Aktualitet

‘As shkëmbime territori, as ndarje të Kosovës’, Thaçi garanton për mosprekje teritorialiteti

Duke i cilësuar si lajme të rreme, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka hedhur poshtë zërat se me Serbinë do të diskutohet për ndarjen e Kosovës.

“Unë sot këtu, si president i vendit, edhe njëherë i siguroj qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë forcë, që do ta detyrojë Kosovën të diskutojë, e lëre më të pajtohet, me ndarjen e saj. Nuk do të lejojmë as të diskutohet, e lëre më që dikush të pajtohet me ndarjen e Kosovës”,- tha Thaçi.



“Nuk do të ketë bosnjëzim të Kosovës, nuk do të ketë ndarje të Kosovës. Nuk do të ketë Ahtisaari+”, tha më tej presidenti i Kosovës.

Thaçi foli edhe për marrëveshjen përfundimtare që pritet të arrihet në të ardhmen me Serbinë, e cila – siç tha ai, – duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme. Kjo marrëveshje, – nënvizoi Thaçi, – për Kosovën nënkupton njohje reciproke.

“Ne do të punojmë fuqishëm, që marrëveshja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë të jetë në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve”,- deklaroi Thaçi.

Me këtë marrëveshje, – shtoi Thaçi, – Kosovës do t’i hapet mundësia që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Të hënën, Kuvendi i Kosovës nuk arriti që të miratojë një rezolutë të propozuar nga Partia Socialdemokrate për dialogun. Kjo rezolutë, e cila nuk u miratua pasi nuk arriti të harmonizohej me partitë e tjera dhe nuk pati kuorum në Kuvend, përveçse ia kontestonte rolin si udhëheqës presidentit në dialog, kërkonte gjithashtu që Kuvendi të mandatonte prijësin e dialogut me dy të tretat e votave.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur që nga viti 2011. Thaçi ka udhëhequr dialogun politik në Bruksel prej nisjes së tij, njëherë nga posti i kryeministrit, e tani në cilësinë e presidentit.

Sipas Bashkimit Europian, në fund të këtij procesi, të dyja vendet duhet të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e raporteve, e cila, veç të tjerash, i çon të dyja vendet drejt integrimit europian.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas