Editorial

Ambasadorja e re nuk është as trumpiste, as obamiste, është amerikane

Nga Ervis Iljazaj

Emërimi i ambasadorëve amerikanë në Shqipëri është pritur gjithmonë me interes për politikën shqiptare. Kjo për faktin se, ata kanë luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në opinion publik, pasi besueshmëria e shqiptarëve te ndërkombëtarët, e sidomos tek amerikanët, për fatin tonë të keq, është gjithmonë më e madhe se sa te politika shqiptare.



Për këtë arsye, amerikanët në Shqipëri kanë luajtur rolin e arbitrit. Shpeshherë, si të gjithë ambasadorët e SHBA-së në këto vitet e tranzicionit shqiptar, kanë patur preferencat e tyre për një krah apo një krah tjetër politik, kryesisht atë të qeverisë. Kjo është normale, pasi bashkëpunimi politik i ambasadorëve bëhet nëpërmjet qeverisë. Mirëpo kjo nuk do të thotë aspak që politika e tyre është politikë personale. Është absurde të mendosh që ambasadori i shtetit më të fuqishëm të Botës, del nga linja kryesore e politikës së jashtme të përcaktuara në Departamentin e Shtetit.

Në këtë kuptim, ambasadorët amerikanë, të gjithë pa përjashtim, janë etiketuar, janë kritikuar apo edhe akuzuar për politika personale në Shqipëri. Rasti i fundit me Ambasadorin Donald Lu, është rasti më domethënës në këtë aspekt.

Kjo gjë u tha për Donald Lu, se është i majtë, që është Obamian, e etiketime të tilla nga këto, që e bënin punë e tij në Shqipëri të dyshimtë për opozitën shqiptare.

Kështu që, opozita shqiptare shpreson se, me largimin e Donald Lu-së, ambasadori i ri që do të vijë në Shqipëri, duke qenë se administrata është e djathtë, do të ketë një “dashamirësi” me të. Dhe, kjo preferencë e ambasadorëve amerikanë, është gjithmonë një kredit plus për palët politike shqiptare.

Më në fund është emëruar Ambasadori Amerikan i ri në Shqipëri. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka emëruar Kathleen Ann Kavalec, e cila do të jetë Ambasadore e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Shqipërisë.

Zonja Kathleen, ka një karrierë të gjatë diplomatike, pothuajse 30-vjeçare. E në këtë kuptim, ajo nuk është as trumpiste, as antimajtiste apo e atashuar me etiketime të tjera, por është një funksionare e Shtetit Amerikan, një diplomate karriere.

Ata që presin që ambasadorja e re do të mbërrinte në Shqipëri si një antimajtiste apo antisorrosiste, me qëllimin për të rrëzuar mazhorancën aktuale, shpresojnë më kot, pasi kjo zonjë është në trupën diplomatike prej shumë vitesh dhe si e tillë, nuk ka asnjë përkatësi ideologjike, por vetëm atë të mbrojtjes së interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sepse diplomacia nuk ka ideologji, por vetëm interesa. Prandaj, nuk ka rëndësi aspak se çfarë administrate amerikane emëron një ambasador, e majtë apo e djathtë. I vetmi mision i diplomatëve amerikanë është mbrojtja e interesave të shtetit të tyre. Dhe interesat e SHBA do të vazhdojnë të jenë po të njëjta në Shqipëri dhe në Ballkan. Ato do të mbrohen pavarësisht ngjyrave politike amerikane apo shqiptare.

E vetmja gjë që mund të bëjë politika shqiptare, për të fituar mbështetjen e SHBA dhe ambasadorëve të tyre, është rreshtimi i qartë proamerikan dhe properëndimor, kundrejt çdo tentative për të krijuar aleatë ndërkombëtarë që janë antiamerikanë, vetëm për interesa të ngushtë politikë.

Në këto kohë të turbullta gjeopolitike, rreshtimi i qartë proamerikan i politikës shqiptare, nuk duhet marrë i mirëqenë.

PasPara

3 komente

  1. Edhe thua ne fillim se ambasadoret amerikane kane ndikuar opinionin public, edhe me pas thua se kjo ambasadore nuk do te mbaje krahun e opozites. Ajo anen e opozites duhet te mbaje tani, se LU Soros mbajti anen e te majteve, dhe keshtu duhet nje barazpeshe. Po nejse, edhe nese nuk mban asnje ane, okay. Por shkrimi yt duket si kercenim, si ‘mos guxo te mbash anen e opozites’. Je ne terezi ti?!

  2. I majtê apo i djathtë, pavarësisht prej nga vjen e kujt i përket, ai/ ajo ka formimin e vet dhe bindjet e veta. Ajo mundet të mos dalë publikisht kundër qeverrisë antishtet siç e kemi ne, por ajo, nëse ka integritet, duhet të mbajë qëndrim korrekt sipas zhvillimeve dhe jo për hatër të shtetit tonë pa ligje, pa gjykatat përkatëse, me vettingun e kthyer në lesh- tting e të tjera si këto, që nuk mbarojnë as me një libër voluminoz. Qeverria jonë ka dhënë shembuj dhe ka votuar shpesh kundër interesave të SHBA – ve. Le të presim dhe të shohim çfarë do të ndodh. Gjëja më e vështirë është të parashikosh të ardhmen. Shpresoj se gjërat do të ndryshojnë për mirë. Ajo do të përfaqësojë politikën e Amerikës, por rdhe të Z. Tramp njëkohësisht. Prandaj mendoj se diçka ndryshe do të jetë, patjetër.

  3. Ambasadori i çdo vendi, e ka për detyre që në vëndin që shkon për të kryer detyrën dipllomatike, të përfaqësojë politikën e shtetit që e ka ngarkuar me këtë detyre.
    Nuk i lejohet asnjë ambasadori që në vendin që shkon të kryejë detyrën e përfaqësimit, të mbështesë një qeveri që i del kundër politikës drejtuese, kryeministrit apo presidentit të vendit të tij..
    Cilido ambasador që duke përfaqësuar një vend demokratik me shtet ligjor, mbyll sytë ndaj shpërthimit të krimit, kultivimit e trafikut të drogës, pamvarësisht se ka si përzgjedhje vetiake politike “trumpizmin, obamizmin apo soroizmin”, del kundër popullit të tij që që me shumicë demokratike ka zgjedhur qeverinë që dëshiron..
    Ambasadorja e re që pritet të vijë në Shqipëri, do të ishte naive ta paragjykonim se do të jetë e aftë se është “puro amerikane” e jo kinezo-amerikane apo afroamerikane..
    Nëse ajo do të respektojë detyrimet qe ka ndaj qeverisë që e ka zgjedhur për këtë detyre, dhe normat ndërkombëtare për të drejtat e kompetencat e një ambasadori, do të fitojë respektin e shqiptarëve e do të shtojë adhurimin e shqiptarëve për demokracinë amerikane, në të kundërt, ajo do të dobësojë imazhin e saj personal e imazhin e SHBA.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas