Aktualitet, Kryesore

Arrestohet polici kufitar, lejoi të ikë i dyshuari për vrasje

Kapshticë-Një kontrollor i pikës kufitare të Kapshticës, i cili akuzohet se lejoi të kalonte për në shtetin grek të dyshuarin për vrasjen e Ilir Rexhepit në Elbasan, edhe pse e kishte atë në listën e të kërkuarve, është arrestuar dje nga SHKB e këtij qyteti. Ndërkohë që ka zbardhur edhe detaje të vrasjes së 30 dhjetorit, ku humbi jetën Ilir Rexhepi, vëllai i ish-agjentit të antidrogës Roland Rexhepi, që u vra dy vjet më parë. Policia ka njoftuar  se ka identifikuar Bledar Muçën si autor të krimit që ndodhi një natë para ndërrimit të viteve në qendër të Elbasanit.

Arrestimi i policit



Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit tha se ka arrestuar Ardjan Çekiçin, 45 vjeç, me banim në Pogradec, me detyrë kontrollor në pikën kufitare të Kapshticës, pasi akuzohet “për veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit”. Sipas deklaratës zyrtare të drejtorisë së policisë Elbasan, kontrollori i pikës kufitare ka lejuar të kalojë në territorin grek i dyshuari për vrasjen e Ilir Rexhepit, që është identifikuar nga policia si Bledar Muça. Kalimi i pikës kufitare nga shumë i kërkuari ka ndodhur dje rreth orës 10.15 ndonëse, sipas drejtorisë së policisë së Elbasanit, ai ndodhej në listën e të kërkuarve për krime.

Pas këtij veprimi çështja është ndjekur nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Elbasan, i cili ka kërkuar menjëherë arrestimin e Ardjan Çekiçit. Ende nuk bëhen të qarta rrethanat se si i dyshuari për vrasjen e Ilir Rexhepit ka vepruar në kufi. Me gjithë argumentet e sjella nga kontrollori, prokuroria po e heton rastin nëse kalimi ka qenë në bashkëpunim apo pakujdesi e tij. Pavarësisht rrethanave, ndaj kontrollorit është ngritur menjëherë akuza e përkrahjes së autorit të krimit.

Ngjarja

Policia e Elbasanit ka arritur të identifikojë Bledar Muçën si autorin e vrasjes që tronditi qytetin në datën 30 dhjetor, në të cilën u ekzekutua me armë Ilir Rexhepi në një rrugë kryesore, pranë lagjes “Vullnetari”. Muça është shpallur në kërkim dhe një mandat arresti pritet të lëshohet edhe në policinë ndërkombëtare “Interpol”, pasi ai dyshohet se nuk ndodhet më në Shqipëri.  Një javë më parë, 24 orë përpara ndërrimit të viteve, Ilir Rexhepi u ekzekutua me një breshëri automatiku në daljen nga një lokal. Në vazhdën e hetimeve, 15 persona u shoqëruan në komisariat, deri sa u bë i mundur përcaktimi i një piste dhe një motivi. Viktima ishte presidenti i një shoqërie të policisë private në qytet dhe njëkohësisht është vëllai i ish-policit të vrarë dy vjet më parë, Roland Rexhepi, i njohur ndryshe si Doda. Gjyqi i Dodës ende nuk ka përfunduar, ndonëse vrasja ka ndodhur që më 22 korrik të 2009-s. Në seancën e fundit prokuroria kërkoi 48 vite burg për dy të dyshuarit për këtë krim. Dyshohet se vrasja e dytë që tronditi familjen Rexhepi është motivuar nga hakmarrja, por zyrtarisht ende nuk dihen arsyet e kësaj ngjarjeje. F.S

 

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas