Aktualitet, Kultura

Art shqiptar në Uashington

Nuk është e lehtë të paraqesësh artin shqiptar në Uashington. Kjo u bë e mundur mbrëmë me një ekspozitë modeste të çelur në kryeqytetin amerikan nga Banka Botërore. Janë 13 vepra të autorëve shqiptarë, pjesë e Galerisë Kalo në Tiranë.

Ekspozita organizohet nga zyra e njërit prej anëtarëve të Bordit Drejtues të Bordit Drejtues të Bankës Botërore, Patricio Pagan, i cili përgjigjet për grupin e shteteve që përfshin edhe Shqipërinë.
“Qëllimi i këtij eventi ishte që të ekspozohej Shqipëria jo vetëm në aspektin ekonomik dhe të përfitimit që vendi ka nga projektet e Bankës Botërore, por edhe në aspektin artistik sepse pjesë e zhvillimit të vendit është edhe zhvillimi kulturor artistik, sidomos tani që Shqipëria është duke investuar shumë në bërjen e turizmit dhe në bërjen e vendit atraktiv për turistët e huaj”, u shpreh Greta Minzhozi, këshilltare e Bankës Botërore.



Në ekspozitë janë sjellë vetëm 13 piktura nga pesë piktorë shqiptar: Ardian Isufi, Ardian Kapo, Eros Dibra, Gazmend Leka dhe Iglir Koka. Veprat e tyre janë tashmë të njohura në disa kryeqytete të artit, si Parisi, Neë York-u, Londra dhe Berlini.

“Është një numër i vogël, por janë personifikimi i një arti tejet të zhvilluar vizual në Shqipëri”, tha më tej Greta Minzhozi, këshilltare e Bankës Botërore.

Koleksioni është përzgjedhur nga kuratorët e Bankës Botërore, mes punimeve të Galerisë Kalo, një nga galeritë kryesore private të artit në Shqipëri.
“Ideja erdhi ngaqë gjatë vizitave kisha parë që kishte nga vende të tjera, domethënë kam menduar që mund të bënim të njëjtë gjë në bashkëpunim me Seksionin e Artit që ka Banka Botërore, ata përzgjodhën disa punë dhe më thanë mua t’i sjellësh që t’i ekspozojmë. U desh gati dy vjet që të realizohej”, tha Përparim Kalo, koleksionist.

Galeria Kalo ka në fondin e saj mbi 1 mijë punime arti, që përfaqësojnë një shumëllojshmëri zhanresh. Kuratorët kanë zgjedhur një pllakatë të piktorit shqiptaro –amerikan Ilir Pojani për të tërhequr vëmendjen për origjinalitetin e artit shqiptar. Artisti thotë se punimet e ekspozuara këtu nuk shprehin një shkollë apo një rrymë të caktuar.

“Çdo artist përfaqëson veten e tij dhe shpreh veten e tij. Secili duke shprehur veten e tij, të gjithë sëbashku shprehim një realitet artistik që është në Shqipëri”, deklaroi Ilir Pojani piktor shqiptar që jeton në Virxhinia të SHBA-ve.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas