtyrja.

Të lutem tha, ti lutesh të na gjendet në gjithë këtë histori … sot është Niko Peleshi këtu (në Strasburg) ka takim (me Kryetarin e GJEDNJ-së).

Biba vazhdon: “Ma paguan ata biletën…”

Pastaj, Biba i drejtohet Biankut:

“A të ndalon më ky tren në stacion? Të ngelesh pa punë dhe ç’të vajti sakrifica! Njeriu bën kompromise në jetë”.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas