Kryesore, Politika

Ahmetaj: Të kesh arsim profesional është një pasuri e madhe

Në ditën e parë të vitit shkollor, ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, ishte i pranishëm në shkollën profesionale të rikonstruktuar të Kamzës, një investim në vlerën 213 milionë lekë nga buxheti i shtetit, në të cilën studiojnë mbi 1800 nxënës në disa drejtime si IT, shërbim social, hoteleri turizëm, bujqësi, etj.

Shkolla Profesionale e Kamzës është qendra e parë multifunksionale në Shqipëri që aplikon sistemin dual që kombinon teorinë me praktikën dhe me mbështetjen e qeverisë gjermane, ka krijuar Akademinë CISCO për nxënësit e IT, diplomat e të cilëve njihen edhe jashtë vendit.



Në fjalën e tij ministri Ahmetaj, tha se shifrat e arsimit profesional kanë ardhur në rritje në vitet e fundit dhe i njëjti trend vërehet nga sistemi i gjurmimit, edhe për punësimin pas përfundimit të shkollës.

“Dita juaj e parë e shkollës është fantastike, sepse mbi të gjitha për cdonjërin prej jush ka një të ardhme aty jashtë në tregun e punës. Jo më kot kemi katër vite që e theksojmë që të kesh një kualifikim, të kesh arsim profesional, është një pasuri shumë e madhe në mendje dhe në zemër, për të justifikuar të gjithë atë kontribut që familjet japin për ju si nxënës, në mënyrë që nesër të mos endeni në tregun e punës me një ëndërr të financuar fallco, por të keni një profesion shumë të kërkuar për tregun e punës. Para katër vitesh, 1/3 e nxënësve të kësaj shkolle kishte pune kur dilte nga shkolla, sot 2/3. Por imagjinoni që këtu ka 1800 nxënës sot. Dikur, sikur t’i numëronim për një ditë të gjithë mundësitë e punësimit, 600 veta mund të punësoheshin. I bie që sot punësohen 1200 veta”, tha ai.

Ministri theksoi se formimi profesional është një zgjedhje e duhur, që afron garanci për punësimin.

“Sot janë 76 mijë të papunë të regjistruar, ndërkohë në anën tjetër janë 46 mijë vende pune të lira, që i ka sjellë vetë në Shërbimin Kombëtar të Punës, të deklaruara, sektori privat. Teorikisht do të dukej sikur 46 mijë nga këta 76 mijë sot mund të punësoheshin, por kjo nuk është e vërtetë. Po pse nuk është e vërtetë? Sepse këta 76 mijë nuk kanë kualifikimin e duhur për të filluar punë nesër në ato 46 mijë vende pune që janë hapur. Ju do ta keni sepse keni zgjedhur arsimin e duhur”, u shpreh Ahmetaj, tejsa shtoi se shkolla profesionale e Kamzës, ka marrë vëmendje të konsiderueshme nga qeveria, por edhe donatorët, në favor të përmirësimit të infrastrukturës dhe rezultateve.

Nga ana e saj, ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Susanne Schutz tha se mbështetja për zhvilimin e mëtejshëm të arsimit e formimit profesional në Shqipëri, do të vazhdojë.

“Gjermania ka një eksperiencë shumë të gjatë dhe pozitive me arsimin e formimin profesional. Vetëm vitin e shkuar, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillimin Ekonomik OECD vlerësoi arsimin dhe formimin profesional në Gjermani si një përgatitje të shkëlqyer për jetën profesionale.Dëshiroj të theksoj se Gjermania e mirëpret synimin e Qeverisë shqiptare për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies, ndërmjetësimin e praktikave pranë kompanive private dhe orientimin e kurrikulave drejt standardeve ndërkombëtare. Jini të sigurt, që ne do të vazhdojmë t’ju mbështesim”, tha ajo.

Në vitin shkollor 2018-2019, janë 19,220 nxënës që do të ndjekin arsimin profesional, nga të cilët mbi 4700 të regjistruar në vitin e parë, shifër e cila pritet të rritet deri në përfudnimin e regjistrimeve në 1 Tetor.

Sipas shifrave të INSTAT, pjesëmarrja në arsimin e mesëm profesional paraqitet me rritje në vitet e fundit. Në vitin shkollor 2017-2018 morën pjesë në arsimin profesional 20,6 % e nxënësve të arsimit të mesëm gjithsej.

Nga viti 2013 janë investuar mbi 1.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit për rikonstruksionin e ndërtimin e shkollave dhe laboratorëve, ndërsa po kaq planifikohet të investohen edhe përgjatë tre viteve të ardhshme. Vetëm në vitin 2017-2018 u rikonstruktuan 9 shkolla, në favor të mbi 7500 nxënësve në të gjithë vendin.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas