Editorial, Kryesore

A kanë ende rëndësi partitë e vogla për sistemin politik?

Nga Ervis Iljazaj

Kalimi i Shpëtim Idrizit nga mazhoranca në opozitë ka krijuar debate të mëdha për sa i përket moralitetit të ndryshimit të shpeshtë të partive të vogla sa në një krah në një krah tjetër politik. Në fakt, për Partinë PDIU ky është një debat i pakuptimtë, pasi veçoria e saj partie, e cila përfaqëson një komunitet të caktuar, atë çam, e lejon për arsye të një qëllimi specifik, të ndryshojë koalicion.



Megjithatë, debati i vërtet për partitë e vogla nuk është ndryshimi i shpeshtë i koalicioneve, por, nëse kanë apo jo ende rëndësi për sistemin politik shqiptar?

Për pothuajse 20 vite parti të tilla kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e mazhorancave në Shqipëri. Që pas zgjedhjeve të Qershorit, kur Partia Socialiste fitoi e vetme, roli i tyre është reduktuar. Dhe, kjo ndihet e perceptohet nga vetë aksioni i tyre. Është e qartë, se në këtë moment, partitë e vogla gjejnë vështirësi për t’u integruar në sistemin politik.

Aq më tepër që zgjedhjet e 25 Qershorit treguan një dështim të plotë për të gjitha partitë e vogla. Një nga efektet që patën këto zgjedhje, ishte padyshim, nxjerrja jashtë “loje” për formimin e mazhorancave të tyre. Një rol që e kanë luajtur deri para 25 Qershorit. Në këtë mënyrë sistemi politik shqiptar ka hyrë në një logjikë totalisht të ndryshme.

Edhe pse nuk mund t’i fusim të gjitha në një kategori, për shkak të natyrës apo tematikave që përfaqësojnë, një gjë është e sigurt, që populli shqiptar, nuhatja politike e të cilit nuk është për t’u nënvlerësuar, nuk i besoi.

Ndoshta, lënia jashtë koalicioneve i cili me sistemin zgjedhor që kemi aktualisht nuk i favorizonte, mund të jetë një justifikim që qëndron, por një parti politike nuk e bazon asnjëherë suksesin te koalicionet, por te vlerat, kauzat dhe njerëzit që përfaqëson.

Problemi qëndron se parti të tilla janë parti politike personale, të cilat më shumë se kauzat e tyre, të gjitha energjitë dhe sforcot i harxhojnë për të siguruar fatin e kryetarit që i drejton. Në shumicën e rasteve, shumë nga këto parti nëse për një arsye apo tjetër kryetari i saj largohet, ato rrezikojnë shkrirjen si lëvizje politike. Sa herë që i është dhënë mundësia për të përfaqësuar një kauzë të caktuar politike, gjatë kohës që kanë qenë në qeverisje, vendin e saj e kanë zënë llogari të mirëfillta pushteti.

Ndërsa, për sa u përket partive politike që u krijuan rishtazi, LIBRA apo SFIDA, të cilat tentuan të përfaqësojnë pjesën antisistem të politikës shqiptare, udhëheqësit e tyre vinin po ashtu nga sistemi politik. Në këtë kuptim beteja e tyre ishte pak e besueshme. Gjithashtu, në politikë nuk mjafton vetëm një projekt moral, por është e rëndësishme dhe një projekt konkret ekonomik dhe shoqëror. Projekt i cili u mungonte këtyre lëvizjeve politike.

Shqipëria ka komunitete të vogla të cilat kanë nevojë të përfaqësohen, por nëse këto komunitete shihen vetëm si vota dhe jo si një pjesë e shoqërisë e cila ka problematikat e saj specifike, atëherë ato do të drejtohen gjithmonë e më shumë nga forcat e mëdha.

Për të gjitha këto arsye kryetarët e partive politike të vogla, ndihen të rrezikuar për fatin e tyre si asnjëherë më parë. Dhe për këtë arsye, kërkojnë të shpëtojnë vetëm nëpërmjet mekanizmave që mundësojnë modele të ndryshme zgjedhore.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas