Sport

AK kërkon bashkimin e ligave shqiptare

Jeton Selimi



Nëpër forume, tifozët kanë ndarë gjithnjë mendimin se kampionati futbollistik i Shqipërisë dhe i Kosovës duhet të bashkohen, pasi kjo do t’i jepte më shumë masivitet garës dhe do të mund të ndihmonte klubet kosovare dhe lojtarët kosovarë që të luanin, mbase, në Kupat e Europës.

Federata Shqiptare e Futbollit pak vjet më parë krijoi “Kupën e Pavarësisë”, ku marrin pjesë fitueset e Kupës së Shqipërisë e Kosovës si dhe skuadra të ftuara nga shqiptarët e Maqedonisë e Malit të Zi.

Por tani Aleanza KuqeZi ka vendosur që ta bëjë zyrtare kërkesën e saj për unifikimin e ligave të futbollit. Drejtori Ekzekutiv i kësaj lëvizjeje, Redi Ramaj, në një konferencë për mediat, e ka cilësuar si obligim moral ndërmarrjen e kësaj nisme, pasi sipas tij, prej gati 13 vitësh ekipet dhe klubet sportive shqiptare në Kosovë nuk përfshihen dhe ftohen në aktivitete ndërkombëtare. “Prezantojmë përpara jush dhe mbarë opinionit publik kërkesën tonë zyrtare si Aleanca KuqeZi, drejtuar Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës Kosovare të Futbollit, kërkesë  e cila në thelb të saj ka rritjen e bashkëpunimit me këtyre dy insitucioneve në lidhje me zhvillimin e sporteve të përbashkëta,” do të thoshte ndër të tjera në fjalën e tij hapëse drejtori Ramaj, që më pas do të shtjellonte edhe pikat ku Aleanca mendon të mbështetet.

Sipas tij, në fillim do të kërkohet organizimi i një kuvendi mes federatave respective të futbollit, prej të cilit do të synohet objektivi “Një komb, një kampionat”, kjo edhe në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. Kampionati i ri do të përfshinte të gjitha klubet e futbollit në Shqipëri dhe Kosovë.

Pas kësaj, hapi i dytë do të ishte njohja nga FIFA dhe UEFA e kësaj lige të re. Sipas Ramajt, qëllimi është “njohja dhe standartizimin e të gjitha kategorive sportive në Shqipëri dhe Kosove si një trup i vetëm”.

Dy pikat e fundit të programit të hartuar nga Aleanca KuqeZi kanë të bëjnë me zhvillimin e seminareve apo konferencave si dhe hartimin dhe zhvillimin e një programi të përbashkët duke patur parasysh që përfshirja e disa ekipeve dhe klubeve të Kosovës në Kategorinë Superiore të Shqipërisë t’i shërbejë motivimit, angazhimit dhe bashkimit shpirtëror mes një kombi që ka “një histori, një gjuhë, një kulturë dhe një të ardhme”.

Në fjalën e tij përmbyllëse, Drejtori Ekzekutiv Redi Ramaj, do të theksonte: “Aleanca KuqeZi shpreh dëshirën dhe vullnetin për të kountribuar me ekspertë dhe specialistë të kësaj fushë në këtë nismë tepër të rëndësishmë për sportistët e shqipërisë dhe kosovës, të cilët në rast zbatimi dhe plotësimi të saj do të mund të realizojnë ëndrrën shekullore të milliona shqiptarëve.”

 

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas