Op Ed

Aftësimi i administratës -rruga e Shqipërisë drejt kombeve të qytetëruara

Nga prof. asoc. dr. Arlinda Ymeraj

Pedagoge në UET



90 vjet më parë, në veprën e tij enciklopedike, “Shqipëria më 1927”, Teki Selenica, duke shpjeguar arsyet që e shtynë të mblidhte dhe të analizonte shifra e fakte rreth demografisë, zhvillimit ekonomik, institucional e shoqëror të vendit, shkruan: “Në qoftë se kjo vepër vlen fare pak për të rritur prestigjin kombëtar, unë do të harroj mundimet e padurueshme dhe me bindje të plotë e mburrje, do të vështroj e do të ndjek ditët e lumtura që po end koha përplot dritë e shkëlqim për Shqipërinë tonë të dashur”.

Pas thuajse një shekulli, këto arsye janë ende të vlefshme për të investuar në reformimin e modernizimin e administratës publike shqiptare, në nivel qendror e vendor. Reforma e administratës publike ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga prioritetet themelore të qeverisë shqiptare dhe mekanizmi thelbësor për rritjen e efektivitetit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike ndaj qytetarëve dhe sipërmarrjeve private.

Ndonëse hapa të rëndësishëm janë ndërmarrë në dekadën e fundit, drejt konsolidimit të rrjetit institucional dhe funksionimit të tij efektiv, si edhe rritjes profesionale të shërbimit civil, sidomos me miratimin e ligjit no. 152/2013, evidencat dhe informacionet tregojnë se ende politizimi i shërbimeve publike vazhdon të dominojë funksionimin e administratës publike në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Gjithashtu, transparenca dhe konsultimi me të gjitha grupet e interesit, ndërtimi i kritereve të vlerësimit të efektivitetit të politikave publike, i listës së plotë të treguesve të burimeve dhe rezultateve, ende përbëjnë çështje kritike, të cilat në përfundim cenojnë cilësinë e shërbimeve publike, që iu ofrohen qytetarëve dhe përfitohen prej tyre.

Pavarësisht përmirësimit të vazhdueshëm të procedurave të sigurimit dhe shpërndarjes së shërbimeve publike te qytetarët, shpesh vetë koncepti i shërbimeve publike keqkuptohet ose çka është më keq, “abuzohet”. Në vend të ndërgjegjësimit e konsiderimit si një detyrim dhe përgjegjësi institucionale dhe e drejtë e qytetarit, shërbimi publik shihet si një mekanizëm për të gjeneruar të ardhura personale.

Në raportin e Progresit të BE për Shqipërinë të viti 2016, ritheksohet se “me gjithë përparimin, Shqipëria është ende e papërgatitur për të reformuar Shërbimin Civil”, i cili mbetet një nga pesë prioritetet, që kushtëzojnë hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE. I njëjti raport, me qëllim rritjen e kapaciteteve të administratës së Shërbimit Civil, ndërmjet të tjerave, nënvizon si thelbësore “rritjen e kapaciteteve të drejtuesve të burimeve njerëzore dhe anëtarëve të komisioneve përzgjedhëse të burimeve njerëzore me qëllim përmirësimin e cilësisë së rekrutimeve”.

Përtej detyrimeve ndërkombëtare e rajonale, rritja e kapaciteteve të administratës të shërbimit civil në Shqipëri, është përgjegjësi e shoqërisë shqiptare, para së gjithash për të hartuar dhe zbatuar politika publike efektive dhe eficiente që garantojnë të drejtën e qytetarëve shqiptarë për shërbime të cilësishme të mirëqenies shoqërore.

Universiteti Europian i Tiranës, në zbatim të përgjegjësive të tij si institucion cilësor akademik, është përpjekur të analizojë dhe vlerësojë kapacitetet e administratës publike në Shqipëri, me qëllim ofrimin e njohurive bashkëkohore, që i shërbejnë mirëfunksionimit të instrumenteve të ekonomisë së tregut, dhe për rrjedhojë, zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit. Këto analiza kanë nxjerrë në pah dobësitë e administratës në drejtim të aftësive menaxheriale, që do të thotë problemet me planifikimin, administrimin financiar dhe kontrollin, menaxhimin dhe vlerësimin e politikave publike dhe efektivitetin e tyre si edhe menaxhimin strategjik të burimeve njerëzore.

Me qëllim rritjen e kapaciteteve të administratës së shërbimit civil në Shqipëri, për t’iu përgjigjur detyrimeve që burojnë nga Procesi i Integrimit Europian dhe Global; Detyrimit për të hartuar dhe zbatuar politika publike efektive dhe eficiente; Të drejtës së qytetarëve shqiptarë për shërbime të cilësishme të mirëqenies shoqërore; Të drejtës së taksapaguesve shqiptarë për të marrë pjesë në hartimin, monitorimin dhe analizën e rezultateve të politikave publike, si edhe kërkesës së tregut, UET me fuqizimin e profilit të Administrimit Publik si në Master Shkencor edhe në atë Profesional, si dhe trajtimin dyplanësh të tij, njëherazi si shkencë ekonomike dhe politike, synon ofrimin e njohurive teorike të harmonizuara me modele praktike të Politikave Publike dhe mekanizmave për zbatimin me efektivitet të tyre, që ndihmojnë pjesëmarrësit për të krijuar koncepte të qëndrueshme mbi institucionet dhe përgjegjësitë e tyre në procesin e hartimit të politikave publike, në menaxhimin e sektorit publik dhe në përgjithësi në ushtrimin e funksioneve të tyre në raport me të drejtat e qytetarëve.

Rritja cilësore e nivelit të studimeve të Administrimit Publik, risia më e fundit akademike, do të ndikojë në zgjerimin e njohurive teorike mbi nevojën për të analizuar politikat publike sipas këndvështrimit të ndikimit të tyre ekonomik e social. Por, përtej këndvështrimit akademik, ky program do të kontribuojë në ndërgjegjësimin e “politikëbërjes” mbi domosdoshmërinë e nxitjes së pjesëmarrjes qytetare, njëherazi si “e drejtë qytetare” dhe “detyrim institucional”, për të demokratizuar jetën politike, sociale dhe ekonomike të vendit, për të realizuar ëndrrën e trashëguar të të parëve dhe njëkohësisht, për t’iu lënë fëmijët tanë një vend të denjë për të jetuar.

PasPara

1 koment

  1. administrat me rraja,dosha,artur busha,edvina,balla,termeta kurr
    me keta po laborator kokaine,fusha te mbjella me kanabis,etj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas