Kronika, Kryesore

Sulmohet në derë të shtëpisë vajza e Naços

betina naco

Dy persona të paidentifikuar ende nga policia i kërkuan 21-vjeçares B. Naço çelësat e apartamentit, ndërsa refuzuan të merrnin paratë që ndodheshin në çantën e saj. Ngjarja ka ndodhur më 12 nëntor, në pallatin ku banon familja e ministrit të Drejtësisë, por në polici është denoncuar 9 ditë më pas.



 

Krimi i shtuar në rrugët e kryeqytetit nuk ka kursyer as vajzën e ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço, e cila ka rënë pre e dhunës dhe tentativës së grabitjes nga dy persona që nuk janë arrestuar ende nga policia.

Ngjarja raportohet të ketë ndodhur pasditen e 12 nëntorit në zonën e ish-Bllokut, aty ku dhe banon ministri Naço, por ajo është denoncuar më 21 nëntor në polici. Nuk dihen ende arsyet e vonesë së kallëzimit penal nga 21-vjeçarja B. Naço, e cila 9 ditë pas ngjarjes mësohet se ka sqaruar në polici gjithçka ka ndodhur në hyrjen e pallatit të saj.

Sipas burimeve të rezervuara mësohet se vajza e ministrit të Drejtësisë është sulmuar nga dy persona të panjohur teksa kthehej nga pazari dhe kërkonte çelësat e apartamentit.

Sipas kallëzimit të bërë në policinë e Tiranës, 21-vjeçarja ka sqaruar se pasditen e ngjarjes ajo kishte dalë të blinte ushqime bashkë me nënën e saj dhe ishte kthyer më herët në shtëpi. Teksa ngjitej në banesë, vajza ka parë në shkallët e pallatit dy djem të rinj që qëndronin ulur.

Sapo kanë parë vajzën, njëri prej tyre e ka pyetur se cilën prej dyerve do të hapte, por 21-vjeçarja nuk është përgjigjur dhe ka nxituar të futej në apartamentin e saj.

Teksa vajza kërkonte çelësat në çantë, njëri prej të dyshuarve ka tentuar t’i mbyllë gojën, ndërsa tjetri i ka rrëmbyer çantën nga dora për të gjetur çelësat e apartamentit. Sipas kallëzimit të 21-vjeçares mësohet se në këtë moment ajo iu ka thënë grabitësve të merrnin paratë që kishte në çantë.

“Kam para në çantë. Mund t’i merrni të gjitha”, – mësohet t’iu ketë thënë vajza e ministrit dy të dyshuarve. Por ata i janë përgjigjur se nuk donin para, por çelësat e apartamentit.

Pas këtij dialogu, njëri prej tyre ka vazhduar të kërkojë çelësat në çantë, ndërsa tjetri i mbante gojën mbyllur 21-vjeçares me qëllim që ajo të mos bërtiste.

Në kallëzim, vajza e ministrit Naço sqaron se në një moment ajo ka mundur t’i shkëputet agresorit dhe ka filluar të bërtasë. Në këtë kohë, të trembur nga të bërtiturat e vajzës, të dyshuarit si grabitës kanë lëshuar çelësat dhe janë larguar me vrap nga pallati ku banon ministri i Drejtësisë bashkë me familjen e tij.

Ende nuk dihet çfarë ka ndodhur pas këtij episodi, pasi nga burime të policisë konfirmohet se ditën e ngjarjes, pra më 12 nëntor, në polici nuk është depozituar asnjë kallëzim nga 21-vjeçarja e dëmtuar.

Ajo ka vendosur ta denoncojë ngjarjen vetëm më datën 21 nëntor, pra 9 ditë pasi ishte sulmuar teksa hynte në apartamentin e saj në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Pasi ka marrë kallëzimin, Policia e Tiranës ka nisur hetimet për ngjarjen duke e klasifikuar atë fillimisht si grabitje me dhunë, mbetur në tentativë, ndërsa iu referuar edhe materialeve përkatëse. Sipas hetimeve të deritanishme rezulton se janë dy pista kryesore që po hetohen.

Pista e parë lidhet me një grabitje të mundshme, por megjithë dyshimet e policisë, ajo rrëzohet nga kallëzimi i vajzës, pasi ka deklaruar se të dyshuarit kanë refuzuar të marrin paratë në çantën e saj.

Ndërsa pista e dytë që po hetojnë policia dhe prokuroria ka të bëjë me detyrën e ministrit të Drejtësisë, sulm i cili mund të ketë ardhur për shkak të detyrës.

Për të bërë të mundur identifikimin e autorëve të sulmit, policia ka sekuestruar kamerat e bizneseve dhe rrugëve pranë banesës së ministrit të Drejtësisë në zonën e ish-Bllokut, ndërsa ngjarja nuk është raportuar zyrtarisht nga blutë e kryeqytetit.

Edhe pas denoncimit policia ka vendosur të mos e bëjë publike ngjarjen, ndërsa nuk dihet nëse kjo tentativë grabitjeje do të përfshihet në raportet periodike mbi statistikat e kriminalitetit që publikon çdo muaj apo edhe çdo javë.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas