Kryesore, Rajoni

“Arsimi, buxhet mjeran”. Ekspertët: Dëmtohet ekonomia, rinia po largohet

Pamjet e shkollave të rrënuara që i ndesh jo rrallë, në çdo cep të vendit, ngrenë një pyetje të madhe: a po shpenzon sa duhet qeveria shqiptare për arsimin?

Ndriçim Mehmeti, ekspert i arsimit, thotë: “Ne kemi një buxhet mjeran. Nuk ka më investime në laboratorë shkencorë dhe profesionalë, nuk ka më shkolla të reja, nuk ka më trajnime profesionale për mësuesit. Atëherë, për çfarë investimesh flasim?”



Në buxhetin e këtij viti, shpenzimet publike për arsimin janë përcaktuar sa 3.1% e prodhimit kombëtar. Por, në vendet e Bashkimit Europian shifra mesatare që qeveritë shpenzojnë për arsimin është sa 4.7% e prodhimit të brendshëm bruto.

“5% do të ishte një fillim i mirë”, thekson Mehmeti.

Shpenzimet e pakta e mbajnë sektorin e arsimit në një rreth vicioz, me pasoja jo të vogla për të ardhmen e ekonomisë: “Ne do kemi më pak njerëz të kualifikuar për t’ju përgjigjur nevojave të tregut të punës. Arsimi i dobët bën që rinia të largohet dhe do kemi më pak nxënës në shkollat tona. Po kështu, do të kemi më pak mësues të aftë sepse nuk investohet”.

Sipas një analize të Bankës Botërore, investimet në arsim janë shpenzimet publike me normën më të lartë të kthimit. Një nga studimet më të mëdha shkencore, i kryer nga ekspertët e bankës, doli në përfundimin se kur qeveritë rrisin shpenzimet për arsim me 1% të prodhimit kombëtar, rritja ekonomike përshpejtohet në të njëjtën masë.

Përtej kësaj, arsimi konsiderohet si rruga më efektive për të ulur varfërinë dhe për të zbutur pabarazinë ekonomike, ndaj shumë vende, veçanërisht ato më të zhvilluarat, shpenzojnë deri në 8% të prodhimit kombëtar për sistemin arsimor. / TCH

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas