Arkiva 2, Sport

Ancelotti dhe Mancini, dy kandidatët në garë për trajnerin e Italisë

Më 20 maj do të përcaktohet emri i trajnerit të ri të kombëtares italiane në futboll, datë që u konfirmua një ditë më parë nga zv.komisari i Federatës Italiane të Futbollit, Alesandro Costacurta.

Në atë datë kanë përfunduar kampionatet në të gjithë Europën dhe futbolli përgatitet për Botërorin “Rusi 2018”, ku Italia do të mungojë për hgerë të parë pas 60 vitesh.



Mediat italiane zbulojnë sot se në garë për postin e trajnerit të kombëtares “azzurre” kanë mbetur Carlo Ancelotti (aktualisht pa ekip pas shkarkimit nga Bayern) dhe Roberto Mancini (aktualisht trajneri i Zenit). Ndërsa Antonio Conte e Claudio Ranieri mbeten në “vijën e dytë”, më pak të preferuar nga Federata.

Duket se Di Biagio nuk bind dhe loja e Italisë në miqësoren e humbur ndaj Argjentinës e konfirmoi këtë gjë, por trajneri i kombëtares U-21 pritet të jetë pjesë e stafit të trajnerit të ri.

Ideja e Federatës është që skuadra t’i besohet një trajneri me përvojë në arenën ndërkombëtare, çka e bën Ancelottin favorit karshi Mancinit, që është ende nën kontratë me rusët e Zenit.

Por Seria A mbyllet më 20 maj, ndaj po atë ditë do të shpallet edhe emri i trajnerit të ri, që do të debutojë në një miqësore që Italia do të luajë më 1 qershor ndaj Francës. Pritet që javën e ardhshme drejtuesit e Federatës Italiane të Futbollit të nisin bisedimet me dy kandidatët në garë, për të rilindur futbollin italian./TeleSport

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas