Kryesore

Ambasadorja gjermane, Holtkemper: Turizmi në Shqipëri, larg standardeve elitare


Megjithëse në rritje të vazhdueshme këto vitet e fundit, turizmi në vendin tonë ende është shumë larg standardeve. Deklaratën e ka bërë dje gjatë konferencës së 4 të Shoqatës Shqiptare të Turizmit, ambasadorja gjermane në vendin tonë, Carola Myler Holtkemper. Nëpërmjet GTZ, qeveria gjermane është një nga financueset më të mëdha të këtij sektori, sidomos për turizmin malor dhe atë familjar. Sipas ambasadores gjermane, pikat e dobëta që e mbajnë vendin tonë larg standardeve janë moszbatimi i ligjit, cilësia e shërbimeve si dhe mungesa e infrastrukturës, duke u bërë barrierat kryesore që pengojnë zhvillimin e turizmit në vend. Ajo theksoi se ky sektor nuk i përmbush kërkesat e klientëve të huaj. “Shqipëria ka vështirësi sa i përket sundimit të ligjit, cilësisë së shërbimeve dhe infrastrukturës, të cilat pengojnë zhvillimin e sektorit të turizmit. Ky sektor ende nuk i përmbush kërkesat e klientëve të huaj, por ka partnerë që e mbështesin Shqipërinë për të realizuar standardet që duhen. Duhet të theksoj se janë vënë re disa përpjekje fillestare për zhvillimin e zonave malore”, – tha Holtkemper. Ministri i Turizmit, Aldo Bumçi tha se, me gjithë mungesën e investimeve dhe problemet në infrastrukturë, nga viti 2005 deri në 2011 është vënë re një rritje e konsiderueshme e numrit të turistëve të huaj në Shqipëri. Sipas tij, qeveria po investon në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, si dhe promovimin e turizmit jashtë vendit. Duke i vlerësuar bizneset si gjeneratorë të turizmit, Ministri Bumçi tha se është i domosdoshëm hartimi i një plani sektorial për zhvillimin e këtij sektori. Ai u bëri apel bizneseve ndërtuese që të mos investojnë më në pallate, por në resorte që nevojiten për akomodimin e turistëve. Gjatë vitit 2011, vendi ynë është vizituar nga mbi 4 milionë turistë të huaj dhe shqiptarë rezidentë në vende të tjera. Sipas ministrit Bumçi, numri i turistëve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë u rrit me 18.7 %, krahasuar me një vit më parë. Ai tha se për të llogaritur të ardhurat nga ky sektor është ngritur një grup pune me ekspertë nga Banka e Shqipërisë, Ministria e Turizmit dhe INSTAT-i, dhe pritet që shifrat të publikohen pas 6-mujorit të parë të 2012-ës. Sipas tij, infrastruktura rrugore, ujësjellës-kanalizimet, energji 24 orë, do të jenë një garanci për zhvillimin e mëtejshëm të turizmit në vend. Ai theksoi dje se gjatë vitit 2012 do të miratohet ligji i ri i turizmit, që parashikon nxitje të reja dhe më shumë të ardhura për këtë sektor. Ministri shtoi se një hallkë të rëndësishme për rritjen e investimeve vendase dhe të huaja në sektorin e turizmit përbën identifikimi i zonave për ngritjen e resorteve gjigante nga sipërmarrës botërorë.

 



PasPara

1 koment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas