Kryesore

Albin Kurti: Ndërkombëtarët privatisht e mbështesin bashkimin Shqipëri Kosovë


Në një intervistë për “Tonight Ilva Tare”, Albin Kurti, kreu i lëvizjes ‘Vetëvendosja’, përcjell versionin e tij për dy shtete shqiptare, bashkimin, protestat dhe problemet këtej e andej kufirit. Takimet me Ramën dhe Berishën dhe qëndrimi i tij për 21 Janarin. Si mund të bëhet bashkimi, të cilin ai e mbështet pa rezerva dhe dëshmia se ndërkombëtarët privatisht e quajnë natyral këtë bashkim.

 



Pse zgjodhët të dilnit në rrugë, të protestonit më 14 janar, në një kohë që deputetët tuaj të Vetëvendosjes ndodhen aty ku bëhen institucionet dhe aty ku bëhet politika, në Parlament?

Demokracia përfaqësuese është e nevojshme, por e pamjaftueshme, pra nuk mjafton që vetëm në Kuvendin e Kosovës ta ngresh zërin dhe të flasësh për qëndrimet dhe politikat që ka lëvizja jonë. Është e nevojshme që të kemi aksione direkte, të kemi demokraci pjesëmarrëse të drejtpërdrejtë dhe ky është në fakt dhe vokacioni ynë si lëvizje që nuk është parti politike dhe konstatuam që ishte e domosdoshme që të bllokohej hyrja e Serbisë më 14 Janar dhe më 22 Janar, për shkak se kishim një vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, por mbi të gjitha është edhe vullneti dhe interesi i qytetarëve të Kosovës, që mos të mos e lejojnë hyrjen edhe ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë. 200 maune hyjnë në ditë nga Serbia në Kosovë, ndërkohë që Serbia në Kushtetutën e saj e ka shkruar që Kosova është pjesë e Serbisë dhe nuk na i ka paguar dëmet e luftës, janë me mijëra kriminelë që nuk na i ka dorëzuar, shqiptarët në luginën e Preshevës shtypen e diskriminohen çdo ditë, nuk na i kanë kthyer as fondin pensional, as depozitat bankare të qytetarëve, as regjistrat kadastralë, as regjistrat civilë dhe Serbia çdo ditë thotë se kurrë nuk do ta njohë Kosovën dhe asnjëherë nuk do t’i shpërbëjë strukturat e saj paralele që veprojnë në Kosovë. Domethënë kemi të bëjmë me një shtet që e ka shpallur veten armik karshi nesh dhe nuk duhet t’i mbyllim sytë ndaj kësaj.

Duket sikur nuk keni asnjë në krahun tuaj, as qeverinë e Prishtinës, as të Beogradit, as të Tiranës, as BE dhe as ShBA-në.

Është e vërtetë që ata na gjykuan ne ende pa ndodhur protesta, për shkak se Kryeministri i Kosovës e portretizoi situatën si shumë të dhunshme dhe mandej zyrtarë të ndryshëm ndërkombëtarë u pozicionuan karshi këtij portretizimi. Ai tha se do kishte protesta të dhunshme, sepse kishte plan të dhunshëm për intervenim. Ai na sulmoi dhunshëm me policinë, prandaj edhe protesta ishte me pamje të dhunës, por këto pamje nuk i shkaktuam ne, por policia. Mos harroni që para se të jenë të rënda pamjet e dhunës, janë të rënda dhembjet e dhunës. Nuk kemi vetëm pamjet e dhunës në këto protesta, por kemi trupa të dhunuar, kemi mendje të dhunuara dhe kjo mendoj është shumë e rëndë.

Mund t’i kishit shmangur?

Ne nuk mund t’i shmangemi dot kësaj, përveçse po të vendosnim të mos mbanim asnjëherë protestë. Protesta paqësore është e drejtë universale, madje është liri e qytetarëve, është gjithashtu dhe vlerë demokratike.

Nuk do të ishte më e udhës të uleshit me të dhe t’i përgjigjeshit ftesës së tij për t’u takuar?

Kemi biseduar në Kuvendin e Kosovës dhe ai aty ka hedhur një mal me shpifje dhe sharje kundër Vetëvendosjes, në një moment kur irracionaliteti dhe injoranca u bënë bashkë dhe pati plot reagime banale ndaj nesh. Ne jemi ata që veprojmë dhe në Kuvendin e Kosovës, por edhe në rrugët e Kosovës, se fundja dhe protesta paqësore është institucion, nuk është institucioni vetëm godina, ndërtesa.

Politika është arti i komunikimit, po të kishit komunikuar me zotin Tthaçi do ishte më e lehtë për të gjetur gjuhën e përbashkët aty ku mund të keni bashkëpunim.

Por nuk është e mundur, duke pasur parasysh mënyrën sesi ai komunikonte me ne. Një mënyrë tërësisht përjashtuese, ku ne na konsideronte më problem se Serbinë. Madje, na krahasoi me një kriminel në veri të Kosovës të quajtur Veselinoviç, për të cilin tha se dhe Serbia ka hequr dorë prej tij, me një fjalë e bëri Serbinë më të mirë se ai kriminel, duke anashkaluar faktin që atë kriminel e ka prodhuar Serbia dhe jo anasjelltas.

Si e përjetuat deklaratën e Thaçit për një 21 Janar të ngjashëm me Shqipërinë në Kosovë?

Ai fliste vazhdimisht për dhunë, ndërkohë që ne vazhdimisht thoshim që do të jetë protesta paqësore. Ai kishte një plan policor, sepse politika e tij është gjithnjë e më shumë policore, ndërkohë që policinë e ka bërë gjithnjë e më shumë politike. Ne e pamë se ai ishte në një lloj sikleti e paniku dhe shprehja e këtij paniku ishin ato akuza dhe ai mendonte batuta inteligjente për të hedhur kundër nesh, që nuk ishin fare të tilla. Bëhet fjalë për reagime tërësisht banale dhe pas protestës kur u demaskua plani i tij kriminal ai filloi t’i zbuste fjalët. por ajo ishte tepër pak dhe tepër vonë.

Sipas VV-s ka pasur elemente të infiltruar. A është e vërtetë kjo?

Çdo protestë ka, por kishte më shumë se zakonisht.

Për çfarë qëllimi?

Për një situatë ku ata mund të provokonin policinë dhe ta fajësonin VETVENDOSJE-n për inicimin e dhunës, mirëpo s’ka ndodhur diçka e tillë, sepse ne kemi pasur 250 kujdestarë, që janë kujdesur që aktivistë të VV të jenë paqësorë.

Kam gjetur një reagim të zv.ministrit tëJashtëm, Selimi, ku thotë se nuk keni përkrahje ndërkombëtare dhe shikohet me dyshim nga të gjitha qeveritë miqësore me Kosovën, sepse ju, sipas tij, për kauzën mund të bëni gjithçka, përfshi dhe dhunë.

Po nuk është e vërtetë, ne s’kemi qenë të dhunshëm. Ne kemi pësuar në aksionet protestuese. Qëllime të tilla duan ta paraqesin VETVENDOSJE-n si të dhunshme. Ne kemi shumë më tepër miq ndërkombëtarë sesa këta, sepse këta e ngatërrojnë nënshtrimin me respekt dhe ngatërrojnë servilitetin me mirësjellje. Këta mendojnë se duke qenë servil dhe duke iu nënshtruar atyre, ky është respekti. Jo, ne mendojmë që nuk ka respekt pa vetërespekt, pra ne duhet ta duam e ta respektojmë veten. Miqtë që i kemi ne, janë të vërtetë; miqtë që i kanë këta nuk janë të vërtetë. Këta dominohen prej tyre dhe i përdorin për menaxhim të krizës së përgjithshme dhe për mirëmbajtje të stabilitetit.

Po ju, doni të bëheni Kryeministër, zoti Kurti?

Këtë po mundohem ta them tërë kohën, që neve na duhet bashkimi, forcimi, zhvillimi ekonomik dhe mandej të behet kushdo kryeministër. Po ua plotësojmë dëshirën nga tre muaj secili. Le ta kemi një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, një ushtri kombëtare dhe të kemi më në fund zhvillim dhe të bëjmë paqe në Ballkan, duke u bazuar në balancat e kombeve që janë përafërsisht të barabartë.

Si e keni përcjellë deklaratën  e Thaçit për ngjashmërinë e protestave të 21 Janarit dhe të VV? A ka vërtet një simetri?

Sigurisht që ka ngjashmëri, por nuk ka ngjashmëri në mënyrën si e thoshte Kryeministri i Kosovës. Ai dëshironte të frikësonte njerëzit, se më 14 mund të vriteni siç u vranë në Tiranë, prandaj mos dilni atë ditë. Ai kishte plan për ndërhyrje të dhunshme, por që fatmirësisht nuk rezultoi me viktima. Ngjashmëria nuk është ashtu siç e përshkruante Kryeministri, por ngjashmëria është se në të dyja protestat kishte njerëz të thjeshtë të pakënaqur nga qeverisja e tyre.

Po me kryeministrin Berisha çfarë marrëdhënie keni? Kur jeni takuar për herë të fundit me të?

Jemi takuar fare shkurtimisht te Presidenca këtu, me rastin e 28 Nëntorit. Ishte takim kortezie, shumë shkurtimisht. Vetëm sa jemi përshëndetur.

A ka bashkëpunim midis jush dhe PS-së?

Kemi kontakte, kemi pasur takime me zotin Rama. Kemi diskutuar dhe për problemet në Kosovë dhe në Shqipëri, dhe ishte takimi i parë që ishte më i gjatë. Kemi pasur një takim fare të shkurtër në vitin 2002 dhe prej atëherë jo, po nuk është se nuk i kemi ndjekur zhvillimet dhe aktivitetet e njëri-tjetrit. Ne kemi takime me të gjitha partitë politike.

Politizimi  i kombit brenda kufijve të shteteve respektive?

Jo, jo, ne jemi për ta hequr këtë kufi. Ky është një kufi i dhunshëm, na e kanë venë të tjerët.

Ta heqim, pra?

Ta heqim patjetër, ne jemi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe jo të Shqipërisë me Kosovën, siç thonë disa, se s’duam ta fusim Shqipërinë në Eulex dhe kjo si fazë e parë e bashkimit kombëtar të shqiptarëve që janë autoktonë dhe që është e drejtë e tyre që të bashkohen dhe vullnet, si i ekonomisë ashtu dhe i sigurisë.

Po bëni populizëm, thonë mesazhet tani. Po kërkoni vota, pasi e dini që është e pamundur. Partnerët që e kanë mbështetur  pavarësinë e Kosovës janë kundër.

Pse qenka e mundur të fitohen votat kështu? Atëherë populli e doka këtë. Unë mendoj që, nëse populli e do ketë, duhet ta duan dhe politikanët. Mendoj që te çështja e bashkimit kombëtar pikërisht udhëheqësit nuk duhet të udhëheqin, udhëheqësit duhet të ndjekin popullin. Nëse kemi 2 referendume në Kosovë e në Shqipëri, menjëherë njerëzit do ta bënin bashkimin kombëtar. Sipas sondazheve, mbi 80% në Kosovë janë për bashkim kombëtar. Në Shqipëri janë 60%, ende pa e ditur që është lejuar referendum. Në momentin që lejohet referendum kjo përqindje është dhe me e lartë. Pra, në vend se të flisni për atë që e kam për vota, se nuk e kam për vota, flisni për atë që si qenka e mundur që me këtë tezë po fitohen vota. Pra, këtë gjë e doka dikush këtu.

A keni aleate në këtë kauzë? Jashtë Kosovës?

Privatisht ka zyrtarë ndërkombëtarë që thonë që kjo është çështje e natyrshme dhe e kuptueshme. Është një gjë tjetër që nuk e thonë publikisht. Mirëpo, po e them edhe njëherë, ne duhet ta bëjmë aleate veten tonë. Bashkimi kombëtar do të thotë një rikthim te vetja. Ne disi kemi dalur nga vetja dhe bazohemi te shikimi i tjetrit, a thua si dukemi. Kjo na ka zbrazur nga vullneti ynë. Ne duhet për një moment ta spostojmë në prapavijë shikimin e tjetrit dhe të përqendrohemi te vullneti ynë dhe aleatët asnjëherë nuk mungojnë kur e ke seriozisht dhe sinqerisht.

Nëse bashkohet Kosova me Shqipërinë, cili mund të jetë kryeqyteti?

Besoj duhet të jetë Tirana, por s’është kjo çështja më e rëndësishme.

 

Kurti: Çamëria nuk është vetëm çështje pronash

 

Në Çamëri është kryer gjenocid, pra nuk është vetëm çështje pronash. Nuk është çështje vetëm e të drejtave të njeriut atje, por është kryer gjenocid, aty duhet të bëhet betejë e madhe politike, që ndërkombëtarisht të pranohet ai gjenocid dhe gjenocidi më pas në mënyrë automatike lidhet me të drejtën për VETVENDOSJE.

 

PasPara

1 koment

  1. Së pai çuditem si disa mjete të informimit në Shqipëri,pra edhe "Mbrëmja" e Tares,si i japin vend Albin Kurtit,atij hiqi prej hiqave.Vlera e hiqit është baras me hiq,prandaj mos nxitni urrejtje tek shumica me këtë soj të keq,se nuk i duhet askujt.Duhet t'i mësojnë prejardhjen,e mandej të qartësohen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas