Mapo Letrare

Antologjia e të vrarëve e Visar Zhitit

uran butkaNga Uran Butka

 



Botimi “Lajmëtarë të Europës”, antologji e të vrarëve, nga shtëpitë botuese UET-PRES dhe OMSKA-1, është i pari i këtij lloji, me portrete, poezi e prozë të kundërshtarëve të diktaturave, një gërshetim origjinal i fjalës së thukët të autorit me krijimtarinë e tyre, një përqasje domethënëse me kohën e sotme, një homazh për martirët e mendimit e të kulturës dhe veprën e tyre të njëmendtë letrare të munguar.

Pas librit për letërsinë e nëndheshme të burgjeve, një vlerë e shtuar e letërsisë shqiptare, Visari, në botimin “Lajmëtarë të Europës”, tashmë edhe si një studiues dhe hulumtues i thellë i historisë së kulturës, gdhend portrete mendimtarësh, eseistësh, poetësh, shkrimtarësh, gazetarësh, kundërshtarë te diktaturës, por edhe përzgjedh e sjell krijimtarinë e tyre, një vlerë tjetër e shtuar e kulturës e letërsisë sonë. Visari kështu harron vetveten, shkëputet për një kohë nga krijimtaria e mirëfilltë e tij, për të kujtuar të tjerët, një dimension tjetër human i Visar Zhitit. Ai sjell në këtë botim një pasuri të panjohur eseistike e letrare të lajmëtarëve të Europës, që u vranë pafajësisht nga komunizmi, por u vranë përsëdyti me harrim. “Nuk i lanë të jetonin, por as të vdisnin. Ata s’kanë parë vdekje, por vrasje, pra janë të pavdekshëm”, – shkruan për ta Visari. Pas prologut me një trini poezish të ndjera, si në tragjeditë greke, libri hapet me një trini vrasjesh makabre, që shënuan edhe nisjen e masakrave masive përgjatë luftës civile 1943-1945 dhe të luftës së përbindshme të klasave përgjatë regjimit enverist, më e egra në gjithë vendet e Lindjes. Safet Butka, të cilin Visari e ka përjetësuar edhe në poezi, është për autorin një intelektual me përmasa europiane, një orakull, krisht i kryqëzuar, misionar i bashkimit kombëtar dhe luftëtar i lirisë, që vrau veten për të ndalur vëllavrasjen, në shenjë proteste,  paralajmërimi e vetëmohimi, me thënien e tij profetike: “S’ka gjë më të keqe për një komb sesa lufta brenda vetes. Të parin dhe të fundit shqiptar që mund të vras unë, është vetja ime”.

Filozofi, politikani, poeti dhe europianisti i madh Llazar Fundo, u vra nga sadisti E.Hoxha: “Torturojeni për vdekje, pastaj pushkatojeni andej”, urdhëronte ai Shefqet Peçin, sikur të ishte një qen e jo luftëtari antifashist, që tok me kryezinj luftonte në Kosovë kundër gjermanëve. Visar Zhiti ka zbuluar dhe ka nxjerrë kontributin e Fundos dhe të shqiptarëve të tjerë intelektualë e antifashistë si Selman Riza, Safet Butka, Stavri Skendo etj., të djathtë e të majtë, që në bashkëpunim me europianistët italianë Sandro Pertini, Altiero Spineli, Ernesto Rosi etj., hartuan “Manifestin e Ventotenes” projektin për një Europë të lirë, demokratike dhe të bashkuar, ku ne përpiqemi mundimshëm të integrohemi sot. Visari ka meritën që ka botuar për herë të parë poezitë e panjohura të Llazar Fundos, që i ka përkthyer nga italishtja, si edhe kujtime të Altiero Spinelit për Llazar Fundon. “Dua të shpresoj se përveç meje, ka edhe ndonjë shqiptar në botë që e kujton”, shkruan Spineli. Po, ka, ky është shqiptari Visar Zhiti.

Po autori, siç zbulon rrënjët e së mirës, zbulon edhe rrënjët e së keqes, filozofinë dhe praktikën kriminale të komunizmit dhe të stalinistit E. Hoxha, që vrau Shqipërinë e shqiptarët, që pushkatoi pikërisht 70 vjet më parë me qindra intelektualë, patriotë, botues, gazetarë e qytetarë tiranas, që të mos i gjente të gjallë çlirimi i kryeqytetit, midis tyre edhe lajmëtarin tjetër të Europës, Nebil Çika, autor i veprës “Njëmendësia shqiptare” dhe korrespondent i metropoleve të Perëndimit.

Në libër kalojnë me radhë portretet e skalitura me dorë mjeshtërore dhe me gjetje emocionale e detaje poetike për secilin prej martirëve të pasluftës, apo siç i quan Visari, të “Krimeve të Paqes”, edhe më monstruoze e të paligjshme se ato të Luftës, që nga Lazër Shantoja, që kur u pushkatua në vitin 1945 thirri “Rrnoftë Shqypnia”, duke vazhduar me prelatët e mëdhenj të fesë e të kulturës, mbledhës të visareve të kombit, si Bernadin Palaj e Donat Kurti, që takoheshin me kreshnikët në Bjeshkët e Namuna, mandej me poetin kombëtar Gjergj Fishta, eshtrat e të cilit ia hodhën në Drin, gazetarin e mirënjohur dhe themeluesin e shkollës kombëtare, ministrin Mirash Ivanaj, të cilin Gjergj Kokoshi e ftoi të vinte në Shqipëri për të ndihmuar, por rrufjani Hoxha e dënoi përjetësisht në burgun e Burrelit, pse i preu bursën e shtetit në Francë dhe detaji që zgjedh Visari nga gjyqi:

  • Për çka jam dënue, zotni? – pyet Mirashi.
  • Ke ardhur me idenë që të bësh propagandë!
  • Po a ka ligj në botë që të dënojë mendimin?

Po ashtu, shkrimtaren e parë shqiptare, Musine Kokalari, e vdiqën për së gjalli. “Unë s’jam fajtore, s’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj, – thërriste ajo, që ishte një lule e shkelur. Shkencëtaren e parë shqiptare, Sabiha Kasimati, pasi e pushkatuan për mërinë e diktatorit, veprën e saj shkencore në dorëshkrim “Peshqit në Shqipëri” ia vodhën dhe e botuan me emrin e një rusi, Anatoli Poljakov e të bashkëpunëtorit të tij shqiptar, Ndoc Rakaj. Po ashtu, pushkatimi i poetit dhe intelektualit Manush Peshkëpia nuk kishte asnjë lidhje me bombën në Ambasadën Sovjetike, ishte vetëm një pretekst për ta vrarë atë dhe goditur familjen Peshkëpia, ndërkohë që bibliotekën shumë të pasur të Manush Peshkëpisë, pas pushkatimit të tij, e mori prokurori i përgjithshëm, Siri Çarçani.

Janë 28 portrete të martirëve të gjallë, prej të cilëve katër nga Kosova dhe një nga shqiptarët e Maqedonisë, si poetët Vilson Blloshmi e Genc Leka, që u pushkatuan në lulen e rinisë për disa poezi lirike, poeti Trifon Xhagjika, që klithi në gjyq për atdheun lakuriq, Jusuf Gërvalla, shkrimtar, gazetar dhe muzikant, që e vranë tek shkruante “Në zgjimin tim më të heshtur, të më ngurosni, në flijimin tim… për Kosovën”, Avzi Nela, poeti që shkruante poezi për frymën e Helsinkit, por që e varën në litar dhe duke mbaruar me kombëtaristin e poetin Agim Ramadani, të cilin e vranë me gurin e shkulur të kufirit Shqipëri-Kosovë mbi kurriz.

Filli që i përshkon këto figura është e vërteta tragjike. Vetëm me anë të së vërtetës mund të evidentojmë vlerat, identitetin tonë europian, por edhe të shërojmë shpirtrat e tronditur të shqiptarëve kudo që janë.

Visari zbulon jetë tragjike, por edhe veprën e tyre të bukur: përsiatje, poezi, prozë, pjesë ditarësh, kujtime, dorëshkrime me vlera historike, kulturore, por edhe estetike e artistike. Një antologji ndryshe, që vetë Visari nuk e sheh shteruese, por si një nismë, një fillim gërmimi qiellor.

Visari, një gërmimtar i ferrit dhe qiellit shqiptar, madje edhe pjesë e tyre.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas