Mapo Letrare

Amerikania që vlerësoi individualizmin dhe dëshirën për liri tek shqiptarët

eleni laperiBotimi i UET-Press, mbështetur nga Ambasada e SHBA-së, sjell për lexuesit historinë e gazetares, shkrimtares e liberales amerikane. Studiuesja Eleni Laperi rindërton udhëtimin e Lane në Shqipëri dhe e risjell atë përmes kujtimeve të shqiptarëve që e njohën nga afër

 



Rose ishte një grua me veshje moderne, me flokët e prera shkurt, me një çantë me libra e që udhëtonte në malet e Shqipërisë në vitet 1920. Sot nuk gjendet askush që ta mbajë mend këtë grua edhe pse ajo ka lënë aq shumë kujtime dhe shkrime për shqiptarët dhe Shqipërinë e asaj kohe, saqë zor se do të harrohet ndonjëherë. Por në zgrip të “harresës”, autorja e librit “Rose Wilder Lane dhe shqiptarët”, Eleni Laperi arrin të takojë një burrë nga Tirana, që e kujtonte shumë mirë në fëmijërinë e tij të hershme këtë grua, e cila jetoi për dy vite në Tiranë dhe që linte mbresa tek çdo njeri që e njohu nga afër në atë kohë. Hamit Shehri ishte i vetmi dëshmitar i gjallë që arriti t’i përcillte kujtimet e tij për këtë grua të fortë e fisnike, e cila vlerësoi tek shqiptarët individualizmin dhe dëshirën për liri matanë perdes së varfërisë dhe jetës primitive të asaj kohe. Autorja e librit thur një homazh për dëshmitarin e vetëm të librit të saj, ndërsa ripërshkroi udhëtimin që shkrimtarja, gazetarja dhe partizania e liberalizmit bëri në Shqipëri. Libri i saj u promovua dje në Universitetin Europian të Tiranës, si botim i UET-Press me mbështetjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe tërhoqi shumë vëmendje për historinë që përcjell dhe për personazhin për të cilin flitet. Ndërsa R.W. Lane njihet në botë si një nga emrat që përçoi idetë liberale dhe kundërshtoi me forcë vendosjen e komunizmit dhe të ekonomisë socialiste, për shqiptarët do të mbetet e do të kujtohet më shumë si gazetarja dhe shkrimtarja, që pa me sytë e zemrës karakteristikat e këtij populli duke shkruar disa shkrimet për ta dhe librin “Majat e Shalës”.

Studiuesja Eleni Laperi ka ndjekur gjurmët e kujtesës së amerikanes deri në vendlindjen e saj ën Amerikë dhe me dëshmitë e pasardhësve të Rexhë Metës, fëmijës që u bë udhërrëfyesi i saj në udhëtimin në malësi, për t’u kthyer më pas në “fëmijën e saj të preferuar”, për të cilin ajo u kujdes gjithë jetën duke paguar dhe studimet në Oxford e duke e lënë madje dhe trashëgimtar të pasurisë së saj me dhimbjen e madhe për jetën tragjike të tij në komunizëm.

Studiuesja dhe shkrimtarja Natasha Lako e quan këtë libër një kontradiksion të bukur që të sjell dëshirën e amerikanes Lane për lirinë individuale, të cilën ajo e pa në sytë e malësorëve shqiptare dhe nga ana tjetër përballjen e saj me etatizmin e egër në fund të jetës së saj me historinë e familjes Meta, me të cilën ajo krijoi një lidhje të fortë shpirtërore.

Rose Wilder Lane ishte një prej gazetareve më të paguara të kohës së saj, por fëmijë ajo u rrit në një familje shumë të varfër amerikane, në një shtëpi ku nuk kishte dritare dhe shpesh nuk kishte as bukë.  Kjo varfëri që njohu në jetën e saj, bëri që të mos e pengonte kur erdhi në Shqipëri e të shihte përtej perdes së saj për të kundruar njeriun dhe vlerat e tij. Në këtë kontekst, Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit për Liri Ekonomike, Besart Kadia thotë se “nuk besoj se varfëria që mundet të ketë parë në Shqipërinë e viteve ’20, kur ajo udhëtoi në Europë si pjesë e Kryqit të Kuq, ta ketë vendosur atë në një pozitë që të mos shohë thellë në karakterin individual të shqiptarit dhe dëshirës së tij për liri”.

Autorja Laperi u nxit ta shkruante këtë libër, që i mori 5 vite punë, nisur pikërisht nga kurioziteti që të ngjall jeta e kësaj gruaje dhe një pjesë e jetës së saj e lidhur ngushtësisht me Shqipërinë, aq ngushtë sa ajo kishte menduar të ndërtonte një shtëpi e të jetonte përgjithmonë këtu. Marrëdhënien e saj me shqiptarët, që nga ministrat e kohës, ndër ta dhe Ahmet Zogu e deri tek familjet e malësisë, ajo ia tregon me një sinqeritet të plotë në letrat dërguar mamasë së saj, dëshmi që vijnë në libër me vërtetësi.

“Fillimisht më tërhoqën përshkrimet e thjeshta e të mrekullueshme të udhëtimit të saj nëpër malësinë e Dukagjinit, në të cilat dallohet një vëzhguese e mprehtë dhe dashuri e respekt i thellë për njerëzit e thjeshtë. Ai udhëtim e shtyu më pas të vinte të jetonte në Shqipëri. Shënimet dhe përshkrimet e atyre udhëtimeve më nxitën të ndjek gjurmët e saj nëpër Shqipëri, duke zbuluar anë të panjohura të vendit e popullit tonë”, thotë Laperi.

 

Rexhë Meta, jetimi që u birësua nga Rose Wilder Lane

Rexhë Meta ishte një jetim i vogël refugjat kosovar që jetonte në Malësinë e Veriut. Ai ishte rreth 14 vjeç kur u njoh me shkrimtaren e gazetaren amerikane, Rose Wilder Lane, dhe u bë udhërrëfyesi i saj në fshatrat e Dukagjinit.  Më vonë, Rose u kujdes për jetën e tij duke i sponsorizuar arsimin dhe duke e birësuar si djalin e saj. Rexhë Meta arriti të studionte në Oxford, por më vonë kur u kthye në Shqipëri, u burgos dhe pati një jetë të vështirë gjatë regjimit komunist.  “E vendosur të nisej patjetër, edhe nga shkaku i sëmundjes që po i rëndohej, Llejn iu drejtuan rrugës për në Shkodër e shoqëruar nga djaloshi Rexh dhe nga një shaljan. Ajo i kërkoi Rexhës së vogël t’i betohej se gjallë a vdekur do ta shpinte në Shkodër. Djaloshi e përmbushi dëshirën e saj me shumë vendosmëri”, shkruan autorja Eleni Laperi në libër. Më tej ajo shkruan se “Në Tiranë, Llejn u takua përsëri me të njohurit e vjetër, persona­zhet e viteve 1921 dhe 1922, ndër ta edhe me djaloshin Rexhë Meta, i cili me ndihmën e Helen Montgomery, gruaja e kapiten Kroulit dhe punonjëse e Kryqit të Kuq, kishte nisur studimet në Shkollën Teknike në Tiranë. Në vitet 1938-1939, Rexha e ndërtoi shtëpinë për Llejn në Tiranë, po ajo nuk e kaloi dot kurrë pragun e saj”.  Pasardhësit e Rexhë Metës e kanë ndihmuar autoren në shkrimin e kësaj autobiografie duke sjellë kujtimet e të atit për të. Para se të vdiste, Lane kishte lënë një amanet:  të ndihmohej familja e Rexhë Metës.  “Në vitin 1990, edhe pse vetë Rexha kishte ndërruar jetë në vitin 1985, Roxher Mekbrajd u lidh me familjen e Bora-Rozës, vajzën e Rexhës, dhe e mori atë, bashkëshortin e saj, Genc Koka dhe dy djemtë e tyre në Shtetet e Bashkuara, ku ata jetojnë edhe sot”, shkruan në libër Laperi.

 

Ke tre bokse të barabarta poshtë…..pa foto ose me foto si të dalë ty në faqosje

 

Thanë për librin “Rose Wilder Lane dhe Shqiptarët”:

 

Natasha Lako: Lane, individualistja humaniste

Shkrimtarja Natasha Lako, duke folur për librin “Rose Wilder Lane dhe Shqiptarët”, e cilësoi atë si një udhëtim i dytë i shkrimtares e gazetares amerikane në Shqipëri nëpërmjet syve të studiueses Eleni Laperi. Por mbi të gjitha Rose ishte një pioniere e teorisë së liberalizmit dhe individualizmit dhe në jetën e saj pa sesi individualizmi, ky tipar që ajo vlerëson aq fort tek shqiptarët, u përball me etatizmin më të egër të regjimit komunist. “Rose ishte një nga gratë që i takonte avangardës së mendimit amerikan dhe avangardës së mendimit më të avancuar të kohës dhe Shqipëria u bë një pikëtakim i madh i saj. Ajo erdhi në një vend ku ritmet e zhvillimit ishin më të ngadaltat në Europë dhe është e çuditshme dhe e bukur njëkohësisht që kjo grua mendimtare gjeti një pikëtakim pikërisht në këtë truall, në një Shqipëri me një traditë të lashtë”, – tha Lako në fjalën e saj gjatë promovimit të librit. “Vetë kjo grua, ky njeri që luftoi tërë jetën për njeriun, në fund të jetës së saj u përplas me etatizmin më të egër. Ajo luftoi për lirinë individuale të njeriut, të cilën e gjeti në skutat më të thella të realitetit shqiptar dhe në fund të jetës ndjeu pasojat e etatizmit të egër me historinë e familjes Meta”, – theksoi më tej shkrimtarja Lako. Sipas saj, në librin e Eleni Laperit më shumë se për Shqipërinë flitet për njeriun shqiptar. Nga ana tjetër sipas Lakos, R. W. Lane tregoi se individualizmi ka lidhje me humanizmin. “Ajo vetë u kujdes tërë jetën për atë djalin e vogël, sikur e krijon këtë njeri. Letra që ajo i dërgon atij, ku i jep këshillat se si të bëhet një njeri më i mirë, është një nga gjërat më të bukura në këtë libër”, shtoi shkrimtarja Natasha Lako, duke e konsideruar veprën e Rose një himn për njeriun.

 

Besart Kadia: Lane pa tek shqiptarët individualizmin dhe dëshirën për liri

Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit për Liri Ekonomike, Besart Kadia përgëzoi autoren për botimin e këtij libri dhe sjelljen e kësaj figure për lexuesin shqiptar. Lane njihet dhe sot si një nga filozofet më të mëdha të mendimit liberal dhe Fondacioni që Kadia drejton, do të organizojë në vazhdim Forumin e Tiranës për Liri Ekonomike, i cili ka të bëjë pikërisht me atë çfarë Rosë Wilder Lane nuk pranonte; “Rreziku që vjen në ekonomi nga mbirregullimi”. “Kudo filozofia liberale ishte duke humbur terren në vitet 1940 dhe tirania po shtypte ose kërcënonte njerëzit në çdo kontinent. Intelektualët perëndimorë në atë periudhë gati sa justifikonin sjelljen e Stalinit dhe ekonomia e pasluftës së Dytë u karakterizuara nga masa të kontrollit shtetëror, të ngjashme me Bashkimin Sovjetik. 50 milionë njerëz u vranë në atë luftë dhe SHBA mbeti shpresa e fundit e lirisë. Në këtë periudhë kaq të vështirë, tri gra me karakter të fortë deklaruan se kolektivizimi ishte djalli vetë. Ato qëndruan fort për të mbrojtur të drejtat natyrore të njeriut, si filozofia e vetme për t’i bërë moralisht opozitë tiranisë kudo në botë. Ato theksuan rëndësinë  e individualizmit dhe theksuan mbi një të ardhme ku njerëzit mund të ishin sërish të lirë. Ato shprehën optimizëm pa fund për të inspiruar miliona njerëz më vonë”, u shpreh Kadia.  Ai shtoi ndërkohë se “Rose Wilder Lane u lind më 5 Dhjetor 1886; për një kohë të gjatë familja e saj jetonte në një strehë pa dritare dhe shpesh nuk kishin mjaftueshëm ushqim për të ngrënë. Ndaj nuk besoj se varfëria që mundet të ketë parë në Shqipëri në vitin 1920, kur ajo udhëtoi nëpër Europë si pjesë e Kryqit të Kuq, ta ketë vendosur atë në një pozitë që të mos shohë thellë në karakterin tonë për liri dhe individualizëm”.

 

Valbona Nathanaili: Një histori pasioni e shkruar me pasion

Drejtoresha e Shtëpisë botuese UET-Press, Valbona Nathanaili e cilësoi librin e Eleni Laperit mbi jetën dhe veprën e R. W. Lane si një libër të shkruar me pasion për një grua pasionante. Ndër të tjera Nathanaili tha se “Eleni Laperi ka marrë përsipër të na e paraqesë të plotë të gjithë figurën e Rose ose të Drandes, sikundër e quanin shumë nga miqtë e saj malësorë shqiptarë, të cilët në shenjë mirënjohjeje për dashurinë që falte dhe ndihmën që ofronte, dashuri dhe ndihmë që nuk e kurseu deri në fund të jetës, kishin gjetur sinonimin shqip të emrit të saj. Një Drande amerikane në malësitë e Shqipërisë në fillimet e viteve ‘20. Pse? Cilat janë arsyet që e shtynë ta bënte Shqipërinë vendin e veprimtarisë së saj, që i kthyen vëmendjen drejt Shqipërisë e shqiptarëve? Aventurë, rastësi, pasion, përmbushje morale, dëshirë për t’i dhënë përmbajtje tjetër jetës?” Sipas Nathanailit, “ardhja e parë në Shqipëri frymëzohet vërtet nga arsye personale, por jo të tjerat, sepse ato fillojnë e marrin kahe sociale, bëhen pjesë e kauzës së saj në funksion të lirive të njeriut, të luftës e përpjekjeve për ta bërë të aftë të marrë vetë në dorë fatin e tij. Nga ana tjetër, Shqipëria e shndërron vetë Rose Wilder Lane: e bën më të mirë dhe më të zgjuar. E bën më të mirë si një cilësi morale, të cilën, gjithsesi, duket se e ka pasur me tepri – në libër do gjeni ndihmën e paçmuar që i jep së ëmës në botimin e librave të saj, pa e vënë emrin e vet; ndihmën ekonomike që u jep shumë familjeve shqiptare dhe veçanërisht Rexhë Metës gjatë studimeve në Oxford dhe më tej, edhe gjithë familjes së tij.” Nathanaili thekson se Shqipëria e bën më të zgjuar sepse i jep aftësinë për të menduar më qartë rreth objektivave, synimeve, vlerave që duhet të ketë jeta, të kuptojë se është në gjendje të ndikojë në veprimet e atyre që e rrethojnë, t’i ndërgjegjësojë për përgjegjësitë që kemi si qenie sociale.

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas