Kryesore, Mapo Letrare

A është problemi tek juria? Ja replikat mes Rudolf Markut dhe Agim Baçit për ‘Çmimin Kadare’

Çmimet letrare jo vetëm janë një nxitje për letërsinë e mirë, dhe klimën letrare në vend, por dhe i japin një kah debateve bashkëkohore për letërsinë.

Çmimi letrar Kadare erdhi si një sfidë, për të kontribuar jo vetëm në nxitje të letërsisë së mirë, por dhe për të krijuar atë debatin që do të krijojë më pas kritikën dhe shkrimtarin e munguar.



Në katër vite jetë, ky konkurs ka arritur të japë një tablo të letërsisë shqipe sot, por dhe të orientojë një debat i cili në thelb tregon dhe aftësitë e terrenit tonë letrare për përballje të tilla.

Rudolf Marku, fituesi i edicionit të parë të çmimit Kadare, u shpreh në një shkrim se “pavarësisht nga qëllimi fisnik, mecanatist dhe altruist i themeluesit të çmimit “Kadare”, ky çmim rrezikon seriozisht të dështojë pikërisht nga gjyqtarët panelistë”.

“Deri tani nuk kam parë asnjë kriter në zgjedhjen e asaj që ne e quajmë juri. Kam përshtypjen se juritë deri më tash kanë qenë një zgjedhje spontane e disa njerëzve të rekomanduar privatisht, pa asnjë sfond bindës akademik, estetik, gusto të lindur a të kultivuar letrare dhe personale. Prezantimi pompoz dhe fals i jurive si personalitete menjëherë pas përzgjedhjes së tyre bën pjesë në paketën e dështimit të çmimit. Edhe kur ndonjëherë më të rrallë ka qenë zgjedhur ndonjë kryetar jurie bindës në personalitetin e vet, ai ka qenë i rrethuar nga anëtarë të dyshimtë në shije dhe në etikë: le ta themi hapur, shumica e anëtarëve të jurisë nuk i lexojnë të gjitha veprat e paraqitura për konkurrim, duke inkurajuar atë traditë të mbrapshtë të së djeshmes e të së sotmes, të lavdërimit a të sharjeve të veprave letrare troҫ, me një arrogancë të paparë harbutërie dhe injorance, pa i lexuar aspak veprat për të cilat guxojnë të flasin! Në një kohë që leximi i veprës duhej të ishte dhe akti më i parë i një gjykatësi jurie, shoqëruar më pas me përpjekjen për ta ndier e kuptuar tekstin dhe tërësinë e tij”, shkruante Marku.

Por si mendon kritiku dhe anëtari i jurisë, Agim Baçi?

“Unë vetë nuk kam qenë në atë vit në juri kur Marku është shpallur fitues, por besoj se anëtarët e jurive kanë qenë seriozë dhe në bazë të shijeve të tyre estetike kanë debatuar dhe gjykuar vepër për vepër. Argumentimet “pro” dhe “kundër” kanë pasur fatin e mirë apo të keq që t’i nënshtrohen votimit. Dhe ne nuk kemi shpikur ende asnjë mekanizëm tjetër për të shpallur një fitues. Personalisht i kam kërkuar ideuesit dhe financuesit të këtij çmimi, z. Çili, që të gjejë rrugë sa më transparente lidhur me arritjen deri te fituesi, ndoshta duke duke zgjatur më shumë kohën në dispozicion të leximeve, mënyrën e diskutimeve, si dhe shenjën e pikëzimeve për çdo vepër, siç propozonte në shkrimin e tij edhe shkrimtari Bashkim Shehu që ishte kryetar i jurisë në vitin 2017. Jam dakord edhe me propozimin që veprat do të ishin më mirë të lexoheshin pa emrin e autorit, që ne të gjykonim thellësisht vetëm tekstin me të cilën konkurrohet, pa u ndikuar aspak nga veprat e mëparshme. Kjo edhe për faktin se ai çmim jepet për një vepër të pabotuar dhe jo për gjithë karrierën e shkrimtarit. Por ky propozim mbetet për t’u parë nga organizatorët, të cilët janë edhe më të interesuarit që çmimi të jetë sa më objektiv ndaj vlerave që paraqiten në konkurrim, e si i tillë, edhe një garant për ata që dëshirojnë të jenë pjesë në të ardhmen,” shkruan Baçi.

Lexoni më poshtë tekstin e plotë të debatit:

Debati për “Çmimin Kadare”: Kontestimet dhe kritika e munguar

PasPara

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *



CLOSE
CLOSE
Pas