Editorial

A ka Bashkimi Europian paragjykime kundrejt Shqipërisë për shkak të besimit fetar?

Nga Ervis Iljazaj

Dje ishte i ftuar në Forumet UET ministri e Europës dhe Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Midis diskutimeve dhe pyetjeve të ngritura, më bëri përshtypje njëra prej tyre: A ka Europa paragjykime ndaj Shqipërisë për shkak të besimit fetar.



Kjo pyetje erdhi si pasojë e diskutimeve që rrodhën mbi vendimin e Këshillit Europian për vendimin e hapjeve të negociatave. Një vendim i cili është qartësisht një vendim politik dhe jo teknik; në kuptimin që, ishte një vendim jo i qartë, as një refuzim për hapjen e tyre, por as edhe një po e qartë. Si të thuash, për të mbajtur gjallë shpresën e Ballkanit Perëndimor për procesin e integrimit.

Sigurisht që Ditmir Bushati iu përgjigj pyetjes me diplomaci, ashtu sikurse i takon, duke thënë se, nuk ka një paragjykim të tillë për Shqipërinë. Edhe pse u mundua të shpjegojë se konteksti politik i Europës në këtë moment nuk është nga më të favorshmit për zgjerimin e mëtejshëm, duke patur parasysh krizën që po kalon vet ajo.

Nëse shohim historikun e vendimeve të tilla nga ana e Këshillit Europian, nuk është rasti i vetëm i Shqipërisë që jepet në një formë të tillë. E njëjta gjë ka ndodhur me Malin e Zi dhe me Serbinë. Mirëpo ka një ndryshim, ndërsa për këto vende afati është shtyrë për 6 muaj, për Shqipërinë ky afat është shtyrë për fundin e vitit tjetër, më shumë se një vit. Pra, nuk është vendim me natyrë të njëjtë. Po të shtosh këtu, edhe rastin për liberalizimin e vizave, kur për Maqedoninë e Veriut nuk u kërkuan pasaportat diplomatike dhe për Shqipërinë po, atëherë shohim jo një qëndrim të njëjtë.

Prandaj pyetja është legjitime në këtë rast. A ka vërtet Bashkimi Europian paragjykime ndaj Shqipërisë për shkak të besimit fetar, apo ne kemi disa problematika më shumë që s’i kemi zgjidhur ende, në raport më vendet e tjera?

Sigurisht që, nëse Shqipëria sot, do të kishte zbatuar Reformën në Drejtësi, do kishte luftuar korrupsionin në të gjitha nivelet, apo do të kishte përmbushur standardet e tjera, do të kishim marrë hapjen e negociatave që në këtë moment. Kështu që, është e qartë se Shqipëria nuk i ka bërë të gjitha detyrat e shtëpisë që i kërkohen.

Por, kjo nuk do të thotë se në Europë nuk ka një paragjykim për vendet që janë me besim fetar mysliman. Po të shohësh deri më tani, vendet që janë mbrapa integrimit si Shqipëria, Bosnja, Kosova, janë vende me popullsi ku shumica është e besimit mysliman.

A mos vallë është një rastësi?

Edhe ndoshta, por identiteti fetar i Europës, ka qenë dhe është një nga çështjet më të debatuara në vendet anëtare. Në momentin kur u tentua të hartohej një Kushtetutë për Europën, që më pas nuk u votua dhe u hartua në formën e një traktati, ai i Lisbonës, që është sot në fuqi, një nga nenet e Kushtetutës të ngelur në tentativë, u propozua nga shumë vende, të ishte përcaktimi i fesë të krishterë si feja zyrtare për Bashkimin Europian.

Kjo nuk ndodhi, por debatet për identitetin fetar vazhdojnë ende. Po të shtosh këtu, që në shumicën e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, gjithmonë e më shumë po rriten partitë nacionaliste të djathta që janë proteksioniste dhe fanatike të traditës europiane, atëherë dyshimet për paragjykimet e BE–së ndaj vendeve me popullsi të besimit fetar mysliman, janë më se legjitime.

PasPara

1 koment

  1. Edhe po të ketë paragjykime për çeshtjen e besimit fetar, kjo nuk do të thotë se kjo mund të jetë pengesa kryesore për moshapjen e negociatave, por janë kushtet që BE – ja na ka vënë dhe s’kemi plotsuar asnjë për bé. E nëse e marrim si të mirëqënë këtë fakt, sado që shqiptarët , në përgjithësi, nuk janë fetarë, këtë mund ta dinë fare mirë në Bruksel e gjetkë. Ca terroristë u zbuluan edhe tek ne, që kryesisht mbaheshin si imam fundamentalë të islamit ekstremist, duke marrë shembullin e kosovarëve që janë pak më fetarë se ne. Po e patën këtë paragjykim, kanë të drejtë, në fund të fundit, kur sheh ca mjekrroshë e gra të mbuluara që marrin një rrogë mujore për këtë lloj shërbimi e “benikërie” fetare për ca leka më shumë. Jemi bërë qesharakë në çdo drejtim të jetës tonë, duke u kthyer ca shekuj pas dhe duke marrë shembull nga Afganistani, sidomos për anën fetare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas