Editorial

A janë koordinatorët e bashkëqeverisjes shenja që Rama nuk beson te ministrat e tij?

Nga Ervis Iljazaj

Bashkëqeverisja është kryefjala e mandatit të dytë të qeverisë Rama. Me një metamorfozë pothuajse radikale, qeverisja e Ramës nga mandati i parë tek i dyti ka ndryshuar totalisht filozofinë e saj.



Ndërsa në mandatin e parë qeveria Rama ndërmori një sërë reformash të domosdoshme, që për shumë arsye ishin dhe jo populiste, dhe si pasojë antielektorale, në mandatin e tij të dytë, duket sikur ka rënë pre e populizmit nëpërmjet llogaridhënies publike dhe bashkëqeverisjes me popullin.

Si shenjë e kësaj filozofie, janë koordinatorët e bashkëqeverisjes, të cilët Rama i takon herë pas herë për të bërë bilancin e këtij procesi. Në fakt, Kryeministri më shumë bën takime me koordinatorët se sa me ministrat e kabinetit të tij.

Në thelb, koordinatorët nuk janë gjë tjetër përveçse struktura paralele që vijnë nga radhët e Partisë Socialiste për të monitoruar punën e administratës në ministri të ndryshme. Janë njerëz që nëpërmjet portalit online presin dhe zgjidhin hallet e popullit.

Kështu që, përtej ndryshimit të filozofisë nga mandati i parë tek i dyti, nga reformizmi te populizmi, koordinatorët e bashkëqeverisjes tregojnë një mosbesim të thellë që ka në këto momente Edi Rama te ministrat e tij. Sepse, ndryshe nuk kuptohet se përse është e nevojshme që me problemet e administratës të ishte e nevojshme një strukturë paralele si ajo e koordinatorëve, kur ligjërisht për çështje të tilla janë përgjegjës direkt vetë ministrat.

Me shumë mundësi, koordinatorët janë aty, jo për të bashkëqeverisur, por për të kontrolluar punën e Ministrave.

Bashkëqeverisja në radhë të parë, nuk është pritja dhe zgjidhja e halleve të popullit, të cilat përbëjnë punën normale të një administrate publike, por pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrjet e iniciativave qeverisëse, gjë e cila nuk ndodh me bashkëqeverisjen e Edi Ramës.

Në radhë të dytë, bashkëqeverisje do të thotë demokraci direkte, e cila në shoqëritë komplekse bashkëkohore është një mënyrë qeverisëse e pamundur, përtej disa instrumenteve që parashikohen në Kushtetutën e Shqipërisë, por që nuk janë aplikuar pothuajse asnjëherë.

Kështu që, ajo që Edi Rama e quan bashkëqeverisje, në të vërtetë, nuk është gjë tjetër, përveçse një mënyrë për të kontrolluar punën e ministrave, ose më saktë, shenjë e mosbesimit të thellë ndaj kabinetit të tij.

Rasti i shkarkimit të 6 drejtorëve disa ditë më parë, është shumë i qartë për të treguar gjithë idenë e bashkëqeverisjes dhe koordinatorëve të saj. Ndoshta, koordinatorët nëpërmjet ankesave të popullit, do të mbërrijnë në një ditë shumë të afërt në shkarkimin e vet të ndonjë ministri.

Për të gjitha këto arsye, bashkëqeverisja , nocion i cili nuk përputhet me atë çka ndodh realisht me të, është një instrument që Ramës i shërben për të mbajtur kabinetin në kontroll.

Dhe, Kryeministri ka totalisht të drejtë. Historia politike e tranzicionit shqiptar ka treguar se, kur ministrat rrinë shumë kohë në atë post, siç është rasti me shumë nga ministrat e qeverisë Rama, që kanë gati 6 vite në detyrë, bëhet e vështirë për një Kryeministër të ketë kontrollin e plotë mbi ta. Pasi, akumulimi i pushtetit ndër vite, krijon ministra të fuqishëm dhe autonomë, dhe, si pasojë, motivimi për të qenë në frymën e përgjithshëm të atij që është përgjegjës për qeverisje dhe ka marrë votën e popullit, është gjithmonë e në ulje duke u kthyer në një problem për qeverisjen.

Në këtë frymë vettingu që jemi sot, ndoshta, do të ishte e udhës që, më së pari Kryeministri për të dhënë një shenjë të qartë se e ka seriozisht këtë proces, ashtu sikurse e përmend sa herë që i jepet rasti, duhet ta fillojë vettingun në radhë të parë nga ministrat e tij 8-vjeçarë./Mapo.al/

 

PasPara

1 koment

  1. Ervis ! Kjo vetqeverisja eshte “Vija e masave e Enverit te Pare e digitalizuar”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



Pas