Kryesore, Mapo Letrare

Arlinda Dudaj: 10 libra që duhen lexuar nga letërsia shqipe

Poezitë e ndjera të Fatos Arapit, rrëfimet përmes vargjeve për dashurinë janë lexime të cilave Arlinda Dudaj, botuese u kthehet shpesh. Ajo e sugjeron poetin, si një nga poetët që nuk duhet humbur pa lexuar në historinë tonë letrare. Më poshtë ajo vjen me 10 sugjerimet e saj mbi librat që duhen lexuar nga letërsia shqipe, për lexuesin e MapoLetrare.

1.Faik Konica , “Vepra e plotë”



Në këtë vëllim është paraqitur publicistika e Faik Konicës. Eshtë e jashtëzakonshme të shohësh mendimet e Konicës dhe pse të shkruara më shumë se gjysëm shekulli më parë ti flasin kohës. Me elegancën e shkrimit ai mbetet padyshim një nga eseistët më të mirë të historisë sonë.

2.Fan Noli, “Vepra e plotë”

“Është përshkrimi më shterues i jetës dhe veprës së Nolit. Është një kryevepër në llojin e vet. Është një enciklopedi e Nolit, ku mund të gjesh përgjigje për çdo aspekt të jetës së tij, si patriot, dijetar dhe kishtar. Libri i Nasho Jorgaqit meriton vlerësimin më të lartë.”, shkruan për këtë libër Arben Puto.

“Nasho Jorgaqi është një nolian i shquar. Zor t’i ketë shpëtuar gjë nga Noli dhe për të, edhe sepse ai është një prej gurrave më të mëdha të letërsisë sonë…Ky është një shërbim kolosal që Jorgaqi i bën letërsisë dhe kulturës shqiptare”, Dhimitër S. Shuteriqi.

Falë kulturës së gjerë dhe përvojës së pasur, por edhe punës së ndërgjegjshme si në terren ashtu edhe në laboratorin e tij krijues, Nasho Jorgaqi ka arritur të krijojë një vepër të arrirë biografike, ku gërshetohen natyrshëm elementi shkencor me atë letrar, fotografia e saktë me interpretimin e lirë, dija me fantazinë.

3.Mitrush Kuteli, “Vjeshta e Xheladin Beut”

“Vjeshta e Xheladin Beut” konsiderohet si një nga novelat më të bukura të Kutelit. “As vetë Xheladin Beu nuk dinte përse ndjente një zbrazëtirë aq të madhe në zemër atij mëngjezi vjeshte të dytë. Një zbrazëtirë sa një zgërbonjë gështenje që e ka brejtur krymbi përbrenda, një shembëtirë, një trubullirë e një neveritje pa fund e pa anë… Edhe çudi: mëngjezi s’ishte i keq. E rrallë dhe e verdhë, vërtet, fleta e plepit përtej dritareve me hekura e kafazë, po qielli i kulluar, i ëmbël. Shpeshëria që, siç na duket neve, njerëzisë, s’ditka kurrë se ç’qenka dhembja e pikëllesa, cicërinte e ngazëllohej me bujë të madhe aty pranë konakëve të beut e tej e tutje – arave, pemëve, qiellit – kurse ay, Xheladin Beu i Shemshedin Beut të xheladin Pashait, apo “Beu i madh”, siç i thosh tërë bota, zot i patundur mbi çifligje e mbi njerëz, ndjente një zbrazëtirë të madhe në zemër. Gojën e kish të hidhur sikur paskej ngrënë shafran, qiellëzën të thatë, gjuhën të trashë si shuall bualli. Dhe herë-herë, një të therur në tepelekun e kokës…”, nis novela.

4.Mitrush Kuteli, “Përralla të moçme shqiptare”

Përrallat e treguara nga Mitrush Kuteli përbëjnë pjesën më të rëndësishme të letërsisë shqiptare, një frymëzim për një numër të madh veprash të tjera letrare që pasuan përgjatë dekadave. Tregime të Motshme Shqiptare përbën një klasik të të gjitha kohërave. Kuteli është një nga mjeshtrat e prozës shqipe.  Veç shkrimeve të shumta në shtypin e kohës, si në fushën ekonomike dhe në atë letrare, Kuteli botoi që në të gjallë edhe 30 libra, (17 në fushën ekonomike, shumica rumanisht) ku shpaloset talenti dhe gjenia e tij krijuese si ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, përrallëtar e kritik letrar. Një vend më vete në krijimtarinë e tij zënë përkthimet, nga Rusishtja, Rumanishtja, Frëngjishtja e Italishtja

5.Ismail Kadare: Pallati i Ëndrrave

‘Pallati i ëndrrave’ është roman i shkruar nga Ismail Kadare në vitet 1976-1981, dhe botuar për herë të parë më 1981 në përmbledhjen “Emblema e dikurshme” nën titullin Nëpunësi i pallatit të ëndrrave. Romani bën fjalë për një shtet totalitar që në shikim të parë duket si Perandoria Osmane, ku ekziston një institucion shtetëror i quajtur Tabir Saraj (Pallati i Ëndrrave), qëllimi i të cilit është mbledhja e ëndrrave të qytetarëve, shqyrtimi dhe interpretimi i tyre me qëllim të gjetjes së shenjave të rebelimit ndaj shtetit ose paralajmërimeve për fatkeqësi. Kritikët letrarë, shqiptarë dhe të huaj, kanë vënë në dukje se Tabir Saraji është aluzion për Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në vitin 1980 me rastin e botimit të romaneve Prilli i thyer, Kush e solli Doruntinën dhe Dasma në një vëllim të përbashkët, Kadare shfrytëzoi rastin dhe i futi aty edhe dy kapitujt e parë të romanit Pallati i ëndrrave.

Pas botimit njerëzit filluan të vërenin ngjashmëri mes përshkrimeve të qytetit ku luheshin ngjarjet në roman dhe Tiranës. Disa veçori të Tabir Sarajit u kujtonin njerëzve ndërtesën e Komitetit Qendror të PPSH-së. Edhe atmosfera e terrorit në roman të kujtonte atmosferën e terrorit në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Binte në sy edhe fakti që autori nuk kishte provuar aspak ta bënte romanin historikisht të saktë, përkundrazi, në të kishte anakronizma të shumta qëllimi i të cilave ishte ta bënin ngjarjen të tingëllonte aktuale.

6.Fatos Kongoli, “I humburi”

Romani hapet me përshkrimin e ikjes së mijëra shqiptarëve, në mars të vitit 1991, nga Shqipëria. Ikje jo aq nga rreziku i persekutimit policor, ngase regjimi totalitar ishte në shembje e sipër, sa nga vendi ku ishin shtresëzuar pasojat e sundimit të këtij regjimi. Ikje prej gjurmëve dhe shenjave që mund të rikujtonin tmerrin e sundimit totalitar kah një botë imagjinare e bollëkut dhe lumturisë.

Në këtë roman janë fare të rralla fjalët që do të sygjeronin drejtpërsëdrejti kontekstin politik apo natyrën e regjimit politik brenda të cilit çojnë jetën personazhet. Autori arrin të vërë në pah, me mjete letrare, atë që shquan botën e personazheve të tij. Njeri nga këto mjete ka të bëjë me figurat e ndryshme të kafshës dhe lidhjet e tyre me trajtat e vdekjes që shpalosen në këtë roman.

7.Diana Culi, “Requiem”

Një nga romanet më të bukur të Diana Culit . “Te Rekuiem kam dashur, ndoshta, të bëj një skaner të deformimit të shpirtit njerëzor në një sistem autoritarist, siç ishte sistemi i atëhershëm. Kam përdorur dy figura grash, sepse, kuptohet, shpirtin dhe botën e gruas e njoh më mirë. Aq më tepër në atë kohë, kur isha shumë më e re dhe me më pak përvojë jetësore për të njohur njeriun. Me gratë e kisha më të lehtë, se nuk lodhesha aq shumë për t’i kuptuar. Tani them se mund të shkruaja edhe një roman me dy burra rivalë në qendër të subjektit, se kam një jetë të gjatë mbi shpinë.”, është shprehur ajo për këtë libër. Libri tregon historinë e dy mikeshave.

8.Ardian Vehbiu, “Sende që nxirrte deti”

“E lamë shkollën atë ditë, dhe u kuturisëm me tren në Shkozet. Lajmi kish qenë i saktë: e gjithë vija e plazhit, nga porti deri poshtë tek Iliria, ishte e mbushur me kartonët që kishte nxjerrë deti: cigare Winston, Camel, Kent, More, Chesterfield (pa filtër), Muratti Ambassador dhe të tjera që nuk më kujtohen – me mijëra, mijëra, mijëra paketa të bukura; shpërhapur në rërë si leshterikë prej përralle a bizhuteri të sirenave.

Për fat të keq, të tjerë kishin punuar natën dhe kishin marrë gjithë ç’mund të shpëtohej; cigaret që gjetëm ne ishin të gjitha të dëmtuara nga uji dhe kripa e Adriatikut, gjysmë të shkërmoqura, të papërdorshme, pa çka se ambalazhet shumëngjyrëshe ishin ruajtur. E kaluam gjithë paraditen duke qëmtuar kutitë, me zemër të plasur, sepse i kishim bërë mushkëritë gati për aromat “amerikane” që në tren. Asgjë nuk mund të rikuperohej më, gjithçka kish vajtur dëm”, fragment nga libri.

Publicisti dhe studiuesi Ardian Vehbiu, që jeton në Neë York, njihet nga lexuesi shqiptar, mes të tjerash, për esenë “Kulla e Sahatit” (K&B, 2003), polemikën “Kundër purizmit” (Dudaj, 2012), librin me tregime “Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit” (K&B, 2011) dhe studimin “Shqipja totalitare” (Çabej, 2008), për të cilin u nderua me çmimin kombëtar “Gjergj Fishta” në vitin 2009; por edhe si autor i blogut “Peizazhe të fjalës” dhe një nga pionierët e diskursit kritik në komunitetet virtuale shqip. Eseja e tanishme, “Sende që nxirrte deti”, është libri i tij i dhjetë në shqip.

9.Ardian Klosi, “Te kundërcjapi”

Epiqendra e veprimit të romanit “Arka e Djallit” është fshati provincial i Qershizës. Lexuesi do të shpejtonte të pyeste: E ç’mund të presësh nga përshkrimi i jetës së një fshati të humbur? Vetëm ca histori të parëndësishme, trashanike e banale? Se, ç’mund të ndodhë aty më shumë se kaq? Por s’është kështu…

10.Fatos Arapi, “Poezi”

Fatos Arapi është poeti i përsiatjeve të thella meditative. Ai është padyshim një nga poetët më modernë në historinë tonë letrare. Përmbledhja e plotë poetike e veprës së tij është një përmbledhje që duhet të jetë në çdo bibliotekë. Arapi di ti flasë ndryshe dashurisë dhe të çojë drejt saj përmes vargjeve.

PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas