Kryesore

Antidroga, luftë me trafikantët në kufi me Greqinë


Gjirokastër -Rreth 150 kilogramë marijuanë e bllokuar, 3 armë zjarri pistoleta të sekuestruara si dhe 6 persona të shpallur në kërkim, janë rezultatet e një operacioni të zhvilluar nga antidroga e policisë së Gjirokastrës, pranë vijës kufitare me Greqinë. Madje gjatë veprimeve të tyre agjentët e antidrogës për rreth 30 minuta rresht kanë shkëmbyer zjarr me grupin e trafikantëve, duke bërë që ky operacion të shndërrohet në një betejë luftarake.

Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, operacioni antidrogë i koduar “Akulli” është zhvilluar pranë fshatit kufitar Dritë, në komunën e Dropullit të Sipërm. “Rreth orës 03:00 të mëngjesit të së enjtes, në rrugë operative ne morëm një informacion, i cili bënte fjalë për një tentativë të trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të Greqisë, në zonën kufitare pranë pyllit të Katundës. Sipas këtij informacioni 6 persona të armatosur po transportonin 4 çanta shpine që dyshohet se ishin me lëndë narkotike, e cila kishte si destinacionin shtetin grek”, -thonë specialistët e Sektorit kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër. Pas marrjes së informacionit, efektivat e antidrogës kanë nisur punën për goditjen e këtij rasti të trafikut të lëndëve narkotike, si dhe ndëshkimin ligjor të autorëve të tij.



Fillimisht, nëpërmjet mjeteve logjistike bashkëkohore, agjentët e antidrogës në policinë e Gjirokastrës evidentuan vendndodhjen e grupit të përbërë prej 6 personash. “Rreth orës 03:30 ata po i afroheshin kufirit jeshil me Greqinë ndërsa transportonin çantat e shpinës”, – thonë burimet policore. Në zonën pranë fshatit kufitar Dritë, specialistët e Sektorit kundër Narkotikëve i janë afruar grupit të trafikantëve në një distancë prej 100 metrash. “Ndërsa iu bëmë thirrje që të ndalonin, të gjashtë personat vijuan rrugën duke hapur zjarr drejt nesh”, – thotë një prej agjentëve të antidrogës, pjesëmarrës në këtë operacion.

Breshëritë e plumbave mbi policinë kanë vijuar për rreth 30 minuta, ndërkohë që efektivat blu janë kundërpërgjigjur duke qëlluar në ajër. Në këtë situatë, specialistët e antidrogës në Gjirokastër kanë kërkuar ndihmën e kolegëve të tyre të policisë kufitare të Kakavijës, si dhe të policisë së Janinës. Sipas burimeve policore, ndërsa konstatuan këmbënguljen e policisë për vijimin e operacionit, të gjashtë pjesëtarët e grupit kanë braktisur çantat me lëndë narkotike si dhe armët e zjarrit dhe duke përfituar nga errësira e terreni i pyllëzuar kanë arritur të largohen dhe të fshihen në tokën greke. Gjatë mbledhjes së provave të para grupi hetimor konstatoi se trafikantët kishin braktisur në total rreth 150 kg marijuanë, e cila ndodhej në katër çantat e shpinës të hedhura mes shkurreve.

Gjithashtu policia gjeti edhe tri pistoletat, dy të tipit “TT” dhe një e tipit “Zastava”, me të cilat grupi i trafikantëve kishte qëlluar mbi policinë. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar nga policia lënda narkotike, armët e zjarrit, disa sende personale të gjashtë personave, si dhe prova te tjera materiale që shërbejnë për dokumentimin me prova ligjore të autorëve të këtij rasti të trafikut të lëndëve narkotike me destinacion Greqinë. Pas një pune intensive grupi hetimor ka bërë të mundur identifikimin e gjashtë personave, tre prej të cilëve dyshohet se janë nga fshati Lazarat dhe tre të tjerët nga Gjirokastra. Gjatë gjithë ditës së enjte strukturat e Policisë së Shtetit në Qarkun e Gjirokastrës në bashkëpunim me policinë e Janinës, e cila ka përdorur edhe një helikopter, kanë vijuar kontrollin e zonës kufitare me qëllim ndalimin e gjashtë personave të dyshuar për përfshirje në këtë rast të trafikut të lëndëve narkotike me destinacion shtetin grek. Materialet e kësaj ngjarjeje i kaluan për veprime të mëtejshme ligjore Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë. për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim”.

Bledar Shehu

PasPara

1 koment

  1. Kjo zonje mori persiper nje detyre mbi afesite e pergjegjesite e saj.Kjo u kthye ne nje sherbetore te Topit dhe nje vasale te opozites. Perjashtuar 21 janar, qe per mendimin tim eshte nje sulm mbi institucione pasi do te isha kurioz si do ta quante zonja Rama po te beheshin nja 1.000 veta e te gjuanin me gure,bomba molotov etj institucionin e prokurorise te pergjithshme, pra por raste flagrante kur djali i nje deputete socialsite pasi vret denohet me propozim te prokurorit me 2 vjet burg,apo rasti djalit te Arta Dades qe lihet i lire, e keshtu djali Rucit, perse zonja prokurore nuk i trajtoni njesoj qytetaret shqipetar pasi politikanet prej kohesh i keni diferencuar,si shpjegohet qe asnje pushtetar vendor socialiste nuk keni cuar ne gjykate?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas