Mapo Letrare

Alejandra Pizarnik, të krijosh heshtje të reja

Buenos Aires, Argjentinë, 1936-1972

Vajzë e emigrantëve çifutë me origjinë ruse, Alejandra Pizarnik vuante në mënyrë të vazhdueshme nga çrrënjosja, dhe çështja shqetësuese e përkatësisë rezonon në vargjet e saj; që prej përmbledhjes së saj të parë me poezi, Toka më e kundërt (1955). Rigjetja e moshës së artë, fëmijëria (Pafajësia e fundit, 1956, Aventurat e humbura, 1958) dhe një tjetër temë përshkojnë prodhimtarinë e saj, njëlloj si nata mikeshë dhe delli kërcënues: «Pa dyshim nata është jeta dhe dielli vdekja». Romantizmi që ajo zbulon në glorifikimin e natës, të vetmisë apo të vdekjes, bashkohet me një vullnet surrealist : ajo ka në fakt rastin të jetë pjesë e kësaj lëvizjeje gjatë qëndrimit të saj parisian (1960-1964), atje, ajo pasionohet pas një personazhi të çuditshëm : një konteshë hungareze, Elisabeth Bathory, që kishte jetuar mes shekullit të XVI dhe të XVII dhe sakrifikoi me qindra vajza të reja për të përmbushur dëshirën e saj të rinisë së përjetshme. Ajo i ka dedikuar kësaj Drakule femërore Për sa i takon konteshës së përgjakshme (1971), një poezi në prozë shumë enigmatike, ku refleksionet mbi origjinën e së keqes mbështeten mbi një gjuhë thuajse aseptike, por me një forcë poetike të madhe.



Kërkimi i fjalëve, densiteti dhe shkurtësia e tyre, është obsesioni i Pizarnik : «isha e huaj/ kur pranë dritave të largëta/ vendosa në përfitim fjalë shumë të çiltra/ për të krijuar heshtje të reja». Ky kërkim i vazhdueshëm dhe i paarritshëm i shkatërron ekzistencën, sakaq, fjalët e saj i ofrojnë një strehë, një vend për t’u fshehur : «Fshihesha në gjuhë/ dhe arsyeja/ është se kam frikë». Metafora e poezisë së saj, lufta mes fjalës dhe heshtjes, mes jetës së jetuar dhe jetës së vargjeve të saj, që turbullojnë shëndetin e saj mendor. Pas qëndrimit të saj në Paris, internimet në spitale psikiatrike qenë gjithnjë e më të shpeshta. Më 25 shtator 1972, ajo pi barbiturikë në masë. Vdekja e saj është një çlirim: «Fjalët mund të më kishin shpëtuar, por jam shumë e gjallë».

Një nga zërat më intense dhe origjinale të 900 argjentinase, ka ngjallur interes të pasionuar, por edhe polemika të ashpra. Ndoshta sepse mishëron shpirtin e lirë në të gjitha kuptimet. Mishëron konceptin e lirisë dhe përbrendëson shpirtin e mosmarrëveshjes me vetën. Alejandra studion letërsi dhe filozofi dhe më pas pikturë me Juan Battle Planaa. Jeton dhe ndien pa filtra, vulnerabël mbi të gjitha karshi vetes.

Gjatë periudhës së qëndrimit të saj në Paris, punon pranë revistës «Cuadernos» dhe bashkëpunon me shumë shtëpi botuese. Disa njerëz janë shumë të afërt me të ; ndër ta Olga Orozco, Julio Cortazar, Octavio Paz. Përkthen Antonin Artaud, Aime Cesaire, Yves Bonnefoy. Tek Artaud gjen të ngjashmin e saj : Artaud jam unë. Lufta e tij me heshtjen, me ndjenjën e abisit absolut, të zbrazëtirës, me trupin e tij të alienuar, si të mos ta bashkojë me luftën time ?

«Të shkruash një poezi – thotë Alejandra – është të riparosh një plagë thelbësore. Apo ndryshe të zgjedhësh një poemë në prozë, apo një sentencë, apo një faqe ditari. Flas njëlloj sikurse flitet brenda meje. Jo zëri im që këmbëngul t’i ngjajë një zëri njerëzor, por një tjetër zë që vërteton se nuk kam reshtur së jetuari në pyll».

Alejandra, është një grua e cila mbart një humnerë të pafundme, si një lule e së keqes rrënjët e së cilës janë mbjellë në boshllëk. Një boshllëk i cili përbëhet nga shqetësimi, nga parehatia dhe vetëdija që tenton të mposhtë përmes një pasioni thuajse obsesiv për letërsinë dhe shkrimin. Stili i Pizrnik, vetëm në dukje është i thjeshtë, në të vërtetë, fsheh një kërkim akut letrar, që sheh te Nerval dhe Blake, mjeshtër të poezisë vizionare dhe nokturne.

Ka poetë që duket se duhet të përfaqësojnë me ekzistencën e tyre ikonën e vdekjes. Ajo jeton latente në të gjitha veprimet e tyre dhe në pamundësinë e tyre për të qeshur me të vërtetë. E qeshura e saj në fakt, duket dëshpërimesht autoironike dhe e pamundur të festojë ritualet e zbrazëta të ekzistencës. Të rindërtosh biografinë e saj përtej shkrimit të saj duket thuajse e pamundur. Nuk ka, në fakt, asnjë ngjarje domethënëse. Vetmia është gjithnjë e pranishme në faqet që tradhtojnë ndjenjës e humbjes, braktisjes së pafundme. Zbrazëtia në fund të fundit thërret materien. Duket se kjo është një nga arsyet më domethënëse për të cilat poezia e Pizarnik është konsideruar materiale, fizike, ndonjëherë edhe «kafshërore». Ndoshta në mungesë të një ekzistence që mezi realizohet, poezia bëhet një shëmbëlltyrë e jetës. Së fundme.

Bisej Kapo

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas