Kryesore

Arresti për ish-kreun e Gardës drejt Apelit, Prokuroria bën gati provën për armën


Leonard Bakillari



Tiranë Prokuroria e Tiranës ka vendosur të kërkojë sërish burg për ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, i akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt më 21 janar të vitit të shkuar. Pas rrëzimit të kërkesës për masën e sigurisë “arrest me burg” nga Gjykata e Tiranës, organi i akuzës ka vendosur t’i drejtohet Apelit, ku do kërkojë të njëjtën masë sigurie, duke u bazuar në akt-ekspertimin e FBI-së, i cili tregon se plumbi që i mori jetën protestuesit Faik Myrtaj është qëlluar nga arma e komandantit të Gardës. Burime pranë prokurorisë thanë se ankimi ndaj vendimit të shkallës së parë do të depozitohet në Apel në fillim të javës së ardhshme. Të njëjtat burime konfirmuan se kërkesa për komandantin e Gardës, por edhe për dy të arrestuarit e tjerë do të jetë e njëjtë: caktimin e masës së sigurimit personal “arrest me burg”. Në këtë kërkesë prokuroria pritet të depozitojë edhe provat shtesë, mungesa e të cilave u përdor si argument nga Gjykata e Tiranës për të caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj gjeneralit Ndrea Prendi, edhe pse sipas prokurorisë, ai është autor i dyshuar i një prej katër vrasjeve të ndodhura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 21 janar të vitit të shkuar. Arsyeja përse shkalla e parë vendosi një masë më të butë sigurie për Prendin, kishte të bënte me mungesën e një prove bindëse që vërtetonte se kjo armë ka qenë në përdorim të komandantit të Gardës. Menjëherë sapo u njohën me vendimin prokurorët kryen ekzekutimin e masës së sigurimit “arrest shtëpie” për komandantin e Gardës së Republikës, si dhe administruan në cilësinë e provës regjistrat e armatimit të institucionit të drejtuar prej tij. Mes tyre, hetuesit e çështjes kanë mundur të sekuestrojnë edhe fletë-daljen e armës tip pistoletë me nr. P52796Z, e cila sipas prokurorisë do të paraqitet si provë në Gjykatën e Apelit, ku do të kërkohet sërish burg për komandantin e Gardës. Por gjykata në vendimin e saj thotë se “prokurori pretendon se pistoleta me nr. P52796Z është pistoleta që ka përdorur personi nën hetim, Ndrea Prendi. Por, nga aktet e administruara nga prokuroria deri në këtë fazë hetimi nuk ka një provë të plotë që të provojë saktësisht se kjo pistoletë është përdorur më datë 21.01.2011 nga personi nën hetim. Në “Regjistrin model 34”, ku pasqyrohet pajisja me armatim e efektivave të Gardës, personi nën hetim nuk ka firmosur tërheqjen  e kësaj pistolete nga magazina e armatimit”. Sa i përket kërkesës së dytë, që pritet të dorëzohet në fillimjavë në Apel, prokuroria thotë se do të përfshijë edhe provën e munguar: fletë-daljen e armës, me firmë të komandantit të Gardës, Ndrea Prendi. E njëjta masë sigurimi, pra “arrest me burg” pritet të kërkohet nga prokuroria edhe për shoferin e Komandantit të Gardës, Margarit Kume, i cili dyshohet se ka ndërruar tytat e armëve me shefin e tij, me qëllim fshehjen e provave dhe gjurmëve që do të implikonin në vrasje gjeneralin Prendi. Sipas interpretimit të ekspertizës së FBI-së, plumbi i gjetur në trupin e Myrtajt është shkrepur nga pistoleta e komandantit të Gardës, por mban viaskat e tytës së pistoletës së shoferit të tij, Margarit Kume. Ndaj edhe dokumenti që vërteton se pistoleta “Beretta” me nr. P52796Z ishte tërhequr nga Ndrea Prendi, është një provë e rëndësishme për mbarëvajtjen e këtij hetimi.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas