Aktualitet, Kryesore

U publikuan përgjimet e gjyqtarit, reagon SHISH: Të shqetësuar, mediat publikojnë dokumente

Nisur nga rasti i Shkelzen Selimit, ku u cituan materiale të Shërbimit Informativ të Shtetit, por edhe nga raste të tjera, kur neper portale serviren lajme me burim nga SHISH, vjen një reagim nga ky institucion.

Përmes një njoftimi nga kabineti i drejtorit ende të padekretuar të SHISH, bëhet e ditur se ky institucion ‘nuk ka asnjë koment specifik për autenticitetin e dokumenteve të pretenduar të inteligjencës’. Rasti në fjalë i referohet edhe një kronike që u dha në një media, ku në disa përgjime thuhej se Shkëlzen Selimi, kishte ndihmuar një të arrestuar të dilte nga burgu.



Kaq mjaftoi që tre ditë më parë Shkelzen Selimi, në seancën dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të kërkonte pezullimin e mbledhjes, me pretendimin se ky institucion i kishte servirur medias një dokument të SHISH të vitit 2011. Ndërkohë SHISH nga ana tjetër sqaron në deklaratë se lajmet me burim nga institucioni, cënojnë aktivitetin e komunitetit të inteligjencës dhe rrezikojnë punonjësit.

Por, duhet të theksojmë faktin se SHISH ndër vite i ka patur me pikatore deklaratat publike. Kujtojmë se pavarësisht pretendimeve, KPK shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Lartë.

NJOFTIM PER SHTYP I SHISH
Shërbimi Informativ i Shtetit shpreh shqetësimin e thellë për rastet e përsëritura të pasqyrimit në media të informacioneve apo të dhënave që pretendohet se u referohen dokumenteve të hartuara nga SHISH-i ndër vite. SHISH-i i bën me dije opinionit publik se nuk ka asnjë koment specifik për autenticitetin e dokumenteve të pretenduar të inteligjencës.

Megjithatë SHISH-i nënvizon me forcë se përdorimi i emrit të Shërbimit dhe referimi për format e metodat e punës së tij, me synimin për të siguruar besueshmëri të shtuar të deklaratave apo akuzave në media dhe opinionin publik, sjellin një cënim të ndjeshëm të aktivitetit të komunitetit të inteligjencës. Ato rrezikojnë të ndikojnë aftësinë e Shërbimit Informativ për garantimin e sigurisë kombëtare.

Shërbimi Informativ i Shtetit vlerëson se çdo shkelje në administrimin e informacionit të klasifikuar, kudo ku ajo ndodh, mund të dëmtojë rëndë punën dhe të ekspozojë punonjësit e Shërbimit përballë rreziqeve të paparashikuara. Shërbimi Informativ i Shtetit thekson se ligjshmëria, objektiviteti dhe sekreti janë parimet bazë të punës së tij. Në këtë kuadër, SHISH-i mbetet i angazhuar të zbatojë me
rreptësi procedurat dhe rregullat ligjore gjatë prodhimit, qarkullimit, administrimit, shfrytëzimit, transportimit, transferimit, arkivimit, shumëfishimit, riprodhimit e asgjësimit të informacionit “sekret shtetëror” të çdo lloji.

SHISH-i sjell në vëmendje se, në bazë të ligjit, është organ informativ dhe nuk kryen veprimtari të karakterit ushtarak ose policor, por në funksion të sigurimit kombëtar informon institucionet e larta shtetërore e bashkëpunon me agjenci informative e institucione shtetërore brenda dhe jashtë vendit. Në këtë kuadër, SHISH-i do të vazhdojë bashkëpunimin me organet ligjzbatuese, me qëllim mbrojtjen e sigurisë së veprimtarisë së vet, metodave dhe burimeve tëinformacionit nga ndërhyrjet e paautorizuara./BW/

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas