Kryesore

Analiza: Hisja e drogës, në këmbim të heshtjes së disa ndërkombëtarëve…

Nga Artur Zheji

Ka disa vende që prodhojnë shumë naftë dhe rregjimet e tyre, shpërndajnë aksione apo puse nafte, jahte dhe pushime lluksoze, hareme femrash dhe stoli diamanti, për të marrë mbrapsht favore e proteksione që mbrojnë regjimet e tyre.



Në Shqipëri, gjatë viteve 2015, 2016, u mbollën dhe u korrën sasira maramendëse mariuane, të liçensuara nga shteti dhe të toleruara përgjithësisht nga ndërkombëtarët, përjashtuar misionet e specializuara italiane të vëzhgimit dhe denoncimet e tyre publike që u anashkaluan.

Në të vërtetë Shqipëria, nuk mund të prodhonte diçka tjetër, që të jepte mbrapsht, sasira të mëdha parashë të thata, të nivelit disa miliardësh, euro apo dollarë, si shtetet e tjera të sheikëve arabë, apo diktatorëve afrikanë që shkëmbejnë mbështetjen e pushtetit me diamante, ar dhe thesare të tjera të nëntokës së tyre.

Këshilltarë të mirëinformuar, e udhëzuan KM-në e sotëm, se mund të vepronte pa frikë dhe masivisht, si në një program kombëtar antivarfëri, në mbjelljen masive me mariuanë, të pjesës më të madhe të Shqipërisë.

Mjafton që të luhej nje teatër i mirë mediatik, që do ta bënte në një kohë të dytë, urdhëruesin e mbjelljeve me mariuanë të disa mijëra ngastrave anë e mbanë Shqipërisë, në luftonjësin e vendosur kundër epidemisë kanabiste.

Dhe mbas viteve 2015, duke kulmuar në vitin parazgjedhor 2016, bari, malli, kanabisi, mariuana, u bë e përditshmja herë e mundimshme dhe herë fitimprurëse e shumë shqiptarëve.

Të gjitha denoncimet e ca pak mediave dhe të opozitës, apo të ish-ministrit të drejtësisë Manjani, ranë në veshin më të shurdhër të të gjitha kohërave të përfaqsuesve të lartë ndërkombëtarë në Shqipëri, duke shënuar një rekord “indiference” të orkestruar.

Ishte ky një turp, apo një kontratë?

Një kontratë personale e këtyre ambasadorëve të “dashuruar” mbas Vettingut, kur Shqipëria zhytej në drogë, apo kishte edhe një “kontratë” të pashkruar me vendet nga ata vinin?

Asnjë nga variantet nuk është e provueshme në mënyrë direkte, porse kronika e historisë reale  dhe të faktuar të këtyre dy viteve, prodhon përfundime kokëforta, që u përjetua intensivisht, përcaktoi zgjedhjet e vitit 2017, por nga ana tjetër, ka mbuluar territorin shqiptar, me banda dhe superbanda të reja trafikantësh të të gjitha përmasave, që kërkojnë sot, të mësuar me para të madhe dhe shpërdorime të mëdha, përsëritjen vetjake të viteve të arta 2015-2016.

Edhe mbjelljet e këtij viti, janë të begata, por më të maskuara dhe me teknika më të sofistikuara.

Mirëpo ndryshe nga dy-tre vite më parë, kjo nuk përbën më lajm apo habi.

Çështja është, që ne shqiptarët me “një sy” kundrejt një shumice të verbër, të kuptojmë se çfarë eksperimenti social po bëhet me këtë vend, ku trafiku i kokainës është një industri e rëndë, ndërsa mariuana një “sport popullor”?

Duket se krahas trafikimit të “Mallit”, vijon edhe trafikimi i çantave me kash, në pikëtakimet apo destinacionet e caktuara, në kontrata të panjohura, por mjaft funksionale dhe perfekte.

Është pra Shqipëria një vend kaq i vogël dhe kaq i përmbytur nga korrupsioni i brendshëm, saqë tolerimi ndërkomëbatar, i drogës së të gjitha llojeve, ka zëvendësuar programet e ndihmave ekonomike?

Nga pikëpamja llogjike duket nje formulë e arësyetuar, sepse miliardat e dollarëve, mbërritur në këtë vend në formë ndihmash, më së shumti janë vjedhur dhe janë shndërruar në vila e luks të qeveritarëve të rradhës, andaj tolerimi i drogifikimit të Shqipërisë, mund të jetë edhe një formulë “bujare” dhe cinike, për të zbutur varfërinë e skajshme.

Dhe për të zbatuar këtë “program” pervers zhvillimi, që prodhon edhe çanta të mëdha që shkojnë e vijnë, kontrata ka nevojë për një kundërpalë lokale të qëndrueshme, që zbaton nga njera anë “menaxhimin” në terren dhe nga ana tjetër dhe “pagesën” e kripur, në mënyrë të përpiktë.

Këtu edhe mbyllet rrethi dhe bëhet e shpegueshme “verbëria apo shurdhëria” e orkestruar e ndërkombëtarëve, që dërdëllisin për demokracinë dhe rregullat e saj, seminareve me të mitur.

Pra duket se edhe për ca vite, aq sa të vazhdojë kontrata, pala lokale kontraktuese do të mbetet në pushtet dhe zgjedhjet politike do të jenë një farsë, krejtësisht dhe ndërkombëtarisht e toleruar.

/360grade.al/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas