Editorial

Akti i Pandeli Majkos nuk ka asnjë vlerë, përderisa vijon të marrë rrogën e ministrit

Nga Ervis Iljazaj

Në çështjen shumë të debatuar të prishjes së Teatrit Kombëtar, të shoqëruar nga një maratonë parlamentare, ku opozita për herë të parë aplikoi në Shqipëri atë që quhet obstruksionizëm procedural parlamentar, ndër të tjera, ra në sy përplasja midis Kryeministrit Rama dhe Ministrit Pandeli Majko.



Ky i fundit, në mënyrë demonstrative i tregoi Kryeministrit të tij se, ishte totalisht kundër prishjes së teatrit. Kjo përplasje u raportua nga të gjitha mediat dhe është kthyer në një nga temat më të përfolura ditët e fundit.

Deri këtu, nuk ka asnjë gjë të çuditshme. Ndodh që, një Ministër është kundër vullnetit të qeverisë, apo politikave të saj. Shembuj ka pafund. Mirëpo, çudia në këtë rast është se, Pandeli Majko vazhdon ende të jetë Ministër, vazhdon ende të paguhet si i tillë nga një qeveri më të cilën është kundra në një nga çështjet më të nxehta politike dhe shoqërore të kohëve të fundit, si ajo e Teatrit Kombëtar.

Kjo është një sjellje e papranueshme nga ana e Pandeli Majkos, që në fakt, nuk e ka për herë të parë një të tillë gjatë karrierës së tij politike.

Do ishte i nderuar zoti Majko, nëse do të jepte dorëheqjen, do të braktiste mazhorancën dhe do t’iu bashkohej protestave për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

Me aktin e tij, nuk bëri as njërën dhe as tjetrën. Me përplasjen publike me Kryeministrin, nuk bëri asgjë tjetër veçse vuri në dyshim vullnetin e qeverisë ku bën pjesë. Nxori në një dritë të dyshimtë politikat e saj dhe të Kryeministrit të tij.

Ku e gjen të drejtën një Ministër të vërë në dyshim vullnetin e një qeverie?

Si është e mundur që një ministër të vërë në vështirësi punën e qeverisë ku bën pjesë dhe të vazhdojë të jetë në ekipin e saj ende?

Aq më tepër në një çështje kaq të ndjeshme si kjo, ku qeveria ka marrë përsipër gjithë barrën dhe përgjegjësinë të prishë Teatrin Kombëtar, sepse mendon që një i ri është më i përshtatshëm për kulturën shqiptare. Dhe për më tepër, të vazhdojë të jetë ende ministër i kësaj qeverie.

Përtej debatit nëse qeveria ka të drejtë apo jo, për sa i përket prishjes së Teatrit Kombëtar, që nuk është temë e këtij editoriali, veprimi i Pandeli Majkos, është një nga veprimet më absurde të politikës shqiptare. Dhe politika shqiptare, ka vuajtur shumë nga ata politikanë, që me demek janë të moralshëm dhe të ndjeshëm për çështjet e interesit publik, por ndërkohë, vazhdojnë e ushqehen nga pushteti ku bëjnë pjesë.

Në këtë kuptim, vazhdimi i tij në detyrë si Ministër në këtë qeveri, është thjesht i papranueshëm. Është një veprim jo politik, hipokrit dhe i pabesë.

Sepse, zoti Majko, as nuk e bëri aktin e tij të plotë në mbrojtje të teatrit duke protestuar kundër prishjes së tij dhe të jepte dorëheqjen, dhe as ishte pro politikave të qeverisë së tij, duke iu bashkangjitur vullnetit të përgjithshëm të saj.

Si me porosi, kundër veprimit të Ministrit Majko vijnë lajmet nga Britania e Madhe. Ministri i Jashtëm Boris Johnson dhe ai i Brexit David Davis, dhanë dorëheqjen pasi nuk ishin dakord me politikat e Kryeministres May për marrëdhëniet tregtare që kjo e fundit planifikonte të kishte me BE-në pas daljes. Ky po që është një veprim politik i qartë, i duhur dhe koherent. Totalisht i kundërt nga ai i ministrit Majko kundrejt qeverisë së tij.

Prandaj, zoti Majko me këtë akt, nuk doli as i moralshëm, as i drejtë dhe as politikisht korrekt. Por, si shumë herë të tjera, mbajti një qëndrim “as mish dhe as peshk”, ashtu sikurse thotë një shprehje e urtë popullore.

PasPara

1 koment

  1. Besoj se nuk është rasti i parë në këto 5 vite që qeverria Rama ka vepruar gabim, që ka shkelur mbi skandale e mbi hale dhe i ka gëlltitur të gjitha me ndihmën e bandave, duke i paraqitur edhe si suksese. Edhe pse njeriu normal i quan, me të drejtë, dështime të suksesshme. Z. Majko , edhe pse më i moderuari në llojin e vet, ka ditur të rrëshqasë, të dredhojë, duke bërë lojë pa pasojë. Mbase edhe mosha, ende e re, e bën të mendohet, të pranojë “mëshirën” e kryeministrit, faljen për këtë guxim, mëkat që bëri. Ai ,Majko, vazhdimisht ka treguar shënja mosdakordsie, por Rama e ka falur, e ka kaluar ndodhinë , sikur nuk ka ndodhur asgjë.Kësaj i thonë: shtyja ta shtyjmë, Dreqi ta hajë , se ndoshta , një ditë, që Majko mendon se nuk është e largët,politikat e Ramës do t’i hajë dreqi të gjitha, pasi i shërbërbejnë vetëm atij, në mënyrën si e kupton ai dhe pak banditëve rreth tij. Por , jo Shqipërisë dhe bashkëkombasve të tij, që , në ndonjë rast i ka quajtur dele. Majko ka marrë ndonjë vërejtje a shenim në biografi, sipas vlerësimit allaturka të Ramës dhe çshtja mbyllet për këtë rast. Ai do të jetë edhe pak kohë ministër dhe rrogëtar , qoftë edhe i zhvlerësuar nga të dy krahët. Idealet, nën shembullin e qeverrisë, janë kthyer në ide – hale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas