Kryesore

Akuza të rënda ndaj Kishës Ortodokse, HEC-et e saj shkatërruan urat

Kompania “C & S ENERGY”, e cila zotëron 3 HEC-e mbi një degë të Shkumbinit dhe është në pronësi të Kishës Ortodokse, është paditur nga Bashkia Librazhd për dëmtimin e një ure, ndërsa i kërkohet të riparojë edhe një urë të dytë të dëmtuar nga shkarkimet e ujit prej digës që shërben si ujëmbledhës.

Bashkia Librazhd ka paditur “C & S ENERGY” shpk” në pronësi të Kishës Ortodokse Shqiptare, e cila zotëron tre HEC në territorin e saj për dëmtimin e një ure. Juristi i bashkisë Bujar Pishkashi i tha BIRN se padisë mund t’i shtohen edhe dëmet në një urë të dytë po në të njëjtën rrjedhë uji.



Padia civile në Gjykatën e Elbasanit e bërë në maj thotë se kompania, e cila administrohet nga Harallambe Gjoka, përmes ndërtimi të tre HEC-ev dhe devijimit të rrjedhës së degëve të Shkumbinit (Rrapun, Lunik dhe Gurakuq) ka dëmtuar urën e varur në Togëz.

Ndërkohë në një letërkëmbimin mes bashkisë me kompanisë të cilin BIRN e disponon, kompanisë i kërkohet të riparojë edhe urën që lidh me Librazhdin fshatrat Kuturman e Marinaj, e cila sipas bashkisë dhe banorëve është dëmtuar nga shkarkimet pa kontroll të ujit prej digës së HEC të ndërtuar pak metra mbi të.

Në rastin e parë siç del nga padia kompania ka refuzuar përgjegjësitë, ndërkohë që në rastin e dytë përmes një letre të 15 janarit 2018, kompania ndërsa nuk merr përsipër fajin për shkaktimin e dëmit, thotë se do të angazhohet, duke këmbëgulur ta quaj atë “dhuratë” dhe jo dëmshpërblim. Megjithatë sipas Bashkisë Librazhd, deri sëfundmi kompania nuk ka bërë asnjë përpjekje për të riparuar dëmet në asnjërën prej urave.
I pyetur për padinë Thoma Dhima, zëdhënësi i Kishës Ortodokse Shqiptare, e cila përmes kompanisë Eko Vepra zotëron 100 për qind të aksioneve të kompanisë “C & S ENERGY”,  që menaxhon HEC-et, tha se nuk kishin dijeni për të.

“Ne nuk dimë asgjë për një gjë të tillë nga bashkia. Me bashkinë kemi pasur marrëdhënie të mira”, tha Dhima në emër të kompanisë. Kastriot Gurra, kryetar i Bashkisë së Librazhdit tha në një bisedë telefonike, se padia ishte ndërmarrë pasi ishin “ezauruar  të gjitha hapsirat dhe kërkesat ligjore”. Ai shtoi se  “subjekti nuk ka dashur tu përgjigjet shkresave  zyrtare  të dërguara nga  ana e Bashkisë, dhe kjo na jep të drejtën ligjore të drejtohemi gjykatës”.

Padia për urën e Togëzit

Ura e varur e Togëzit është e vetmja mënyrë për të lidhur me qytetin e Librazhdit një lagje fare pranë tij, por sipas ekspertëve të Bashkisë Librazhd, ajo është tashmë e dëmtuar dhe rrezikon jetën e banorëve që kalojnë aty.

“Gjendja e rënduar e urës së varur në Togëz, jo vetëm që ka nevojë për ndërhyrje mirëmbajtjeje, por nevoja është që ndërhyrja të bëhet në mënyrë emergjente pasi rrezikohet jeta e banorëve”, thuhet në padinë që bashkia ka dorëzuar në Gjykatën e Elbasanit.

Sipas padisë që bashkia ka bërë ndaj koncesionarit, shqetësimi për dëmet që i janë shkaktuar urës nga devijimi i lumit dhe nga puna e makinerive të rënda pranë saj kanë filluar disa vite më parë, por kompania nuk ka marrë përsipër detyrimet me gjithë kërkesat e vazhdueshme.

Ndërkohë në mars bashkia i dërgoi një kërkesë të fundit kompanisë, ku e njofton se bazuar në kontratën koncesionare dhe Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis dhe marrëveshjet me ish-Komunën Qendër, ajo duhej të ndërhynte për të riparuar urën ose të paguante dëmshpërblimin. “

Në Akt-Marrëveshjen dt. 19.02.2014 lidhur ndërmjet Komunës Qendër, Librazhd dhe Shoqërisë Koncesionare “C & S ENERGY” shpk është rënë dakord që shoqëria “C & S ENERGY” shpk, të ndërhyjë në rikonstruksionin e urës së varur bazuar në propozimin e komisionit të ngritur dhe brenda mundësive të saj financiare të kontribuoj për zgjidhjen e problemit”, thuhet në padi.

Sipas padiësë dëmi në urë ka ardhur pikërisht nga puna e koncesionarit.  “Ndryshimi i drejtimit të rrjedhjes së lirë të lumit Rrapun nga subjekti ndërtues i objektit HEC —it “Rrapun 3 – 4” pranë urës ka ndikuar në formacionet shkëmbore mbeshtetëse të këmbës lindore të urës së Varur në Togëz”, thuhet në padi. Po ashtu aty theksohet se një rrugë e ndërtuar buzë lumit ka bërë që rrjedha të godasë këmbën e urës duke e dobësuar atë. Aty thuhet edhe se ura është goditur nga mjetet e rënda që kanë kaluar poshtë saj gjatë punimeve duke krijuar të tjera probleme.

Nga padia mësohet se bashkia kishte tentuar disa herë të binde kompaninë të paguante dëmin, por kjo e fundit ka refuzuar. Bashkia thotë se vetëm pas refuzimit të përgjegjësive nga kompania, që në padi del të ketë ndodhur në prill të këtij viti, u vendos të ndërmerrej padia. “Shkaktimi i dëmit ka ardhur nga veprimi i paligjshëm i shoqërisë “C & S ENERGY” shpk”, thuhet në padi, ndërsa vlerësohet se dëmi i shkaktuar është 11 milion lekë.

Ura e Kuturmanit

Por letërkëmbimi mes bashkisë dhe koncesionarit zbulon se kompanisë që zotërohet nga Kisha Ortodokse i është kërkuar në vijim edhe zhdëmtimi dhe kthimi në gjendje fillestare edhe i urës që lidh me Librazhdin fshatrat Kuturman dhe Marinaj. Kjo urë e cila ndodhet vetëm pak metra poshtë digës që shërben si ujëmbledhës për HEC-et “Rrapun 3 dhe 4”,  sipas bashkisë është dëmtuar sërish nga shkarkimet e pakontrolluara të ujit në vitin 2017.

Ndryshe nga ura e varur në Togëz e cila është vetëm për këmbësorë, ura e dytë është pjesë e një segmenti automobilistik, që filloi të ndërtohej me urën në fillim të viteve 90’,  dhe përfundoi e asfaltuar pas një sërë peripecish vetëm në vitin 2013. Në letërkëmbimin mes ish-komunës dhe më pas bashkisë me kompaninë, del se ura filloi të dëmtohej menjëherë pas fillimit të punës për ndërtimin e digës së HEC.

Disa herë prej 2014 kompanisë i është kërkuar të kthejë në gjendje fillestare urën, asfalti i të cilës u dëmtua nga makineritë e rënda. Nga letërkëmbimi del se kompania rivendosi shtresën e asfaltit, por në vitin 2017 bashkia i shkroi asaj sërish duke i kërkuar të ndërhynte për të riparuar dëmet e shkaktuara në këmbët e urës nga shkarkimet e ujit. Specialistët e bashkisë thanë se gërryerja nga uji i shkarkuar prej digës, kishte dobësuar këmbët e urës të cilat kishin nevojë për përforcim.

Në një kthim përgjigje të janarit 2018, kompania nuk pranon përgjegjësi as për këtë rast, duke thënë se nuk bëhej fjalë për keqmenaxhim të basenit ujor prej saj, por për “reshje dhe aluvione të mëdha të përmasave katastrofike, gjë e cila ka bërë që i gjithë vendi jonë të përfshihet në problematika të ngjashme me këtë të cituar nga ju”.
Në letër sidoqoftë kompania pranon se mund të ndihmojë duke thënë se “Kjo ndihmë është një dhuratë që shoqëria jonë i bën zonës” dhe duke premtuar bashkëpunim për të zgjidhur problemin. Përndryshe nga kompania juristi i bashkisë Librazhd Bujar Pishkashi i tha BIRN se ishte mundësia që kërkesa për dëmshpërblim edhe për këtë urë do i bashkangjitej padisë së parë, menjëherë sapo të fillonte gjyqi.

Në një komunikim me telefon zëdhënësi i Kishës Ortodokse Thoma Dhima i tha BIRN se kompania kishte marrëdhënie të mira me bashkinë dhe me banorët “i kishte zgjidhur problemet”. Ai tha se ajo kishte riparuar dy herë urat.

Por kreu i bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra i dha BIRN në një bisedë telefonike një panoramë tjetër të marrëdhënieveve mes palëve, duke theksuar se kompania ishte treguar “indiferente” ndërsa thotë se “nuk do bëjmë kompromis dhe jemi për mbrojtjen e komunitetit, natyrës dhe nuk tolerojmë askënd që shkel ligjet”. /Birn

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas