Kryesore

Analiza e Preç Zogajt: Ku po gabon opozita me ‘informacionet e rezervuara

Nga Preç Zogaj

Ka muaj, madje vite, që një pjesë e lëndës politike që furnizon aksionin opozitar kundër qeverisë apo aksionin qeveritar kundër opozitës vjen nga informacionet e rezervuara, që sigurojnë palët andej-këndej, nga bisedat konfidenciale me miqtë e tyre, nga aksesi në raporte dhe sekrete që etiketohen si të “vendeve partnere”, duke nënkuptuar policitë dhe shërbimet inteligjente të këtyre vendeve, nga “investigime” dhe denoncime të ndryshme brenda vendit prej individësh që më shumë duan të mos identifikohen sesa të dalin hapur.



Shembujt janë shumë dhe të vazhdueshëm. Për shkak edhe të tërheqjes së veçantë që ka ky lloj municioni në arenat e debateve, praktikisht informacionet e rezervuara apo edhe okulte, që i dinë vetëm krerët e partive, po japin tonin, po dominojnë përplasjen politike. Ato, madje po përcaktojnë dikotominë politike, duke e denatyruar atë si përballje dhe përplasje alternativash, arritjesh dhe dështimesh, argumentesh dhe kundërargumentesh, të vërtetash dhe gënjeshtrash, e tjerë. Jo se informacionet e rezervuara apo të filtruara nga policitë dhe shërbimet inteligjente nuk duhet të përdoren politikisht kur është nevoja. Jo se investigimet e individëve të lirë apo denoncimet e qytetarëve që duan të ruajnë anonimatin nuk duhen vlerësuar. Përkundrazi. Le ta themi menjëherë: Këto janë burime të respektueshme dhe madje të pazëvendësueshme për formimin e qëndrimeve politike për çështje të ndryshme. Por ka një filtër, ka një analizë, ka një sens mase, ka një kufi deri ku politika mund të mbështetet e ushqehet me “të fshehta” e ku duhet të dalë e të lundrojë në detin e hapura të fakteve publike që janë vetë jeta e përditshme e qytetarëve.

Kur “informacionet e rezervuara” dhe “sekretet” marrin pjesën më të madhe apo gjithë terrenin e politikës, pa kaluar në filtrat e një verifikimi dhe vlerësimi serioz, vetë politika shpërfytyrohet në arsyen përse ekziston dhe në mënyrën si funksionon. Ajo bie në perversitet. E vërteta bëhet një kimerë, ku askush nuk e rrok.

Shfaqjen tipike të këtij denatyrimi, mjerisht, e shohim shpesh në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë dhe në aula të tjera publike ku Kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama, dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha, shkëmbejnë herë pas here kërcënime, që qartazi lënë të kuptohet se mbështeten në indicie, rrjedhje informacioni apo të dhëna që ata marrin për njëri-tjetrin nga miq dhe burime të huaja. Në fund të muajit maj, Rama u dëgjua t’i drejtohej shefit të opozitës me paralajmërimin ‘të pret një qershor i vështirë Lulzim!’, duke nënkuptuar e duke u bërë jehonë zërave se Basha do të hetohej nga hetues të huaj për pagesat ndaj lobistit amerikan Nick Muzin dhe për lidhje me sipërmarrës rusë. Që Basha po hetohet nga Prokuroria e Shqipërisë për pagesat në fjalë, ky është një fakt i njohur. Hetimin, veç të tjerash, e ka kërkuar vetë kryetari i PD-së pas një shkrimi për këtë temë botuar nga revista amerikane “Mother Jones”. Por mesazhi i Ramës nuk kishte parasysh këtë hetim. Duket qartë se rrihte shumë më larg. Nga ana e tij, Basha i është drejtuar disa herë Ramës me: “e di ti çfarë të thanë”, “e di ti çfarë të pret” e gjëra të tilla që e adresojnë kureshtjen apo fantazinë e dëgjuesve në zyra të ndryshme në Bruksel, Berlin apo Uashington. Në fakt, janë të zakonshme mesazhet e koduara që shkëmbejnë prej shumë vitesh politikanët e lartë shqiptarë me njëri-tjetrin, ku ata duken sikur janë lojtarë të tjetërkujt, shemra apo zgjatime të një konfrontimi më të madh. Një prej të këqijave të mëdha të një konfrontimi të tillë pa lidhje me problemet konkrete të vendit është se në këtë terren të rrëshqitshëm qarkullojnë dhe rrjedhin edhe shumë lajme të rreme apo okulte që shtojnë konfuzionin dhe vetëm e helmojnë atë që duhej të ishte debati i shëndetshëm politik.

Humbin të gjithë, por humbjen më të madhe e ka opozita. Pse? Sepse konfrontimi i mbështetur në të dhëna të tilla përfundon shpesh si një debat mbi opinione. Jo do t’i marrë paratë e Tojotës iksi, jo do t’i marrë ipsiloni, sa për të dhënë një shembull. Qeveria i ka në favor debatet për çështje korrupsioni që zhvillohen si opinione. Opozita i ka në disfavor. Prandaj, opozita, nëse mëson apo bie në kontakt me një informacion të rezervuar dhe vendos ta shpallë atë në funksion të axhendës së saj politike, duhet të jetë shumë e qartë për vërtetësinë pa bishta të informacionit dhe për strategjinë e shpalosjes. Në të kundërtën, më mirë të presë. Vendi zien nga skandalet dhe të vjen keq kur nga nxitimi apo paaftësia, opozitës i ndodh të konsumohet në skandale që nuk i bëjnë punë ose i kthehen në boomerang. Në politikë, një e pavërtetë rrëzon zakonisht tre-katër të vërteta të tjetrit. Shërbimi më i mirë që mund t’i bësh kundërshtarit që e ka tepruar me abuzime dhe shpërdorime, është t’i thuash një gjë që nuk e ka bërë.

Ka pasur raste kur opozita aktuale ka përdorur me sukses ndonjë informacion konfidencial. Por qëndrimet dhe kauzat e mëdha ajo i ka ndërtuar e çuar përpara duke u mbështetur në fakte publike, të cilave u ka dhënë jetë duke i artikuluar publikisht nga këndvështrimi i saj. Të tilla mund të përmendim kauzat e dekriminalizimit dhe dekanabizimit, qëndrimet e efektshme kundër evazionit në dogana dhe informalitetit selektiv, qëndrimet e forta kundër koncesioneve korruptive në shëndetësi, kundër vendosjes së inceneratorëve, kundër shembjes se Teatrit Kombëtar, e tjerë, e tjerë.

Në të vërtetë, pa mohuar vlerën që mund të kishte në një rrethanë të caktuar zotërimi i një informacioni të rezervuar me peshë që ka të bëjë me korrupsionin dhe skandale të tjera të qeverisë, opozita më e mirë e më e besueshme është ajo që bëhet duke u mbështetur në fakte publike të jetës së përditshme. Një fakt i tillë, për shembull, është raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2017 dhe konkluzioni përfundimtar i këtij raporti se në total shkeljet dhe abuzimet me fondet buxhetore të subjekteve të audituara shkojnë në shumën 110.5 miliardë lekë ose afërsisht 825,6 milionë euro. Tetëqind e njëzet e pesë milionë euro! Një shifër kolosale për buxhetin e Shqipërisë! Një e dhënë tronditëse e papërgjegjshmërisë ekstreme dhe korrupsionit në sistem. Prapa kësaj shifre është një tablo e hollësishme, që tregon ku, si dhe nga kush janë bërë shkeljet. Kush ka përgjegjësi, kush duhet të përgjigjet. Opozita i ka bërë jehonë, por duhet ta përdorë më shumë këtë raport. Të mos harrojmë se këto të KLSH-së nuk janë vëzhgime spontane, por audite profesionistësh që kalojnë në disa shkallë verifikimi e saktësimi para se të shpallen. Është vërtet për t’u habitur që opozita nuk mbështetet fort në gjetjet e KLSH-së që taksapaguesit e mbajnë pikërisht për të kontrolluar shpenzimet e çdo qindarke që paguajnë përmes taksave. Ndoshta pengohet prej faktit se edhe gjatë qeverisjes së mëparshme ka pasur abuzime të konsiderueshme që janë pasqyruar në raportet e KLSH-së. Ky nuk mund të jetë një argument. Opozita e ka marrë ndëshkimin politik për shpërdorimet e djeshme në qeveri. Ajo mund të kërkojë falje, por nuk mund të kompleksohet. Sepse do të renonconte nga misioni që ka.

Një temë tjetër e madhe në sytë e publikut që ngërthen në një të vetme mijëra drama njerëzore e njëherësh një korrupsion të jashtëzakonshëm, është ajo që ndodh në Shqipëri me lojërat e fatit. Kthetrat e lojërave kanë kapur e po kapin për fyti vendimmarrjet e mëdha. Aktualisht, nuk ka asnjë forcë tjetër në vend që mund të ngrihet kundër kësaj fatkeqësie të madhe për vendin dhe qytetarët.

Jeta e përditshme prodhon orë e çast tema për opozitarizmin e madh apo të vogël, kombëtar apo lokal. Këto tema e kërkojnë opozitën orë e çast, gjithashtu në skenën e hapur të ndodhive dhe zhvillimeve. Kështu bëhet edhe më efektive, edhe më misionare, dhe çfarë i duhet më shumë sot, edhe më elektorale.
Burimi: http://www.panorama.com.al/analiza-ku-po-gabon-opozita-me-informacionet-e-rezervuara-nuk-behet-politike-me/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas