Mapo Letrare

Alda Bardhyli: Çdo libër i mirë është Total në njëfarë mënyre

aldaPyetësori i Librit

 



-Libri më i vjetër që keni në bibliotekë…

“Burra të vegjël” nga Louisa May Alcott 1888, “Pauline” nga George Sand, botim i 1859. “The voyage out”, i vitit 1915, i pari i shkrimtares Virginia Wolf. Një libër i vjetër që duhet të ketë qenë në bibliotekën e ndonjë anglezi që e ka ruajtur me kujdes, para se unë ta blija tek një bukinist në Oksford vite më parë. Është përpjekja e saj e parë në prozë, shkruar në një periudhë depresioni, ku ndjehet shkrimtarja e ardhshme. Është interesante, sepse ky libër erdhi tek unë pasi kisha kohë që jetoja me ndjesinë e “Zonjës Klarisa Dalloway”, një nga personazhet femra më të njohura të Wolf tek libri me të njëjtin titull. Një libër që ajo e ka shkruar në pjekurinë e saj si shkrimtare, si për të dhënë të plotë brendësinë e një gruaje që kishte lindur herët tek ajo…Më jep ndjesinë e rikthimit tek gjërat që ende nuk i kemi thënë si duhet, apo të plotësisë që do ndodh gjithnjë dikur. E tillë është dhe letërsia, në një mënyrë a një tjetër, kërkon të çojë deri në fund jetën e një personazhi.

-Librat i zgjidhni nga autori apo zhanri?

Përzgjedhjen e librave e bëj shpesh nga emri i autorit ose përkthyesit. Nuk përjashtoj asnjë zhanër, dhe pse poezia, ajo e mirë, vazhdon të ketë atë fuqinë çliruese tek unë.

-I keni lexuar të gjithë librat që keni në bibliotekë?

Jo. Por pothuajse të gjithë i kam shfletuar. Është një zakon i vjetër, që një libër e mbaj gjatë nëpër duar para se ta vendos në bibliotekë. Leximi varet nga ajo çfarë mbart libri…

-Libri i parë që keni lexuar…

“Ëndrra e një nate vere”, Shekspir. Mund të tingëllojë çuditshëm, por ky është libri i parë që më vjen në mendje sa herë kujtoj lidhjen time me leximin. Nuk më kujtohet ndonjë libër për fëmijë që të më ketë lënë kaq shumë përshtypje, sa shprehjet e gjetura tek kjo komedi kaq e bukur e Shekspirit, të cilat vazhdojnë të qëndrojnë të nënvizuara me stilolaps me ngjyrë të kuqe, si vite më parë, në librin që e ruaj ende…Kjo zgjedhje kishte të bënte me faktin se vetëm Shekspir, e librat e Jakov Xoxës, ishin bri librave të punës së prindërve të mi në ato vite.

-Libri i parë që keni kursyer për ta blerë

Nuk më ka ndodhur të kursej për të blerë një libër. Blerja e librave është një ritual që e bëj ende ashtu natyrshëm …

-Me kë i ndanit librat kur ishit gjimnazist apo student?

Bisedat për librat dhe ndarja e librave është si zakon që e vijoj ende me miqtë e mi. Vetëm se tani, i kemi më lehtë për t’i gjetur…

-A keni pasur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e qytetit?

Kam pasur kartë anëtarësimi në Bibliotekën e Shkollës gjatë studimeve, po ashtu në Bibliotekën Kombëtare. Por pavarësisht kësaj, leximi nëpër biblioteka nuk ka qenë një joshje për mua. Shumë rrallë ndodhte të shkoja në Bibliotekë për të lexuar. Kjo mund të ketë ndodhur gjatë shkollës. Më shumë hyrjet në biblioteka kanë qenë për të kërkuar libra të vjetër apo materiale, ato që nuk mund të gjendeshin në librari, apo takime me njerëz që merren me librin. I besoj një tradite të kultivuar në lexim, dhe tek unë është disi intime, pa njerëz rrotull, por në një dhomë që shpesh përshkohet vetëm nga drita e abazhurit.

-A shkonit në Bibliotekë dikur, dhe a vazhdoni ta frekuentoni edhe sot?

Shkoj në Bibliotekë, ndoshta dhe shpesh. Më pëlqen të endem në vende ku ka shumë libra. Bibliotekat dhe libraritë do jenë një joshje e përhershme për mua…

-I keni marrë ndonjëherë një mikeshe apo miku një libër dhe me ndërgjegje nuk ia keni kthyer më? Nëse po, cili është ai libër?

Rrallë ndodh të kërkoj libra. Nuk më kujtohet tani të mos e kem kthyer. Dhurimi i librave dhe atyre që sapo mund t’i kem blerë është një ves, të cilin nuk e kam hequr dot, pavarësisht përpjekjeve. Nuk mund t’i them jo dikujt që më kërkon një libër. Dhe kur e jap, harroj ta kërkoj…

-Keni humbur libra që i keni pasur shumë të dashur?

Kam humbur libra, por i kam zëvendësuar sërish. Më ndodh të blej të njëjtin libër disa herë dhe sërish të mos e kem kur më duhet, pasi duhet ta kem falur sërish. Kjo ndodh tek librat që lënë gjurmë tek unë.

-Dhurimin e librave është një rit që e vlerësoni, apo librat preferoni t’i zgjidhnit vetë?

Më pëlqen dhurimi i librave. Ka libra që i lidh me historitë që kanë shoqëruar ardhjen e tyre tek unë. Që mund të jenë njerëzit që m’i kanë dhuruar. Më pëlqen të lexoj përmes këtij akti kaq të bukur, siç mund të jetë dhurimi i një libri.

-Cilat janë zakonet tuaja të leximit? Lexoni shtrirë në kurriz, përmbys, në tryezën e punës… ?

Më pëlqen të lexoj në shtrat. Zakonisht, para se të fle. Orët para dhe pas mesnatës më gjejnë gjithnjë bri fletëve të një libri. Është një ritual i hershëm, që më është kthyer në një ves të ëmbël dhe shpesh torturues.

-A lexoni në banjë?

Jo.

-Në çfarë gjuhe tjetër përveç shqipes lexoni?

Lexoj në anglisht, por me një libër komunikoj më lehtë në shqip. Është një komunikim i vendosur herët mes perceptimit tim dhe leximit, me gjuhën e mendjes.

-Ç’libër keni në duar aktualisht?

I jam rikthyer këto ditë sërish Isaac Bashevis Singer, tregimeve të tij nën përkthimin e Helena Kadaresë. Një mjeshtër i tregimit e novelës, një shkrimtar plot imagjinatë. Një autor që të tregon se letërsia është një histori dashurie dhe fati përzier bashkë, një përshkrim i uraganit të çmendur të pasioneve të njeriut dhe i luftës që ai bën me to.

-Mbani shënime kur lexoni?

Nuk mbaj shënime, thjesht përthyej fletët kur më pëlqen diçka.

-Në letërsi ju tërheq më shumë proza apo poezia? Kur shënjoni një autor që ju pëlqen, lexoni gjithçka të tij/saj?

Më tërheq më shumë proza. Por blej e kërkoj shpesh libra me poezi. Sa herë që kam humbur javë mbi libra voluminozë, shpesh për shkak të punës. Poezia ka aftësinë e depërtimit në shqisa. Dhe më shijon ajo çlodhje e lehtë prej saj. Kur një shkrimtar më pëlqen, përpiqem të lexoj më shumë prej tij, dhe shpesh e gjej veten duke kërkuar pak më tej, në shënime mbi jetën e tij. Pasi besoj fort se letërsia, më shumë se një produkt i përfytyrimit, është një shndërrim në ngjarje i jetës, dhe shpesh ajo është e vetë shkrimtarit.

-Cilët janë ata libra apo autorë që ju rekomandoni se duhen lexuar patjetër?

Çdo libër i mirë nuk duhet humbur. Por ndonjëherë mjafton të lexosh vetëm disa prej tyre. Rruga për tek të duhurit lidhet më shpesh me fillimet e tua në lexim. Nëse ke nisur leximin nga rruga ku gjen këtë lloj letërsie, ti do të dish ta shijosh e të ndikojë tek ty më pas, nëse ke nisur me rrugën tjetër, do e kesh shumë vështirë t’i njohësh dhe t’i kuptosh, dhe pse mund t’i kesh në duar…Por “Don Kishoti”,Vëllezërit Karamazov”, Tomas Man “Mali Magjik”, “Uliksi” i Xhojsit, “Komedia Hyjnore”, Dante, “Muri” Sartri… “Frymë të vdekura” Godol, “Fundi i një historie dashurie”, Graham Green, “Dashnori”, Margarite Duras, “Zonja me kamelie”, Alexandre Dumas.

-A ka një libër që ju e konsideroni si Librin Total?

Një libër i mirë është Total në njëfarë mënyre. Çdo libër që ka aftësinë të ndikojë në përsosjen e qenies njerëzore, do ta quaja të tillë. Është e vështirë që t’i japësh vetëm një botimi këtë lloj përcaktimi.

-Po t’ju thonë se në Arkën e Noes së Librave duhet të shtini 3 libra për t’i shpëtuar nga Apokalipsi, cilët do ishin?“Çështje të marrëzisë ”, Ismail Kadare, “Zonja Bovari”, Flober dhe “Dekameroni” i Xhovani Bokacco.

Na thoni një maksimë për librat, që e mbani mend ose e përsërisni shpesh…

Po them dy të tilla. Njëra e Toni Morrison, një shkrimtare të cilën jam përpjekur ta zbuloj përmes leximit. Një grua që letërsinë e ka shndërruar në një himn jo vetëm për shpirtin njerëzor por edhe për të drejtat e njeriut. Ajo thotë: “Nëse ka ndonjë libër që do ta lexosh, por nuk është shkruar akoma, atëherë duhet ta shkruash ti”. Tjetra është e John Green, i cili thotë se “librat janë kaq të veçantë, të rrallë dhe të tutë, saqë të tregosh se çfarë ndjen për to, duket si tradhti”.

-Na thoni një varg të preferuar poezie…?

Po citoj një poezi që sapo e kam lexuar të Fatos Arapit, nga përmbledhja e plotë e veprave të tij që është bërë së fundmi. Një punë për t’u përgëzuar. ..

Në kaq pak Tiranë,

si mund të mbetesh kujtim,

si mund të kthehesh në mall…

Dhembja e natës

Natën e zgjon

Si mund të bëhesh tragjedi

Në kaq pak Tiranë…

-Autografi më i çmuar apo më i çuditshëm që keni në bibliotekën tuaj?

Janë disa të tillë të çmuar, që iu përkasin autorëve që tashmë nuk janë më. Dikur, kur ata më linin shënime mbi faqen e parë të një libri, nuk e kuptoja rëndësinë e një autografi, që sot më zgjon kujtime e mall për miq të papërsëritshëm. Mes tyre do të veçoja atë të Gjergj Zhejit, studiuesit dhe përkthyesit më të mirë të shqipes, të cilin e kam pasur dhe profesor, por që vitet e fundit të jetës së tij do të punonim bashkë për ribotimin që i bëri “Mureve të Krujës”, një roman historik, kushtuar një prej figurave të njohura të historisë sonë, Skënderbeut. Dua të citoj paragrafin e fundit të parathënies që ai i bëri këtij ribotimi, që e shkroi me shkrim dore, mbi tavolinën e drunjtë në atë apartament të vogël ku ndante jetën me të shoqen… “Mjerë ata që, me dashje a pa dashje, shkelin me këmbë gjithçka që duhet ngritur lart e nuk duhet ulur kurrë! Çdo gjë mund të falet, por tradhti është mohimi i së vërtetës, është një marrëzi e turpshme, një i vdekur të cilin e kall edhe varri!…”. Këto rreshta mund t’i quaj si testamentin e fundit të këtij heroi të gjuhës shqipe, mbi rëndësinë e mbrojtjes së dinjitetit kombëtar.

*Alda Bardhyli është Redaktore e Kulturës, gazeta “Shqip”, Botimet “Saras”.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas