Kryesore, Media

Analistët Artur Zheji, Baton Haxhiu dhe filozofi Blerim Latifi pro ‘opsioneve të hapura’ ndaj propozimit të Thaçit

Analistët Artur Zheji, Baton Haxhiu dhe filozofi Blerim Latifi janë ‘për opsione të hapura’ ndaj propozimit Thaçi. Baton Haxhiu thekson se ndarjet janë gjithmonë të vështira, veçanërisht ato territoriale. Por ai thekson se shqiptarët duhet të jenë të vendosur të japin propozime të zbatueshme në praktikë për pajtim me Serbinë dhe të gjejnë realisht zgjidhjen për paqen e së ardhmes. Sipas tij, Kosova mund të bëhet shtet funksional vetëm nëse zgjidhja kërkohet në ridefinim ose delimitim të kufirit me Serbinë, sepse, ndryshe, frika kurrë s’do ndalojë së krijuari probleme në këtë tokë. Edhe filozofi Blerim Latifi, nënvizon që në krye të shkrimit të tij se një nga traumat, në mos trauma themelore, e kombit dhe nacionalizmit shqiptar është trauma e kufirit. Prandaj, sipas Latifit, sa herë që në mesin tonë preket çështja kufirit, trauma aktivizohet, nga thellësitë e errëta të asaj që Jungu e quante e “pavetëdijshmja kolektive” dhe më pas frika e mbërthen kombin. Frika e tkurrjes, si paralajmërim i shpërbërjes. Ai nënvizon se ata që marrin guxim ta prekin plagën, rrezikojnë të kthehen në subjekte të mallkimeve e akuzave, nga më të rëndat, njësoj si ata që thyejnë tabutë e shoqërisë. Në rastin për Kosovën, Latifi deklaron se këshilla e Burke-s, do të ishte kjo: Duhet të bëjmë politikë duke pasur kujdes me traumat e paraardhësve tanë dhe të njëjtën kohë edhe më shumë kujdes që të ndërtojmë një të ardhme pa trauma kolektive për ata që do të lindin.

Ndërsa analisti Artur Zheji është i mendimit se të akuzosh Thaçin për tentativë tradhëtie kombëtare, është një fantazi Mesdhetare dhe një lojë e pastër politike. Ai thotë se Thaçi ka qenë dhe është, dhe të gjithë e dinë këtë, një njeri që ka mbi supe ngrohtësinë e mbështetjes amerikane, që në kohën e Luftës së Kosovës, dhe pandashmërisht deri më sot. Sipas Zhejit, “Tezat” e Thaçit për korigjime kufinjsh, nuk mund të jenë asnjëherë “vetëm tezat e tij”, kush nuk e kupton këtë, gabon me dashje. “Thaçi, ka patur një partiturë të qartë politike dhe gjeopolitike, që në periudhën e Rambujesë, e cila e ka sjellë Kosovën, këtu ku është sot, të lirë dhe të pamvarur”, nënvizon Zheji.



 

Baton Haxhiu: Çka nëse ia dalin? Ndarjet janë gjithmonë të vështira. Veçanërisht ato territoriale.

Baton Haxhiu

Disa janë të thjeshta për t’u kuptuar, si e Kosovës nga Serbia në vitin 1999, por disa tjera janë shumë më komplekse – siç duket se do të jetë marrëveshja finale ndërshtetërore mes dy vendeve, e planifikuar për vitin e ardhshëm.

Kam lexuar shumë shkrime këto ditë. Hiç shkrimin e Blerim Latifit që përfaqësonte idenë e qartë në shkrim, tjerat ishin jashtë kontekstit, dashakeqe dhe jokontribuese me ide të reja. Të përqendruara në fyerje dhe ndëshkime deri në tradhti. Fjalori i politikës është padyshim i vrazhdë dhe ka filluar një betejë e fortë për të shpallur tradhtarin e së ardhmes. Por, ka një lidership në Ballkan që ka hapur idenë për fundin e armiqësisë. Dhe arsyeja pse ka ndodhur ky diskurs publik mund të përfshihet në disa pika.

Kemi harxhuar shumë kohë duke pritur që të tjerët t’i marrin vendimet për ne, nga frika për të vepruar, të paralizuar nga ndjenja se për hir të respektit duhet të presim. Por, pritja nuk është më alternativë. Koha ka ardhur dhe kjo gjeneratë e qytetarëve të Kosovës duhet të veprojë për hir të asaj që do të vijë. Për hir të gjeneratave të ardhme të shqiptarëve. Për hir të gjeneratave të ardhme të serbëve. Për hir gjeneratave të ardhme të europianëve.

Ne jemi gjenerata e re e Europës dhe pjesë e të ardhmes së saj, ndaj e kemi për detyrë të veprojmë në emër të vlerave të saj. Në emër të paqes, pajtimit dhe të një të ardhmeje të përbashkët.

Prandaj duhet të jemi të vendosur të japim propozime të zbatueshme në praktikë për pajtim me Serbinë dhe ta gjejmë realisht zgjidhjen për paqen e së ardhmes.

Kosova mund të bëhet shtet funksional vetëm nëse zgjidhja kërkohet në ridefinim ose delimitim të kufirit me Serbinë. Sepse, ndryshe, frika kurrë s’do ndalojë së krijuari probleme në këtë tokë.

Pak histori.

Tri herë Veriu i Kosovës ka qenë pjesë e tavolinës për këmbim ose ridefinim të kufirit. Në kohën e kësaj përfoljeje tema e ndarjes dhe shkëmbimit ishte tejet e gjallë dhe joshëse. Atëherë Kosova nuk ishte as pjesë e Serbisë, as pjesë e Shqipërisë dhe as pjesë e Europës. Kosova bashkonte epërsinë e popullatës shqiptare dhe epërsinë e fuqisë ushtarake serbe.

Gjatë vitit 1997, ideja e ndarjes kishte fuqinë serbe dhe prekte kufirin diku te Ferizaj. Të gjithë që banonin në Prishtinë duhej të shpërnguleshim dhe të kërkonin një hapësirë për të jetuar në një shtet që s’kishte as emër, as identitet dhe as të ardhme. Ky variant nuk përfshinte marrëveshje, por projektonte fuqinë ushtarake serbe mbi pafuqinë tonë. Kjo tablo kishte vetëm një akter dhe ata që përjetonin ndarjen pa shikuar nga prapa.

Në vitin 2000 ishte një qytet që ruante shkëlqimin e dikurshëm të bashkëjetesës. Ishte një hapësirë e territorit ku shqiptarët e Kosovës, përveç ndonjërit që kishte prapavijë komuniste, nuk kishin shkelur kurrë në atë tokë. Ishte pjesa e Veriu të Kosovës. Për pjesën tjetër të Kosovës, Veriu nuk kishte asgjë të përbashkët me territorin tjetër kosovar. Pikërisht se nuk kishin dukuri të një qytetërimi të përbashkët, ata me zell mbanin veten si pjesë të një qytetërimi tjetër, por kishin edhe një dell provincializmi dhe dell për një identitet jokosovar.

Duke qenë e tillë, kjo pjesë u bë strehë e banorëve të ikur serbë që nga 13 qershori i vitit 1999. Asnjëherë – as para luftës, as pas luftës, as tash – banorët e kësaj pjese nuk kanë qenë pjesë në jetën e qytetërimit të Kosovës.

Duke qenë e tillë dhe duke e parë lehtësinë e ndarjes, Forcat Franceze të KFOR-it projektuan ndarjen fizike, me murin e lartë katër metra, ndarjen fizike të Veriut të Kosovës përreth lumit Ibër.

Ishte një mik francez, së bashku me ekipin e Kadri Veselit, që e pati ndaluar këtë plan duke e konsideruar Veriun e Mitrovicës si pjesë të Kosovës. Muri francez nuk u bë kurrë.

Ngjarjet e vitit 2004 shpërthyen pa fund pezmin e së kaluarës. Ky vit goditi fort idenë multietnike të Kosovës. Oliver Ivanoviq, një politikan pragmatik serb, duke qenë i afërt me trupat ushtarake franceze kishte kuptuar se Veriu i Mitrovicës ishte vështirë i shkëputshëm nga pjesa tjetër e qytetit. Ai kishte propozuar që Veriu i Kosovës ta merrte  formën e vitit 1953. Konflikti dhe mosbesimi etnik kishte arritur kulmin. Serbët e Veriut të Kosovës nuk dëshironin ta pranonin shtetin e Kosovës.

Ivanoviq kishte dalë me propozim që tri komunat serbe t’i bashkoheshin Serbisë. Kisha serbe dhe serbët brenda Kosovës kishin arritur që ta ndalin procesin me arsyetimin se për Kosovën duhet blerë kohë derisa fuqitë ndërkombëtare ta humbnin interesimin për Kosovën. Dhe ashtu ndodhi.

Viti 2011 kishte lënë Veriun e Kosovës jashtë interesimit të UNMIK-ut. Atje dominonte gjithçka serbe. Nuk kishte asgjë që përfaqësohej nga shteti i Kosovës. Ishte një diplomat që e ndërpreu rrugën e humbjes së Veriut. Ai quhej Christopher Dell. Shprehja e tij e famshme, “Duhet ta rrotulloni tavolinën në qetësinë e restorantit për ta tërhequr vëmendjen”, ishte mënyra e vetme për ta zgjuar bashkësinë ndërkombëtare, dhe sidomos Amerikën – që në një mënyrë ishin pajtuar se Veriu kishte ikur – për të mos ndodhur shkëputja de facto.

Dërgimi i Njësisë Speciale në Veri ishte figurativisht rrotullimi i tavolinës në qetësinë e restorantit. Të gjithë u befasuan për atë se kush kishte marrë guximin që ta bënte një veprim brutal dhe ta prishte qetësinë e një fakti të kryer.

Kryeministri i atëhershëm, me miratimin e kujdesshëm të Ambasadorit Dell, e rikthyen temën e Veriut në bisedat me Serbinë.

Tjerat pastaj dihen.

Po tash?

Shkëmbimi është zgjidhje.

Frika e fantazmave të së shkuarës, e viktimave dhe krimeve, në emër të një mbretërie tokësore për qiellorët. Është e pamundur ta quash “lajm të rremë” po e pagove me çiltërsi. Serbëve të Kosovës do t’iu duhen dhjetëvjeçarë që harresa të shtrihet mbi falje dhe të mund të jetojnë si fqinj të mirë me shqiptarët. Dhe ata s’kanë kohë për një gjë të tillë. Sikurse as shqiptarët nuk kanë kohë të presin që demografia të triumfojë për ta integruar pjesën veriore të tyre.

Duhet ta lëmë të ikë, në shkëmbim të integrimit që mund të arrihet sot. Të integrimit që do të na bënte shtet funksional dhe do të na drejtonte kah bregdeti shqiptar, kah Europa, kah e ardhmja.

Pse tani?

Po jetojmë në një epokë të paprecedent në historinë njerëzore. Nuk ka më Lindje, por Perëndim të Largët. Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kina janë po aq prezente në Ballkan sa edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe Rusia. Secili me interesat dhe strategjitë e veta. Tani këto strategji mund të ndërthuren duke krijuar autostradë për të ardhmen e Kosovës.

Serbia e Aleksandar Vuçiqit, që ka mbërthyer pushtetin dhe mediat bashkë me ndjenjën populiste tek serbët, paraqet mundësi për arritje të marrëveshjes.

Aleksandar Vuçiq e projekton të ardhmen e tij politike në të qenit një nga liderët më me peshë në rajon dhe Kosova është shtegu që mund ta konfirmojë si të tillë.

Mund të mos pëlqehet e kaluara e tij dhe fuqia e jashtëzakonshme politike aktualisht, por pikërisht këto e bëjnë atë njeriun e duhur për “ta shitur” marrëveshjen në Serbi.

Ai është shtetari që mund të arrijë akord me një tjetër po aq të tillë dhe po aq të gatshëm për akord. Kosova e ka këtë njeri, ndaj ta përdorim për të ardhmen që duam dhe meritojmë.

Çështjet e brendshme e kanë dobësuar Bashkimin Europian, që s’ka fuqi për ndonjë marrëveshje konkrete, aq më pak që atë ta shtyjë në Parlamentin Europian para zgjedhjeve të 2019-ës. Dhe fantazmat e vona të BREX-itit dhe Amerikës së Trump-it janë makthe që u dalin e u teprojnë Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe.

As Kosova dhe as Serbia nuk kanë kohë për të humbur. Madje nuk kanë nevojë, me liderë që janë gati ta gjejnë dhe shtrojnë rrugën drejt pajtimit. Nëse shqiptarët dhe serbët ia dalin të arrijnë marrëveshje duke lënë prapa mbrapshtitë e së shkuarës, paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor mund të bëhen realitet. Në këtë rrafsh, marrëveshja do të ishte në frymën e asaj të Helsinkit dhe jo në kundërshtim me të. Paqja dhe stabiliteti janë themelet e besimit të Bashkimit Europian se në të ardhmen shqiptarët dhe serbët do të jenë qytetarë të BE-së dhe se ata do të investojnë në këtë të ardhme, për veten dhe për Europën.

Në anën tjetër, me BE-në që rrezikohet nga fryma e ringjalljes së shteteve kombe, shkëmbimi i territoreve mund të jetë i frikshëm.

Por, është shteti funksional dhe jo shteti-komb synim i këtij akordi – që do t’i shmanget një rezultati si ai në Bosnje. Bosnja është përkujtues i dështimit të vendimmarrjes në Bashkimin Europian. I paralizuar nga detyrimi ndaj Marrëveshjes së Dejtonit dhe ndarjes së institucionalizuar etnike, pasojë e të parës. Të bashkuar në dështim, qytetarët e këtij shteti nuk kanë shpresë për një të ardhme më të mirë. Kjo nuk mund të jetë zgjidhje as për kosovarët, as për serbët. Ndaj kjo marrëveshje bëhet për shtet funksional, që mund të sjellë stabilitet dhe paqe në Ballkanin Perëndimor, jo për shtet-komb.

Çfarëdo zgjidhje tjetër, veç shkëmbimit të territoreve, do të jetë e pamundur për t’u realizuar tani, ndërsa në të tillë skenar më së shumti do të përfitonin anarkistët dhe populistët, rrjedhimisht përmes tyre, Rusia dhe Turqia, me planet e tyre të mugëta për rajonin.

Amerika, që ka për president njeriun i cili e vlerëson akordin më shumë se gjithçka tjetër, është e gatshme të pranojë marrëveshje konkrete. Nga akordi ajo e fiton Kosovën shtet të njohur ndërkombëtarisht. E përdora fjalën “fiton”, për shkak të kredos politike, ushtarake dhe morale amerikane të investuar në bërjen e këtij shteti.

Për më tepër, qasja e re e SHBA-së në raport me Europën dhe rendin botëror kërkon partnerë të rinj në rajon, ndaj llogarit në shqiptarët si një të tillë. Sepse partnerët rrisin vlerë, nuk shtojnë probleme. Dhe veçanërisht pasi me këtë marrëveshje Kosova zotohet ta respektojë sovranitetin, të vetin dhe të fqinjëve. Kjo do ta ndihmojë Maqedoninë të lëvizë me shpejtësi drejt integrimit në NATO dhe t’i ftohë elementët e të ekstremit të djathtë shqiptar.

Pas Samitit të Helsinkit dhe ftesës për ta vizituar Washingtonin, arritja e marrëveshjeve me Putinin shihet ndryshe nga Shtëpia e Bardhë.

Po Rusia?

Rusia është e gatshme ta përkrahë një marrëveshje që do t’i ofronte zgjidhje oportuniste të çështjeve territoriale me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Ndaj do të ishte e gatshme ta pranonte shkëmbimin e territoreve, sepse rasti i Kosovës – që mund të konsiderohet si fitore edhe për diplomacinë amerikane – do të kthehej në precedent në ligjin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Putin, që ka ndikim të madh në shoqërinë serbe përmes Kishës Ortodokse Serbe dhe mashave në politikë dhe në media, nuk do ta mbështesë asnjë marrëveshje nga e cila nuk fiton diçka.

Nëse Rusia e pranon akordin, ai joformalisht do të pranohej edhe nga Kisha, gjë që do t’ia lehtësonte Vuçiqit ta merrte pajtimin edhe të rrymave të fuqishme nacionaliste në Serbi.

Por për të gjitha ato shtete të cilat nuk janë të qeta shkaku i tërësisë territoriale, shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë nuk paraqet brengë shtesë. Do të jetë marrëveshje pajtimi mes dy shteteve dhe jo vendim i njëanshëm. Mund ta ndihmojë Rusinë të arrijë marrëveshje për Krimenë, por vetëm si pajtim, jo si agresion.

Ndaj, tash Kosova duhet të bëjë përpara kah e ardhmja që meriton. Duhet të shtyjë në atë drejtim. Tash është koha. Jo për lojëra politike. Është koha për një marrëveshjeje të nevojës gjeopolitike dhe Kosova duhet të zgjedh nëse do të jetë humbëse apo fituese nga ajo.

Është koha për një marrëveshje për integrim dhe ndërtim shteti. Është koha për një New Deal për Kosovën!

Trauma e Kufirit

 Nga Blerim LatifiExpress

Po e nisi këtë tekst nga një premisë e psikanalizës së Frojdit. E gjithë jeta e njeriut, thotë Frojdi, është njëlloj ballafaqimi me simptomat e traumave të fëmijërisë së tij.

 

  1. Nacionalizmi

Me gjasë, edhe kombet, njësoj si individët, i kanë traumat e tyre, me anë të të cilave ato përpiqen ta interpretojnë gjithë të kaluarën e tyre. Madje edhe të tashmen dhe atë që mund ta sjell e ardhmja.

Një nga traumat, në mos trauma themelore, e kombit dhe nacionalizmit shqiptar është trauma e kufirit. Në thelb të saj, qëndron dhembja dhe frika e tkurrjes së vazhdueshme të kufirit etnik shqiptar, nga koha në kohë, nga shekulli në shekull. Frika e tkurrjes, gjithmonë shoqërohet me frikën e vdekjes. Diçka apo dikush, që tkurret vazhdimisht, nuk mund t’i shpëtoj ndjesisë se po shkon drejt fundit, shkatërrimit a shpërbërjes. Tkurrja është paralajmërim i vdekjes dhe kombet që tkurren e kanë të vështirë ta evitojnë psikozën e këtij paralajmërimi.

Sot, në shoqërinë shqiptare, trauma e kufirit është pjesë bazike e kurrikulës kombëtare të edukimit, nga dita e parë e shkollës fillore, e deri në ditën e fundit të arsimimit universitar. Ne mësojmë se jemi pasardhës të ilirëve, territori i të cilëve, siç thuhet, shtrihej nga brigjet e Adriatikut e maja e Trigllavit në Slloveninë e sotme, deri tek Olimpi mitik në Greqi. Madje, ende sot, ka shumë patriotë të flaktë që mendojnë seriozisht se perënditë greke që besohej se banonin në Malin Olimp, kishin emra ilirë.

Pastaj mësojmë se si, njëri pas tjetrit, erdhën pushtuesit e ndryshëm dhe bashkë me ta edhe tkurrjet e kufijve tanë etnikë. Në fillim romakët që fundosën mbretëritë ilire, pastaj sllavët, që zaptuan Ballkanin, pas tyre Perandoria Bizantine dhe mbretëritë rajonale që dolën nga kriza e saj. Pas tyre osmanët që pasi sunduan gjatë këndej pari, në ditët e fundit të tyre, shumë territore të banuara me shqiptarë, nga brigjet e Tivarit e deri në pllajat e Nishit, ua falën shteteve të reja të Ballkanit. Pas turqve, fatalitetin e tkurrjes e vazhduan fuqitë e mëdha në Londrën e vitit 1913, duke lënë jashtë shtetit shqiptar, gjithë Kosovën me territoret shqiptare që janë sot pjesë e Maqedonisë, pa harruar Çamërinë në jug.

Ky është romani ynë kombëtar, traumatologjia dhe viktimologjia jonë kombëtare. Bibla jonë, nëse kemi parasysh faktin se nacionalizmi, në thelbin e tij, do të thotë ta bësh secilin popull me biblën e tij, me librin e shenjtë kombëtar, ku përmblidhen kronikat për rëniet dhe ngritjet e kombit, për vuajtjet dhe shpresat e tij, për heronjtë shpëtimtarë dhe armiqtë e tij.

  1. Kanuni i Lekës

Traumën shqiptare të kufirit e gjejmë edhe në kodin zakonor të fiseve shqiptare, në Kanunin e Lekë Dukagjinit. Madje, aty, trauma ka marrë formën e tabusë, krejt si në analizën e Frojdit, ku mbi çdo traumë ndërtohet një tabu, do të thotë një ndalesë absolute. Kanuni i Lekës, thotë: “Eshtnat e vorrit e guri i kufinit faqe Kanunit janë paras (lexo: të barabartë). Me lujt kufinin asht si me lujt eshtnat e të dekunve”.

Mesazhi i analogjisë është i qartë: Pesha e shenjtërisë së vdekjes, është e njëjtë me shenjtërinë e gurëve të kufirit. Kush prekë kufirin do të thotë ka prekur vdekjen-traumën më të rëndë njerëzore.

Kjo dispozitë kanunore, nuk shpreh thjeshtë ndjeshmërinë e marrëdhënieve sociale e juridike mes disa fiseve të izoluara në vargmalet e Bjeshkëve të Nemuna, por, në të njëjtën kohë, edhe thelbin e marrëdhënieve tradicionale mes shteteve. Që nga kohërat e shteteve fillestare, e deri tek shtetet e sotme, vijat e kufijve mes shteteve, gjithmonë, kanë qenë vija të gjakderdhjeve mes popujve. Në këtë kontekst, Ballkani përbën një nga shembujt më të shquar. Natyrisht, ka pasur përjashtime, por, si në shumë raste të tjera, edhe në këtë rast, përjashtimi e konfirmon rregullin. Filozofi francez Rusoi e mallkonte njeriun e parë që shpiku kufirin e tokave, sepse, sipas tij, kjo shpikje solli më pas krejt të këqijat e njerëzimit. Me këtë ide, ky filozof, krahas ideve që frymëzuan Revolucionin Francez të vitit 1789, krijoj edhe ëndrrën kosmopolite për një botë pa kufij. Pas katastrofës së Luftës së Dytë Botërore, kur liderët e Evropës Perëndimore u mblodhën për të themeluar Bashkimin Evropian, dikush prej tyre përmendi ëndrrën e Rusoit. Sot, tek ne, kjo ëndërr shikohet në formën e liberalizimit të vizave.

III.         Një digresion

Shenjtërimi i gurëve të kufirit nga Kanuni është edhe një dëshmi më shumë për lidhjet e tij të forta me të drejtën romake dhe civilizimin latin në përgjithësi. Tek romakët kufiri mes tokave ishte çështje aq e rëndësishme sa ata ndërtuan kultin religjioz të zotit të kufirit. Emri i këtij zoti ishte Terminus. Fjalët e sotme, të cilat i përdorim aq shpesh, si “termin”, “terminal”, “gjendja terminale”, të gjitha vijnë prej këtij emri. Statujat e këtij zoti,në tempujt kushtuar atij, ndërtoheshin në formën e një guri të thjeshtë. Këta ishin gurët e terminusit romak, që në gjuhën e Kanunit të Lekës quhen gurët e kufinit. Vetë fjala shqipe “kufini” është e të një njëjtës familje gjuhësore me fjalën latine “confini”. Ernest Koliqi dhe Ismail Kadare kanë plotësisht të drejtë: Kanuni dëshmon se jemi europianë të vjetër, ndër më të vjetrit. Kjo dëshmi nuk duhet të shërbej për vetëmburrje nacional-romantike. As për të ndërtuar idolatri e idealizim të Kanunit. Kanuni është dëshmi se jemi europianë të vjetër, por nuk është garanci se do të bëhemi europianë modernë. Përkundrazi!

  1. Përdorimi politik i traumës së kufirit

Kjo pra, është trauma shqiptare e kufirit, e lidhur me identitetin kulturor, por mbi të gjitha me dramat e etno-historisë sonë.

Prandaj, saherë që në mesin tonë preket çështja kufirit, trauma aktivizohet, nga thellësitë e errëta të asaj që Jungu e quante e “pavetëdijshmja kolektive” dhe më pas frika e mbërthen kombin. Frika e tkurrjes, si paralajmërim i shpërbërjes.

Ata që marrin guxim ta prekin plagën, rrezikojnë të kthehen në subjekte të mallkimeve e akuzave, nga më të rëndat, njësoj si ata që thyejnë tabutë e shoqërisë.

Pastaj dalin në skenë abuzuesit politikë të traumës, të cilët përpiqen të përfitojnë pushtetin politik prej saj, pushtetin, i cili, në Ballkanin që po përpëlitet midis liberalizmit perëndimor dhe autoritarizmit të ri lindor, fatkeqësisht dhe gjerësisht, kuptohet si kapacitet për të vjedhur shtetin në llogari të mirëqenies së familjes e fisit. Tri vite më parë, përdorimi partiak i traumës së kufirit, gati sa nuk shkaktoi djegien e Kuvendit të Kosovës, dhe sot, Presidenti i vendit, është futur në telashe politiko-mediatike, pasi doli me idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë.

Nuk është ndonjë gjë e re të thuhet se politika nuk është thjeshtë përllogaritje gjakftohtë e interesave të ditës, por është e nevojshme të përsëritet herë pas here kjo gjë. Politika, gjithmonë, ushqehet nga një dimension i historisë. Shoqëria, thotë Edmund Burke, është partneritet i të gjallëve me të vdekurit dhe me ata që ende nuk kanë lindur. Themeluesi i filozofisë konservatore donte të thoshte se ne të gjallët nuk mund të bëjmë ligje dhe politikë, duke mos marrë parasysh përvojën dhe trashëgiminë e atyre që nuk janë më, pra, duke injoruar paraardhësit tanë, e as në mungesë të përgjigjes në pyetjen: Si do të jetojnë ata që nuk kanë lindur ende, pra pasardhësit tanë.

Në rastin për të cilin po flasim, këshilla e Burke-s, do të ishte kjo: Duhet të bëjmë politikë duke pasur kujdes me traumat e paraardhësve tanë dhe të njëjtën kohë edhe më shumë kujdes që të ndërtojmë një të ardhme pa trauma kolektive për ata që do të lindin.

 

 

Ja pse Hashim Thaçi nuk mund të jetë tradhëtar…

Nga Artur ZHEJI

Të akuzosh Thaçin për tentativë tradhëtie kombëtare, më duket një fantazi Mesdhetare, dhe një lojë e pastër politike.
Thaçi ka qenë dhe është, dhe të gjithë e dinë këtë, një njeri që ka mbi supe ngrohtësinë e mbështetjes amerikane, që në kohën e Luftës së Kosovës, dhe pandashmërisht deri më sot.

Se çfarë ka bërë Hashimi me këtë supermbështetje, flet Rambujeja dhe krejt historia moderne e Kosovës, nga çlirimi, te Pavarsia dhe deri te zigzaget e zhvillimit e të moszhvillimit të Kosovës së sotme.
Ka qenë kryeministër dhe sot flet si President, në moshë relativisht të re, ka provuar luftën e trimave, negociatat, politikën dhe ka marrë të gjitha shpërblimet e mundshme nga populli i tij.
Mund të ketë bërë gabime politike, është ndëshkuar me votë, porse ai, nuk do të kishte kurrë guximin për tu shërbyer serbëve, që më shumti duan vdekjen e tij fizike, politike dhe kaosin në Kosovë.

“Tezat” e tija për korigjime kufinjsh, nuk mund të jenë asnjëherë “vetëm tezat e tij”, kush nuk e kupton këtë, gabon me dashje. Thaçi, ka patur një partiturë të qartë politike dhe gjeopolitike, që në periudhën e Rambujesë, e cila e ka sjellë Kosovën, këtu ku është sot, të lirë dhe të pamvarur.

E dëgjova me vëmendje Doktor Berishën në intervistën e tij më të fundit, që mund të them se ishte një intervistë cilësisht e mirë, por ju shmang sulmeve ndaj Thaçit, dhe thjesht hodhi poshtë akuzat e Presidentit të Kosovës. Një pjesë e argumentave të Berishës janë inteligjente dhe të qëndrueshme, por ka një gjë që nuk shkon në thelbin e tyre.
Ndërmjet Rrugovës sharmant dhe gandian (ndjekës i Gandit), që në kohëra të caktuara e kemi dashur të gjithë, dhe UÇK-së, Perëndimi dhe SHBA, zgjodhën të mbështesin UÇK-në, dhe kjo e treti Rugovën që krijoi sidoqoftë, në mënyrë gjeniale, Emblemën teorike të Pavarsisë së Kosovës, por kaq.

Në këtë periudhë të nxehtë të motit dhe të mendjeve, në Prishtinë dhe në Tiranë, soditja aktive e Tiranës, do të ishte rruga më e mençur në favor të Kosovës së Shekullit të ri.
Thaçi, herët a vonë duhet ta zëvendësojë zyrën e komunikimit, sepse, nuk ka pse sot, të merret me Berishën, sepse është krejt jopolitike dhe nuk shërben për asnjë zgjidhje më të mirë gjeopolitike, në raport me Kosovën.
Njohës teorik, më të mirë të gjeopolitikës, ndër politikanët shqiptarë se sa Sali Berisha, nuk ka ende një të dytë, tjetër gjë nëse e ka vënë gjithmonë urtësisht në punë kulturën e tij politike, ku shpesh egoizmi i pushtetit ka patur edhe ay, llokmën e vet, por kjo është një çështje tjetër.
Pastaj Presidenti i Kosovës, i cili është i detyruar të mos thotë se nga vjen burimi i “provokimit” të tij gjeopolitik, e filloi krejt gabim qasjen e tij, për një temë kaq të madhe mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare.
Ai si President dhe si ish Komandant i UÇK, duhet fillimisht të sqaronte urtësisht dhe me modesti, në Prishtinë dhe në Tiranë, rrethin e njerzve më të rëndësishëm dhe më konfidentë, ku të shpegonte “shtysën madhore” të këtyre “korigjimeve” të kufinjve shtetërorë të Kosovës dhe mbi të gjitha, Garantin Ndërkombëtar dhe të Qëndrueshëm e të Besueshëm, të këtij Proçesi, që hap, në të vërtetë, si thotë edhe ish kryeministri Berisha, krejt Dosjen Kosova.
Sepse ky Proçes nuk mund të zhvillohet kursesi, në një Marrëveshje dypalëshe Kosovë-Serbi, në mungesë të një Pale të Tretë, të pranuar nga Dy Plaët, Kosovë dhe Serbi.

Përndryshe do të hynim në një Aventurë të rrezikshme, që do të sillte herët a vonë dhe Zot na ruajt: Luftë në Ballkan!

Dhe mbi të gjitha, konfigurimi i ri territorial, i Republikës së Kosovës, mund të çonte në zhbërjen e të gjitha njohjeve ndërkombëtare, futjen e Rusisë në një rol të ri rajonal, qasjen e Brukselit si ndaj dy vendeve me cilësi të barabarta, ndërkohë që Kosova, përfitoi me të drejtë simpati të madhe ndërkombëtare, nga statusi i vendit ku genocidi dhe spastrimi etnik, po rilindëte nazizmin në Ballkan.

Sot Vuçiç, është harruar si ish shefi  riosh i propagandës së Milosheviçit, që dhe është fillimi i karierës së tij brilante, sot ay, është, për mendimin tim, një shpresë e rrejshme e Brukselit, që mund të mbyllë një nga portat e shumta të Putinit në Ballkan, rol të cilin ai e luan në perfeksion.

E pra, rezistenca e Haradinajt dhe e vizitës së tij spektakolare në Vlorë, polemika e Prishtinës dhe Tiranës, e sidomos tonet sanguine dhe radikale, janë krejt kundër parimit të gjeopolitikës dhe të politikëbërjes, në favor të interesave kombëtare.
Thaçi duhet të ribëjë stafin e komunikimit dhe ta fillojë nga e para e të na shpjegojë, se çfarë do të thotë realisht, fshat më fshat e për çdo pëllëmbë toke, që përndryshe mbiquhet “korrigjim” kufinjsh…

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas