Rajoni

A rrezikohemi nga “islami politik”?

OBarbullushi picZv.rektorja e UET, Dr. Odeta Barbullushi: Importimi i termave nga një kontekst rajonal në tjetrin mund të çojë në keqkuptime të mëdha politike

 



Në disa vende të Ballkanit po flitet për përhapjen e radikalizmit islamik. Shtete si Kosova, Shqipëria e Maqedonia kanë bërë ligje e aksione arrestimesh për ta ndalur këtë. Por tani bëhet një pyetje më e rëndësishme, a ka në këto vende “islam politik”? Kjo pyetje mori argumentet pro e kundër në një konferencë ndërkombëtare mbi ‘Sfidat aktuale të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, adresuar me bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët’, të financuar nga Friedrich Ebert Stiftung, që u mbajt në  Prishtinë më 20-21 nëntor. Zv.rektorja e Universitetit Europian të Tiranës, Dr. Odeta Barbullushi, pjesëmarrëse në këtë konferencë mbron tezën e saj, sipas së cilës, duhet të ketë një qartësi për përdorimin e termave në kësi rastesh.

Ju sapo jeni kthyer nga Konferenca ‘Sfidat aktuale të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor’, cilat janë këto sfida dhe si e prekin ato Shqipërinë?

Kjo konferencë u zhvillua në një moment të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor. Pas dy dekadash ‘tranzicioni’ dhe 19 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së Dejtonit, rajoni i Ballkanit Perëndimor ka ecur shumë në krahasim me situatën e konflikteve etnike dhe të mungesës së stabilitetit të fillimviteve ‘90. Megjithatë, siguria ekonomike, siguria e brendshme politike dhe ajo që lidhet me stabilitetin e institucioneve shtetërore në këtë rajon mbeten sfida themelore të përbashkëta. Ndër çështjet kryesore të shtruara për diskutim në këtë konferencë ishin: radikalizimi i islamit në vendet e Ballkanit, kiber-siguria, si dhe rreziqet potenciale që lidhen me vonesat e integrimit të BE. Në lidhje me radikalizimin e islamit dhe të ashtuquajturin ‘islam politik’, diskutantët në konferencë ngulmuan në të përbashkëtat dhe në të ndryshmet mes rajoneve të Ballkanit Perëndimor dhe Lindjes së Mesme nga njëra anë, por edhe mes vetë vendeve të Ballkanit nga ana tjetër. Të përbashkëtat mes dy rajoneve janë dobësia e institucioneve politike, mbivendosja e dallimeve etnike me ato fetare, varfëria, dobësia e shoqërisë civile etj. Megjithatë, dallimet janë të mëdha: Ballkani Perëndimor është fatmirësisht shumë afër gjeografikisht Europës Perëndimore, dhe ndarja e shtetit me fenë ka një traditë shumë më të fortë dhe më të brendësuar në shoqëri. Po ashtu, vendet e Lindjes së Mesme kanë përjetuar kolonializmin dhe në ndryshim me vendet e Ballkanit Perëndimor, kjo eksperiencë i ka bërë raportet e atyre vendeve me Perëndimin shumë më të vështira. Në rastin e vendeve të Ballkanit, perspektiva e integrimit ka ende fuqi transformuese, megjithëse të kufizuar. Veçantia e vendeve të Ballkanit Perëndimor është se nuk mund të themi se këtu ka ‘islam politik’, ose jo të paktën në formën e organizimit të mirëfilltë politik. Është e nevojshme qartësia konceptuale mes termave ‘islam politik’, ‘radikalizim’ dhe terrorizëm. Ngatërrimi i këtyre termave dhe importimi i termave nga një kontekst rajonal në tjetrin mund të çojë në keqkuptime të mëdha politike. Shumica e diskutimeve në fakt u fokusuan të ‘politizimi i islamit’ në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe në rolin e shtetit për t’iu përmbajtur parimeve laike, sesa në ‘islamin politik’ si i tillë.

 

Cili duhet të jetë roli i Bashkimit Europian në lidhje me këto sfida të sigurisë në Ballkan?

Duket se ka një rizgjim të interesit të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Samiti rajonal i Berlinit i gushtit të këtij viti e bëri të qartë perspektivën e anëtarësimit. Nevoja e burimeve energjetike, kriza ekonomike, si dhe kriza në Ukrainë dhe agravimi i politikës agresive të Rusisë në Ukrainë, duket sikur kanë krijuar një moment të volitshëm për përshpejtimin e integrimit dhe fillimin e një faze të re të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit. BE ka bërë mjaft në drejtim të stabilizimit pas konflikteve etnike, dhe në rastin e Shqipërisë, në drejtim të dialogut politik dhe ndërtimit të institucioneve. Por ajo çfarë studiuesit, ku  përfshihem dhe unë bien dakord, është se në vendet e rajonit koncepti i shtetësisë është i pabrendësuar: kjo nuk do të thotë vetëm institucione të dobëta, por po ashtu, dhe më e rëndësishmja, mungesa e besimit te paanshmëria e shtetit dhe tek institucionet. Është thënë shpesh kjo, por më duket se nuk kuptohet ende çfarë do të thotë kjo në praktikë. Kur shteti shihet si instrument i një force politike apo një grupi, atëherë dhe kushtet e Bashkimit Europian në lidhje me forcimin e shtetit dhe institucioneve tingëllojnë si gjuhë e huaj, që nuk ka lidhje me përditshmërinë e njerëzve. Shprehjet si ‘ndërtim kapacitetesh’ dhe ‘trajnim i administratës’ u thonë pak gjë njerëzve.

Sot për sot, perspektiva e integrimit në BE është lidhur ngushtë me luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e shtetit ligjor. Në fakt, kjo është arritja më e madhe që mund të sjellë integrimi. Por në rajonin tonë, korrupsioni dhe ilegaliteti marrin shumë forma, dhe lidhen si me informalitetin ashtu dhe me ‘praktikën’ e të zgjidhurit të problemeve me anë të rrjetit të njohjeve etj., fenomen i cili është tipik si për vendet e vogla mesdhetare, po ashtu dhe për vendet postkomuniste, ku fenomeni i shkëmbimit të ndereve krijoi një realitet paralel me atë të shtetit socialist në vitet ‘80. Po nuk pati një marrëveshje të gjerë të brendshme dhe një aktivizim të aktorëve joshtetërorë në lidhje me ndërtimin e një shteti të së drejtës dhe një shoqëri më të drejtë, atëherë vetëm perspektiva e integrimit europian mund të bëjë pak në këtë drejtim.

Çfarë zgjidhjesh u diskutuan për këto probleme dhe sfidat e sigurisë?

Po ta shohim nga perspektiva e integrimit europian, rajoni është ndarë në vende më të avancuara (vendet kandidate, ndër këto dhe Shqipëria) dhe vendet më të ngadalta si Kosova dhe Bosnja. Bashkëpunimi mes vendeve ka qenë deri kohët e fundit i kufizuar, me marrëveshje të paimplementuara, mungesë komunikimi publik në lidhje me marrëveshjet dypalëshe, si dhe mungesë besimi dhe interesi mes vendeve të rajonit për të punuar bashkërisht. Por mendoj që niveli i ulët ekonomik, nevoja për burime energjetike dhe prapambetja në fushën e inovacionit i detyron këto vende të gjejnë rrugë dhe hapësira të përbashkëta për të bashkëpunuar. Dhe ky bashkëpunim duhet të mos kufizohet vetëm në nivel shtetëror, por dhe nga aktorë të tjerë shoqërorë. Sa më afër perspektivës së integrimit të jetë një vend, aq më të rëndësishme bëhen këto të fundit. Po ashtu, në ndryshim nga para një dekade, BE duhet ta artikulojë qartë perspektivën e anëtarësimit dhe të kombinojë politikën e kushtëzimit dhe instrumentet e ndërtimit të shtetit ligjor me politika zhvillimore. Për sa i përket radikalizimit të mundshëm të islamit, përveç shtetit, edhe vetëkomuniteteve myslimane u bie barra e ruajtjes së një linje të moderuar dhe të traditës lokale të besimit islam në vendet e rajonit.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas