Kryesore, Rajoni

A ka shkuar Gruevski drejt Hungarisë përmes Tiranës?

Kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Hungari, Adam Mirkoczki ka deklaruar se ish-kryeministri maqedonas Nikola Gruevski, tashmë i shpallur në kërkim ndërkombëtar, nuk do të përfitojë azil në Haungari.

Ligjvënësi dhe zëdhënësi i Jobbik, Adam Mirkoczki e quajti situatën “një skandal të pashembullt”, duke thënë se Gruevski ishte një “kriminel i kërkuar” nga një vend që nuk është në luftë dhe Gruevski nuk po persekutohej për arsye fetare apo politike.



Gruevski njoftoi me anë të një postimi në rrjetet sociale se ishte larguar për në kryeqytetin hungarez. “Jam në Budapest tashmë, ku kam kërkuar azil politik nga autoritetet hungareze”, shkroi 48-vjeçari në faqen e tij në Facebook. Shkupi i ka bërë thirrje Budapestit të mos ia plotësojë atij kërkesën.

Të mërkurën, kryeministri maqedonas Zoran Zaev i bëri thirrje Hungarisë “të respektojë praktikat ndërkombëtare dhe ligjin ndërkombëtar”, e të mos ofrojë “mburojë refugjati për kriminelët”.

Në të kaluarën, Gruevski, një kundërshtar i thekur që Maqedonia t’i bashkohej Bashkimit Europian dhe NATO-s, kishte lënë të kuptohej se ishte “mik” me kryeministrin hungarez Viktor Orban. Që të dy ata kanë akuzuar miliarderin liberal amerikan, George Soros, për nxitje të emigracionit të paligjshëm, pretendime që vetë Soros i ka hedhur poshtë.

Aplikimi i Gruevskit do të testojë vullnetin e Budapestit për të aplikuar rregulla të ashpra për azilantët, si dhe masa të ashpra antiemigracion, si për shembull gardhet me tela me gjemba në kufi, apo kampet e paraburgimit për azilkërkuesit, gjë që kanë shkaktuar kritika të ashpra nga kundërshtarët e Orbanit brenda dhe jashtë vendit, përfshi edhe nga Brukseli.

Por, Budapesti këmbëngul se dëshiron të ruajë marrëdhëniet e mira me Shkupin.

“Ne nuk duam të ndërhyjmë në asnjë mënyrë në çështjet e brendshme të shteteve sovrane, ndaj ne konsiderojmë vlerësimin e kërkesës për azil nga ish-kryeministri maqedonas si një çështje thjesht ligjore”, shkruante qeveria në një deklaratë.

Por mediat serbe shkruajnë sot se Gruevski ka ikur në Hungari përmes linjës së Tiranës duke kaluar kufirin maqedonas-shqiptar me pasaportë të rreme. ‘Politika’ shkruan se ish-kryeministri maqedonas me një pasaportë false ka ikur drejt Hungarise duke u strehuar një natë në ambasadën hungareze në Tirane, duke u nisur më pas në mëngjes herët me avion drejt Hungarisë përmes linjës ajrore të kompanisë së këtij vendi.

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas